Karantina dhe qeveria, “djajtë” që tashmë i njohim

14/11/2020 10:12 PM 0 komente

EDITORIAL MONITOR / Një valë e dytë e koronavirusit po detyron shumë shtete të Europë që t’i rikthehen gradualisht karantinimit, që sa vjen e po bëhet më i ashpër. Italia forcoi së fundmi masat mbyllëse, Greqia pothuajse ka kaluar në të njëjtat nivele si në mars. Duket se shtetet europiane, një nga një, po i dorëzohen virusit të padukshëm, edhe pse karantina e parë i çoi ekonomitë në rënien më të thellë që pas Luftës së Dytë Botërore në tremujorin e dytë të këtij viti.

Komisioni Europian pret që rritja të rikthehet në 2021, por do të duhen dy vjet për të kapur nivelet e parakrizës, teksa ringritja e Europës tashmë po ndërpritet nga rritja e rasteve të reja me Covid-19.

Në të njëjtën linjë, edhe Shqipëria po përballet me një shtim të fluksit të rasteve me Covid-19, duke çuar në tejmbushjen e dy spitaleve Covid-19, madje brenda pak kohësh edhe të tretit, që sapo është hapur. Deri tani, qeveria ka rezistuar për të shtrënguar masat, ndoshta e vetëdijshme, që një karantinë e dytë do të ishte e papërballueshme për ekonominë.

Ndryshe nga mbyllja e parë, kur ne, si e gjithë bota, hymë në një territor të paeksploruar, tashmë e dimë se çfarë na pret. Ndërsa shtetet e mëdha kanë ende hapësira për të përballuar mbylljen gjatë një vale të dytë, Shqipëria nuk e ka më një luks të tillë.

Një mbyllje e dytë te ne do të kishte ndikim më të madh sesa i pari. Për vetë strukturën e ekonomisë sonë, e mbështetur te vetëpunësimi dhe sipërmarrjet mikro, shumë subjekte të vogla pa rezerva cash-i, mund t’ia kenë dalë të përballojnë mbylljen e parë, por nuk do të mund t’i mbijetojnë një karantine të dytë. Rreth 90% e bizneseve në vend janë me 1-4 të punësuar, kryesisht në tregti e shërbime, të cilat edhe përpara krizës së Covid-19 po ndienin konkurrencën nga riformatimi i ekonomisë drejt qendrave të mëdha e zinxhirëve të supermarketeve. Ka një rrezik serioz që një mbyllje e dytë do të shkaktojë dëm më të përhershëm për ekonominë e vendit.

E ardhmja ka një shkallë të lartë pasigurie, që lidhet me ecurinë e pandemisë. Edhe pa një karantinim të dytë, konsumi do të vijojë të jetë i ndrydhur, me sjelljen e njerëzve që ka ndryshuar dhe po përshtatet gjithnjë e më shumë me normalitetin e ri. Varësia nga turizmi është një tjetër faktor që i shtohet pritshmërive të paqarta për periudhën në vijim, duke rrezikuar dhe pritshmërinë për një rritje prej 5.5% vitin e ardhshëm.

Në kahun tjetër, vendi nuk ka më as rezerva fiskale për të përballuar një tjetër mbyllje të detyrueshme të bizneseve. Borxhi ka arritur tashmë në nivele të paqëndrueshme prej 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i larti në rajon dhe i 11-i në Europë. Qeveria ka treguar që jo vetëm nuk ka qenë në gjendje të menaxhonte, në mënyrë të qëndrueshme buxhetin, që kur filloi pandemia, por as nuk ka vënë mend për të ardhmen.

Të dhënat krahasuese të Eurostat, Komisionit Europian dhe Ministrisë së Financave tregojnë se borxhi publik i Shqipërisë u zgjerua me 13.8 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 6-mujorin e parë të këtij viti, rritja e gjashtë më e lartë në Europë, ndërkohë që në treguesin tjetër, atë të mbështetjes direkte ndaj PBB-së, vendi ynë ishte i fundit në Europë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky paradoks tregon për mungesën e eficiencës së parave publike. E njëjta tendencë vijon me buxhetin 2021, që ndonëse në kohë të pasigurta është tepër optimist dhe në një vit elektoral, parashikon shpenzime të fryra dhe shpesh jo të domosdoshme, ndërsa një pjesë e tij është e zënë tashmë nga kontratat koncesionare. Kjo sjellje rrezikon një fryrje tjetër të borxhit, pa ndihmuar në thelb ekonominë.

Ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga progresi i pandemisë dhe nga strategjitë që do të zgjedhin qeveritë për të ulur numrin e rasteve të reja dhe vdekjeve. Në të gjithë botën, zgjedhja parësore e qeverive ka qenë investimi në kapacitetet e sistemit shëndetësor dhe ruajtja e sa më shumë jetëve, përkundrejt kostove që ka pasur mbyllja e ekonomive, gjithnjë duke u kujdesur që një pjesë e këtyre humbjeve të kompensohet për të ruajtur vendet e punës. Por, Shqipëria, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, që pritet të shoqërohen me një betejë të ashpër elektorale, duket se për momentin ka prioritete të tjera…

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of