Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se mbi 133 mijë doza të vaksinës AstraZeneca që ishin donacion nga Norvegjia janë hequr nga administrimi pasi u ka skaduar afati i përdorimit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se të mërkurën janë hequr 133,234 vaksina AstraZeneca, pjesë e donacionit nga Norvegjia, të cilave u ka skaduar afati në fund të muajit gusht.
Vitia ka thënë në një konferencë për media se skadimi i afatit të tyre ishte paralajmëruar kohë më parë, ndonëse siç ka thënë, ka pasur dezinformata lidhur me këtë.
“Sot janë hequr 133,234 vaksina nga kompania AstraZeneca pjesë e donacionit nga Norvegjia të cilave u ka skaduar afati. Si MSH qysh ne fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. Pavarësisht kësaj ka pasur shumë dezinformata përfshirë këtu edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, për afatin e këtyre vaksinave. Kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë, deri në refuzim për marrjen e tyre. Ne nuk jemi në situatë kur duhet zgjedhur vaksinë. Një pjesë e madhe e vendeve të rajonit nuk e kanë pasur mundësinë e zgjedhjes dhe janë vaksinuar edhe me vaksina jo të certifikuara me EMA dhe FDA, për ne sigurimi i vaksinave është parësore prandaj nuk kemi pasur kompromis në këtë drejtim dhe nuk do të kemi as në të ardhmen”, ka thënë Vitia.
Ai ka shtuar se ka mjaftueshëm vaksina dhe se nuk do të lejojnë që stoqet të mbesin pa vaksina.
“Kemi mjaftueshëm vaksina dhe nuk do të lejojmë në asnjë moment që stoqet tona të mbesin pa to. Në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër të marrim 150,000 vaksina nga Gjermania dhe një javë më pas, edhe 100,000 të tjera nga Italia. Edhe këto vaksina janë AstraZeneca me afat deri në nëntorin e këtij viti, por gjithashtu presim në fillim të javës tjetër të vijnë edhe pjesë tjetër e vaksinave Pfizer përmes COVAX-it nga donacioni i SHBA-së prej 500,000 dozave si dhe mbi 200,000 doza nga kontrata bilaterale që kemi me kompaninë Pfizer dhe të cilat vazhdojnë të vijnë në fillim të çdo jave”.
Vitia shtoi se në fillim të javës tjetër pritet të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave Pfizer përmes COVAX nga donacioni i SHBA-ve prej 500 mijë dozave, dhe mbi 200 mijë doza nga kontrata bilaterale që kemi me Pfizer.
Ministri ka treguar se ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën edhe gjatë vikendit filluar nga java e ardhshme.
Deri të mërkurën, në Kosovë janë dhënë mbi 841,000 vaksina kundër koronavirusit.
Në total, 284,269 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.
Kosova aktualisht është duke kaluar nëpër një valë të rëndë të pandemisë, me mbi 27,000 raste aktive të të infektuarve.
Dy vaksinat kundër koronavirusit që përdor Kosova, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.