Kina tha se bisedimet për të zgjidhur ngërçin mbi tregtinë me SHBA nuk mund të ndodhin për aq kohë sa Presidenti Donald Trump vazhdon të kërcënojë të imponojë tarifa të mëtejshme.
Pak më shumë se një orë pasi administrata Trump vendosi të hënën e shkuar detyrime të mëtejshme për një tjetër 200 miliard dollarë mallra kinezë, Pekini botoi një dokument që përsëriti qëndrimin e saj në këtë situatë. Bisedimet e planifikuara për këtë javë u anulluan pasi u afrua vendosja e tarifave të reja nga Uashingtoni, raporton Bloomberg.
“Dera për bisedimet e tregtisë është gjithmonë e hapur, por negociatat duhet të mbahen në një mjedis të respektit të ndërsjellë”, sipas dokumentit nga agjensia shtetërore e lajmeve Xinhua. Negociatat “nuk mund të kryhen nën kërcënimin e tarifave”.
Raundi më i fundit i tarifave të Uashingtonit hyri në fuqi menjëherë pas mesnatës së Uashingtonit të hënën (mesditë në Pekin) në një listë të produkteve që varionin nga mishi i ngrirë deri te komponentët televizivë. Kina është gati të hakmerret me tarifat me 60 miliardë dollarë në mallrat e SHBA, një masë që Trump ka thënë do të nxiste detyrime të reja për një tjetër 267 miliardë dollarë në importet kineze.
Në njoftimin e tarifave javën e kaluar, qeveria në Pekin tha se tarifat do të ishin efektive që nga ora 12:01, në kohën lokale më 24 shtator (sot). Ndërsa e hëna është një festë publike në Pekin, asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë ende dhe mediat presin për njoftim nga Kina ditën e nesërme.