Flet Flori Uka, Agroturizëm “Uka Farm”
Pavarësisht se ka një specifikim të asaj që njihet sot si agroturizëm, numri i atyre që vetëquhen të tillë ka shënuar rritje të shpejtë. Flori Uka, nga Agroturizëm “Uka Farm”, shprehet se ky lulëzim do të shoqërohet me një fazë tjetër, ku vetëm më të mirët do të rezistojnë.
Për momentin, kjo “mbingopje” me subjekte agroturizmi mund të penalizojë ata ekzistues dhe të shpërndajë vizitorët, por qëndrueshmëria në treg do të varet nga kreativiteti dhe cilësia që ofrohet.
Z. Uka shprehet pesimist për vitin tjetër, duke nënvizuar se me ditët që po jetojmë, mbetet e paqartë çfarë duhet të presim, teksa problemi më i madh për vendin aktualisht është largimi i forcës punëtore.
Si ka qenë ecuria e këtij viti për agroturizmin tuaj?
Ecuria ka qenë mesatare, nuk mund të them se ka qenë plotësisht e mirë. E kemi ndier mungesën e vizitorëve. Nuk kemi bërë përllogaritje statistikore me një vit më parë, por kam përshtypjen se vjet kemi pasur më shumë turistë në agroturizëm sesa këtë vit.
Në total do të thosha që kemi vënë re rënie, por mendoj se kjo ka pasur një mori faktorësh. Së pari mendoj se janë hapur shumë restorante në fshat. Një numër pafund që tentojnë të imitojnë, apo të kopjojnë agroturizmet. Sigurisht njerëzit kanë kureshtje dhe shkojnë i provojnë dhe më pas kthehen sërish te ne.
Me pak fjalë, ka një lloj rritje të konkurrencës në sektor?
Nuk do ta quaja konkurrencë, pasi nuk është e drejtë. Po hapen shumë të vetëquajtur agroturizme, të cilët nuk i përmbushin të gjitha kërkesat që duhet të ketë një njësi e tillë. Jam i bindur se ashtu siç po hapen shumë, do të mbyllen shumë, në një kohë të shkurtër.
Një efekt negativ te ne gjithsesi e kanë pasur. Një tjetër element që na ka ndikuar këtë vit kanë qenë rritja e kostove.
Na është dashur të ulim fitimin për të mos bërë rritje çmimesh. Kemi ndryshuar vetëm disa çmime, ku rritja në treg ka qenë në nivele të ekzagjeruara. Për shembull, një mish viçi specifik që ne marrim nga 1 mijë lekë kilogrami, ka arritur në 2 mijë lekë.
Në një intervistë të mëparshme, një nga shqetësimet tuaja ishte mungesa e punonjësve. A e ndieni ende këtë problem që në fakt është bërë masiv në çdo sektor?
Ka një largim masiv të punonjësve. I fundit u largua nga ne vetëm pak ditë më parë. Për mendimin tim, punëtorët nuk kanë faj që ikin. Mesatarja që marrin te ne është 70 mijë lekë.
Me këto çmime, sot një pagë e tillë nuk të mundëson dot jetesë dinjitoze. Janë të mjaftueshme për të jetuar një javë e gjysmë dhe dy javë e gjysmë jetojnë pa para në xhep.
Ne po përpiqemi gjithmonë e më shumë të ndjekim një politikë stimuluese, për mbajtjen e forcës punëtore, por duhet kuptuar që edhe fuqia e tregut shqiptar aq është. Në këto kushte të largimit masiv, po detyrohemi të përshtatemi.
Jemi tashmë në fundvit. A vini re ndonjë rënie konsumi nga familjet?
Familjet mendoj se e kanë ulur ritmin e daljeve për dreka apo darka për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Sigurisht ka qarkullim në agroturizme, por të ardhurat e sidomos fitimi, është shumë më i ulët. Gjatë gjithë vitit, gushti ka qenë muaji më i mirë, ndërsa pjesa tjetër, me luhatje.
A ju ka kufizuar situata aktuale në investime për agroturizmin?
Investimet në agroturizme janë të vazhdueshme, duke tentuar plotësime dhe përmirësime të paketës që ofrohet. Për këtë vit, ne fokusin e vendosëm te vera, ku siguruam 40 tonë rrush për të nxjerrë prodhimin e ri.
Si e parashikoni vitin 2023 nga gjithë zhvillimet që kemi momentalisht?
Mendoj se në vitin 2023, situata do të përkeqësohet, në kuptimin që kriza do të ndihet më shumë. Është një efekt zinxhir i të gjithave, i cili nisi me çmimet dhe lëndët e para dhe u përkeqësua më shumë nga energjia.
Tashmë mendoj se do të godasë, edhe një herë më fort, po me lëndët e para.
Vendet po mendojnë të sigurojnë secili nevojat e tij dhe parashikoj që produktet ushqimore do të kenë kosto në rritje. Importet do të jenë problem gjithashtu. E ardhmja që shoh është një tymnajë e madhe, ku asgjë nuk është e sigurt dhe nuk mund ta parashikosh qartë.
A mund të zbuten këto efekte që flasim nëpërmjet politikave qeveritare që janë marrë?
Bujqësia, agroturizmi dhe sektorë të tjerë të lidhur me to janë të lehtë të ndihmohen.
Projektet apo planet në vend nuk kanë munguar, problem është që financimi të shkojë në destinacion dhe jo të humbasë në subjekte që nuk kanë lidhje me bujqësinë.
Duhet të ketë më shumë transparencë për këto fonde. Të identifikohen siç duhen subjektet, pasi ne jemi lehtësisht të identifikueshëm në zyrat e shtetit, nisur nga Tatimet.
Lexoni edhe: Agroturizmi, oazi i pushimit të fundjavave dhe festave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.