Kontrolli i Lartë i Shtetit, ushtroi në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI) dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) një auditimin për burimet alternative të energjisë në Shqipëri”,
paralel me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Turqia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina etj.
në këtë raport thuhet se : “Megjithëse Shqipëria ka kryer jo plotësisht përafrimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE-së dhe ka hartuar Draft-Planin Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficencës së Energjisë, nuk ka arritur të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, pasi:
– Strategjia Kombëtare e Energjisë nuk është monitoruar dhe zbatuar sipas skenarëve përkatës;
– Plani Kombëtar i Veprimit prej më se tre vitesh nuk është miratuar akoma;
– Ligji për burimet e rinovueshme vazhdon të jetë në proces përditësimi edhe pas më shumë se dy vitesh pa aktet e tjera nënligjore;
– Kanë munguar iniciativat publike në këtë fushë për shkak të performancës së dobët të MEI-t dhe AKBN-së nga mungesa e financimeve buxhetore dhe ndarjes e dublikimit të kompetencave administrative brenda dhe midis tyre”.
Në përfundim të kësaj veprimtarie audituese, mbi bazën e Vendimit të Kryetarit të KLSH-së, Zotit Bujar Leskaj, nr. 113 prot., datë 09.09.2015, janë dërguar rekomandimet përkatëse dhe raporti përfundimtar MEI-t dhe AKBN-së me shkresat nr. 904/10 prot., dhe nr. 904/11 prot., datë 11.09.2015.
MEI-t dhe AKBN-së i është kërkuar marrja e masave për zbatimin e 15 rekomandimeve me afate kohore të ndryshme, lidhur me transpozimin e plotë të Direktivës së BE-së në ligj, së bashku me të gjithë infrastrukturën përkatëse nënligjore; përfundimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe Planit Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë, të bazuara në situatë reale dhe në një kohë sa më të shpejtë; bashkërendimin e punës që të sigurohet plotësimi i objektivit të BE-së për të arritur në vitin 2020 përdorimin e 38 % të energjisë nga burimet e rinovueshme; të rishikohen prioritet e MEI-t, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve natyrore të burimeve të rinovueshme etj.
Gjithashtu raporti nënvizon se : “Në vendin tonë, vazhdon të ruhet e njëjta strukturë e furnizimit me burime primare energjetike, me një nivel të pamjaftueshëm diversifikimi dhe kapacitet ekzistues gjenerues të pamjaftueshëm për të përballuar kërkesën për energji elektrike. Veç kësaj, Shqipëria ka nënshkruar Traktatin themelues të Komunitetit të Energjisë me Komunitetin Evropian më 25.10.2005 dhe për pasojë është e detyruar për të arritur objektivat e BE-së për energjinë e rinovueshme të ripërtëritshme të energjisë dhe treguesit e objektivave për energji efikase”.
KLSH ndër të tjera ngre edhe pyetjen nëse ka ndërmarrë Qeveria iniciativa/veprime të mjaftueshme për përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, duke përdorur burime të rinovueshme?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.