Flet Krenar Lasko, presidenti i kompanisë “Kappa Oil”
Rritja e industrisë automotive në vend në vitet e fundit ka ardhur falë pranisë së kompanive të huaja, që kanë zgjeruar fabrikat e prodhimit kryesisht fasoneri për tela, kabllo apo gomina.
Nga ana tjetër, investitorët vendas në industri të lidhura me atë automotive mbeten në numër të vogël, por orientimi i tyre drejt prodhimit me qëllim eksportin është rritur ngadalë.
Krenar Lasko, presidenti i kompanisë “Kappa Oil”, me aktivitet në importimin, prodhimin dhe tregtimin e lubrifikantëve, i ka fokusuar investimet edhe në një tjetër drejtim, përmes “Kappa Ghepard”, si efekt i kërkesës së tregut.
Ai pohon se kjo e fundit, nëpërmjet një fabrike në autostradën Durrës-Tiranë, po prodhon çdo vit e më shumë tapete gome dhe mokete për automjete, ku peshën më të madhe e merr eksporti. Z. Lasko shprehet se kriza post-pandemike, që preku ekonominë globale, u reflektua tek të gjithë bizneset me kosto të rritura.
Pavarësisht kësaj, kompanitë shqiptare po përpiqen të zgjerojnë tregjet e tyre të eksportit, duke qenë vazhdimisht aktive në organizimet B2B që zhvillohen nëpër botë. Sipas tij, kjo është një formë e përshtatshme për të prezantuar produktet vendase në tregje të reja dhe për të rritur edhe eksportet.
Mund të bëni një përmbledhje të profilit të kompanisë suaj në lidhje me aktivitetin që zhvillon, produkteve, ecurinë në vend ndër vite, numrin e të punësuarve?
Kompania “Kappa Oil”, së bashku me kompaninë tjetër “Kappa Ghepard”, të themeluara pas vitit ’92, janë konsoliduar në tregun shqiptar me një portofol të gjerë produktesh, të cilat nisin nga lubrifikantët për mjete motorike e ato të reja e deri te mjetet e marinës, bujqësore dhe industriale.
Në tregun e lubrifikantëve, kompania mbulon 42% të nevojave që ka vendi sot. Njëkohësisht jemi aktivë me ofrimin e baterive, filtrave për automjete dhe tapiceritë dhe moketet e automjeteve. Këto të fundit prodhohen në fabrikën tonë, ku duhet të themi që rreth 87% e prodhimit është për eksport.
Tregjet ku eksportojmë tapete dhe mokete janë vende europiane, Sllovenia, Italia, Gjermania e deri në Afrikë. Kjo e fundit, për hir të së vërtetës, po bëhet një treg shumë dinamik viteve të fundit. Të dyja kompanitë së bashku kanë mbi 240 punonjës.
Si ka qenë ecuria e produkteve tuaja në tregun vendas dhe cilat janë sfidat me të cilat përballeni?
Vit pas viti kemi pasur ecuri pozitive si në tregun vendas, edhe në atë të huaj, me eksporte në rritje. Shqipëria njeh një moshë mesatare të ndryshme mjetesh, si pasojë e popullatës me të ardhura të ndryshme. Ofrimi i një game sa më gjithëpërfshirëse, si dhe zgjerimi i kanaleve të shpërndarjes mendoj se ka dhënë ndikim pozitiv. Përveç Shqipërisë jemi edhe në Kosovë.
Sa u takon sfidave, mund të them se situata e pandemisë dhe më pas zhvillimet e post-pandemisë me rritje të kërkesës për lëndë të para, rritje të kostove, si dhe lufta në Ukrainë në vitin 2022, e kanë bërë tregun në përgjithësi më sfidues.
Kjo është reflektuar me rritje çmimesh nga partnerët tanë, e cila për pasojë reflektohet edhe në çmimin e konsumatorit final. Në shumë raste, konsumatori final e ka të vështirë të kuptojë zinxhirin që ka sjellë këtë rritje kostoje. Si efekt i këtyre zhvillimeve mund të them se në tërësi, në treg, është vënë re tkurrja e shitjeve si në shumicë, edhe në pakicë.
Si ka qenë ecuria e eksporteve dhe cilat janë tregjet që keni arritur te hyni deri më tani?
Eksportet kanë pasur ecuri pozitive dhe fokusi ynë në fakt është në këtë drejtim. Prej shumë vitesh jemi munduar të bëjmë të njohur markën tonë në tregje të huaja, kryesisht nëpërmjet panaireve të rëndësishme dhe kjo na ka mundësuar që sot të jemi të pranishëm në mbi 25 vende të botës.
Së fundmi ishim në Bolonja (Itali) ku u zhvillua edicioni i 29-të i panairit më të madh të automobilave, “AutoPrometec 2022”. Jemi të vëmendshëm për të qenë të pranishëm në panaire të rëndësishme, si në Frankfurt të Gjermanisë, Paris (Francë), Stamboll (Turqi) apo Dubai, pasi i shohim si një urë të mirë komunikimi për lidhjen e kontratave me vende të ndryshme nëpër botë.
Falë pjesëmarrjes në këto evente, kemi lidhur kontrata afatgjata në Angli, Portugali, Slloveni, Itali, Bjellorusi, shtete të ndryshme afrikane, Marok apo Egjipt. Doja të shtoja që kompania jonë e prodhimit të tapeteve dhe moketeve eksporton sot 87% të prodhimit të saj, ndërsa pjesa tjetër shitet brenda vendit, kryesisht nga bashkëpunimi që kemi me koncesionarët.
Kjo shifër tregon edhe potencialin që ka në vijim rritja e eksporteve në këtë fushë.
LEXONI EDHE:
Industria automotive, sfida të reja në horizont për kompanitë në Shqipëri, shansi nga Ukraina
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.