Flet Blerina Ago, eksperte turizmi
Për shkak të rritjes së kostove të fluturimit, të çmimeve të karburantit, turistët vendas do të vazhdojnë të priren të organizojnë pushimet e tyre brenda vendit.
Kështu shprehet Blerina Ago, eksperte turizmi dhe drejtuese e “Active Albania”.
Shqipëria, sipas saj, do të mbetet një pikë tërheqëse për turistët që duan të zbulojnë një destinacion të ri, duke iu larguar tregjeve masive të destinacioneve më popullore europiane, si dhe duan të kursejnë gjatë pushimeve.
Vera 2022 premton udhëtime, të cilat pas disa vitesh, do të jenë pa kufizime. Si duket situata edhe në kushtet e konfliktit Rusi-Ukrainë që po vijon?
Pavarësisht pandemisë dhe konfliktit në Ukrainë, ndjenja europiane e udhëtimit arrin kulmin, pasi 77% kanë plane udhëtimi midis prillit dhe shtatorit 2022, referuar “Monitorimit të Ndjesisë për Udhëtimet Vendore dhe Brenda-Europiane – Vala 11” nga Komisioni Europian i Udhëtimit (ETC).
Mbi gjysma (56%) e europianëve që planifikojnë një udhëtim synojnë të vizitojnë një vend tjetër europian.
38% e europianëve të gatshëm për udhëtime planifikojnë të bëjnë një udhëtim të shkurtër midis qershorit-korrikut, dhe 32% të tjerë synojnë periudhën gusht-shtator.
Pavarësisht gjatësisë së udhëtimit, një në dy udhëtarë do të marrë një fluturim për të arritur në destinacionin e tyre të ardhshëm.
Spanja është destinacioni më i favorizuar në mesin e europianëve që udhëtojnë jashtë vendit midis prillit-shtator 2022, e ndjekur nga Italia, Franca, Greqia dhe Portugalia.
Një pjesë në rritje e udhëtarëve europianë po planifikojnë të shpenzojnë 500-1500 € (+8%) me një rënie përkatëse në buxhetet më të larta (-8% për më shumë se 2000 €), potencialisht për shkak të shqetësimet në rritje për inflacionin.
Fleksibiliteti në politikat e anulimit (14%) dhe liria nga kufizimet (13%) janë tani faktorët kryesorë që rrisin besimin e të anketuarve në planifikimin e udhëtimit të ardhshëm brenda Europës. Vaksinimi për COVID-19 bie në vendin e tretë, pasi shumica e europianëve e kanë marrë tashmë këtë masë paraprake.
Sidoqoftë, të anketuarit pranojnë se COVID-19 mbetet një burim shqetësimi; 17% e europianëve të gatshëm për udhëtim janë të shqetësuar për masat e karantinës dhe 15% të tjerë për ndryshimet e mundshme në kufizimet e udhëtimit. Në të njëjtën kohë, europianët me plane udhëtimi afatshkurtra pranojnë rëndësinë e protokolleve të rrepta shëndetësore, të cilat ofrojnë një ndjenjë sigurie për 37% të tyre dhe paqe mendore për t’u çlodhur dhe për të shijuar udhëtimin e tyre deri në 30%.
Me afrimin e verës, shumica e europianëve me plane udhëtimi synojnë të bëjnë pushime 4-6 net (33%) ose 7-9 net (27%). Vetëm 25% do të zgjedhin udhëtime prej 10 netësh ose më shumë, kryesisht udhëtarë familjarë. Nga ana tjetër, çiftet parapëlqejnë shumë udhëtimet e shkurtra (deri në 3 net). Pavarësisht kohës së udhëtimit, një në dy udhëtarë do të marrë një fluturim për të arritur në destinacionin e tyre të ardhshëm.
Sa tërheqëse do të jetë Shqipëria këtë vit, edhe për vetë turistët vendas apo ata të rajonit?
Për shkak të rritjes së kostove të fluturimit, të çmimeve të karburantit, turistët vendas do të vazhdojnë të organizojnë pushimet e tyre brenda vendit. Shqipëria do jetë joshëse gjithashtu për turistët e rajonit si shqiptarët e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria etj.
