Ish-kryeministri bullgar, Plamen Oresharski, paralajmëroi se Bullgaria po përballet me një krizë të borxhit, e ngjashme me rastin e Greqisë. Në një intervistë për televizionin privat Nova TV, Oresharski tha se borxhi bullgar është rritur shumë më shpejt se norma e rritjes ekonomike dhe në këtë drejtim Bullgaria është duke ndjekur gjurmët e Greqisë. Në qoftë se trendi është i qëndrueshëm, kjo kërcënon sovranitetin financiar të Bullgarisë dhe vendi rrezikon të bëhet i varur nga kreditorët.
Ish-kryeministri shtoi se zhvillime të tilla ishin dëshmuar në periferinë jugore, pra në Greqi dhe Bullgari, në fund të viteve 1980 dhe 1990. Për të shmangur pasjen e një krize të borxhit, Oresharski propozoi dy masa: – ndalimin e marrjes së kredive të reja dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
Në lidhje me falimentimin e Bankës Korporative Tregtare (KTB), gjatë mandatit të tij si kryeministër, ai tha se nuk ishte në dijeni nëse ka pasur komplot për rrëzimin e qëllimshëm të bankës. Oresharski tha se ishte duke shqyrtuar raportin e auditorëve të jashtëm mbi gjendjen e bankës para rënies së saj.
Duke iu referuar Fondit të Sigurimit të Depozitave të Bullgarisë (BDIF), ai theksoi se fondi ka mbetur i kapitalizuar, pasi paguan depozitat e siguruara në KTB. Ai këshilloi të mblidhen këstet nga bankat, në mënyrë që të plotësohet fondi, i cili do të sigurojë stabilitet në rast të krizave të reja fiskale.
Oresharski gjithashtu komentoi emërimin e diskutueshëm të manjatit të medias, Deljan Peevski, si kreu i Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare (DANS) në vitin 2013, gjë e cila çoi në protesta në shkallë të gjerë, që përfunduan me dorëheqjen e qeverisë së tij një vit më vonë.
Oresharski tha se ai ishte një kryeministër ekspert, ndërsa vendimi për emërimin e Peevski kishte qenë politik.
Ai shprehu pakënaqësinë se mandati i qeverisë së tij ishte tepër i shkurtër për të kryer të gjitha reformat që kishte planifikuar fillimisht.
Oresharski kujtoi se ndërtimi i gardhit përgjatë kufirit me Turqinë ka filluar gjatë mandatit si kryeministër.