Greqia mund të grumbullojë kesh të mjaftueshem për të përmbushur detyrimet e saj të pagesës në qershor, deklaruan zyrtarët grekë dhe të eurozonës dje, duke zbutur frikën e dështimit të afërt teksa u fashitën shpresat për arritjen e marrëveshjes së zhbllokimit të një ndihme të re me kreditorët e saj.
Banka Qendrore Evropiane rriti tavanin e saj në kreditimin emergjent nga banka qendrore greke ndaj bankave greke me 1.5 miliard euro në 75.4 miliard euro, duke intensifikuar potencialin për tu përballur me tërheqjet e depozitave, tha një burim bankar.
Tre burime të njohura me politikën e BQE mohuan raportin se banka me bazë në Frankfurt kishte shtrënguar ‘rripat’ për bankat greke, duke reduktuar vlerën e kolateralit që ato duhet të paraqesin për të marrë likuiditet emergjent në mënyrë që të mbijetojnë.
Greqia ka marrë dy paketa ndërkombëtare me vlerë 240 miliard euro që nga 2010, por ekonomia e saj është tkurrur me rreth 25 për qind, papunësia është rritur dhe qeveris e majtë e zgjedhur në janar ka refuzuar të përfundojë programin e reformës që përfshin masa për të cilat ajo thotë se përkeqësojnë rënien ekonomike.
Kreu i Eurogrupit, i cili përgatit vendime për ministrat e financave të zonës së euros, tha se Athina nuk do të paraqesë një listë të re reformash ekonomike të kërkuara për të zhbllokuar fondet e mëtejshme të BE-së, kur ministrat të takohen në Letoni të premten, por Greqia duhet të përpiqet të ‘mbijetojë’ deri në qershor.
Zëvendësministri grek i Financave Dimitris Mardas tha se qeveria synon të sigurojë një shifër prej 2.5 miliard euro (2.7 miliardë dollarë) në kesh, si ‘një mekanizëm mbeshtetes’ duke detyruar subjektet shtetërore ti japin hua shtetit në mënyrë që të mbulojë pagesat deri në fund të majit.
Përjashtuar nga tregjet e obligacioneve dhe ‘mbetur trokë’ për të paguar nëpunësit civilë, pensionistët dhe furnizuesit dhe për të paguar borxhin e saj, qeveria emetoi një dekret të hënën i cili urdhëronte organet publike të transferojnë rezervat e tyre në bankën qendrore.