Tre në katër europianë synojnë të bëjnë një udhëtim në gjashtë muajt e ardhshëm, me destinacionet mesdhetare që kanë tërheqjen më të lartë. Shqipëria do të mbetet një pikë tërheqëse për turistët që:
- duan të zbulojnë një destinacion të ri, duke iu larguar tregjeve masive të destinacioneve më popullore europiane
- duan të kursejnë gjatë pushimeve të tyre
Këta udhëtarë zënë një përqindje të vogël në volumin e turistëve europianë dhe kanë ndikim më të ulët në rritjen ekonomike të vendit. Ata priren të shpenzojnë më pak se mesatarja e turistëve të tjerë.
Cilat janë destinacionet më të përlqyera në vend? Si janë çmimet këtë vit?
Bregdeti do të vazhdojë të jetë destinacioni i preferuar për turistët në vitin 2022, ku në Veri dhe Durrës do të këtë një prurje të turistëve familjarë, apo atyre të huaj të organizuar në grupe të mëdha nga agjencitë turistike.
Jugu do të mbetet vendi i preferuar i të rinjve dhe i grupeve të turistëve, të cilët kërkojnë pushime më ekskluzive.
Aktivitetet 1-ditore në natyrë do të përzgjidhen në moment të fundit, pa rezervim paraprak për të gjithë ata persona që duan të shkëputen për një ditë nga shezlongu. Ecjet në natyrë, rafting, kajak, kalërim, zhytje, paravelë, shëtitje me varka me motorë apo anije turistike, snorkeling, vizita në kantina vere dhe agroturizëm, aventura me motorë me katër rrota janë ofertat ekzistuese turistike që ofrohen.
Sektori i turizmit do të vuajë rritjen e çmimeve. Faji, në radhë të parë, i drejtohet rritjes së çmimit të karburantit që po bën që edhe kostoja e transportit të rritet në qiell. Dhe më pas rritja e çmimit të lëndëve të para, për rrjedhojë po çon edhe në rritje në botën e hotelerisë dhe mikpritjes.
Megjithatë, bizneset e turizmit, të cilat kanë vuajtur një krizë të thellë nga pandemia, do të priren të ulin fitimet dhe do të reflektojnë sa më pak rritjen e çmimeve te turistët.
Çfarë do të evidentoni si problematikat kryesore të turizmit shqiptar?
Problemi kryesor që do të vuajnë bizneset e turizmit gjatë 2022 është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Si pasojë, do të kemi një shërbim jo të standardizuar, më shumë konkurrencë të paligjshme dhe do të jemi më të ekspozuar ndaj rrezikut që turistët të largohen jo thellësisht të lumtur nga pushimet e tyre.
Shqipëria, krahasuar me vendet fqinje dhe ato të rajonit ofron një ofertë të vakët turistike, me një vlerë të ulët për turistin. Duke ofruar shërbimet bazë, ende nuk jemi të aftë ta bëjmë turistin të shpenzojë më shumë. Kjo do sjellë pak fitime për sektorin që, si rrjedhojë, do ofrojë paga më të ulëta, më shumë vende pune sezonale.
Ende kemi punë për të bërë për sa i përket qëndrueshmërisë, në mënyrë që të mos jemi gjithmonë në nivelet “kap ça të kapim”, por të kemi turistë më cilësorë. Shqipëria nuk e ka luksin të mburret me numrin e turistëve që hyjnë në vend, pasi dhe infrastruktura jonë turistike është e kufizuar. Nëpërmjet shërbimeve cilësore duhet të arrijmë ata turistë që janë të aftë të shpenzojnë më shumë.
Si destinacion turistik, Shqipëria ka ende nevojë për më shumë promovim drejt tregjeve të synuara.
Gjithashtu, duhen nxitur dixhitalizimi dhe inovacioni në turizëm si për sa u përket shitblerjeve të produkteve dhe shërbimeve turistike, për të lehtësuar shërbimet ndaj turistëve, për kursimin e burimeve natyrore, marketing dhe promovim, formimin profesional etj.
Mbetjet do të vazhdojnë të jenë problemi më i madh që do të ngrenë turistët.
Me rëndësi është që të gjithë aktorët e turizmit të kenë mundësinë të reflektojnë dhe të nxjerrin disa mësime lidhur me aftësinë e menaxhimit të krizave, krijimin e fondit të emergjencave për turizmin, nxitjen e bashkëpunimit mes njëri-tjetrit dhe ndërtimin e një marrëdhënie afatgjatë me klientët besnikë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.