Teksa çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm dhe lufta në Ukrainë vazhdon, investitorët që po kërkojnë fitime të sigurta i janë drejtuar mallrave ushqimore.
Ky trend mund të rrisë çmimet edhe më shumë, duke sjellë pasoja jetë-a-vdekje për të varfërit në botë.
Rritja e çmimeve të konsumit po përkeqëson situatën e mungesës së ushqimeve në mbarë globin, ndërsa investitorët që kërkojnë të fitojnë para nga mallrat ushqimore mund të jenë duke e përkeqësuar gjendjen akoma më tepër.
Çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm pasi pandemia e koronavirusit solli probleme në zinxhirët e furnizimit global, duke shkaktuar mungesa në të gjithë botën. Çmimi i ushqimeve u rrit akoma më shumë pas pushtimit rus të Ukrainës. Të dyja vendet e përfshira në luftë janë furnizuesit kryesorë globalë për mallrat bujqësore, si gruri dhe vaji i lulediellit.
“Në Ugandë, çmimet e grurit dhe të karburantit kanë shkuar në stratosferë, duke i bërë mallrat e konsumit të përditshëm, si për shembull bukën, pothuajse të papërballueshme për një qytetar të zakonshëm,” tha për Deutsche Welle Anna Slattery, menaxhere e punëve të jashtme në The Hunger Project, një organizatë jofitimprurëse që punon për t’i dhënë fund urisë në botë.
“Në Malavi, ekipet tona po raportojnë se çmimet e grurit të misrit, sojës dhe vajit të gatimit janë rritur ndjeshëm, me mbi 50% në disa vende. Rritja e çmimeve po e bën të vështirë për njerëzit që të mund të përballojnë këto artikuj ushqimorë jetik.”
Oreksi për mallrat ushqimore
Investitorët që përpiqen të fitojnë para nga kërkesa e lartë për ushqime dhe për mallra të tjera, mund të jenë duke ushtruar akoma më shumë presion mbi çmimet.
Pas shpërthimit të luftës në shkurt, “fondet e tregtuara në shkëmbim (ETF)” që lidhen me mallrat, një lloj fondi investimi i hapur për publikun, patën një rritje të madhe të aktivitetit. Deri në prill, investitorët kishin derdhur 1.2 miliardë dollarë në dy ETF-të kryesore për bujqësinë, krahasuar me vetëm 197 milionë dollarë që u investuan gjatë gjithë vitit 2021, zbuloi Lighthouse Reports, një OJQ për gazetarinë investigative.
Sipas uebsajtit të lajmeve The Wire, tregu për grurin në Paris, i cili shërben si një referencë për Europën, ka pasur gjithashtu një rritje të ndjeshme të përqindjes së spekulantëve – domethënë të investitorëve, qëllimi kryesor i të cilëve është të nxjerrin fitime të shpejta – të cilët blejnë kontratat e ardhshme të grurit.
Aktiviteti në Bordin e Tregtisë së Çikagos, një nga bursat kryesore në botë për tregtimin e kontratave të ardhshme, pasqyron gjithashtu këtë tendencë. Një studim i fundit nga Qendra për Kërkime Zhvillimore (ZEF) në Universitetin e Bonit zbuloi se numri i atyre që spekulojnë me grurin e fortë dhe misrin ishte rritur bashkë me çmimin e mallrave. Kjo rritje ishte shumë e madhe, krahasuar me fundin e vitit 2020. Studiuesit zbuluan gjithashtu se paqëndrueshmëria e çmimeve të kontratave të ardhshme ishte rritur ndjeshëm që nga fundi i vitit 2021, një shenjë e parregullsive të tregut që lënë hapësira për spekulime.
Një bast i sigurt
Raporti i ZEF paralajmëroi se shtimi i këtyre spekulimeve mund të sjellë shkëputjen e çmimeve nga elementet bazë, si oferta dhe kërkesa. Ai vuri në dukje tendencat e ngjashme që sollën krizën globale të ushqimit të vitit 2008.
Në prill, analistët në bankën e investimeve JPMorgan Chase sugjeruan që çmimet e mallrave mund të rriten deri në 40% me shtimin e numrit të tregtarëve, duke krijuar mundësinë për fitime shumë tërheqëse për investitorët.
Tregtarët priren të largohen nga investimet me risk të lartë, si për shembull aksionet e kompanive të teknologjisë dhe kriptovalutat, në kohë të tilla të pasigurisë ekonomike, duke favorizuar më tepër këto “baste të sigurta”, si produktet ushqimore, nafta dhe plehrat kimike. Mallrat ushqimore, të tilla si gruri, misri dhe orizi, mund të ndikohen gjithashtu negativisht nga pasiguria në treg.
“Sa më shumë pasiguri të ketë në treg, aq më shumë kërkesë ka për tregtimin e riskut,” tha për DW Lukas Kornher, ekonomist dhe menaxher i projektit ZEF. “Kjo është arsyeja pse shohim një fluks të spekulantëve në treg.”/ DW