Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të këtij komisionit, për çështjen e sigurimeve shëndetësore.
I pyetur a do të arrihet që në fund të vitit 2015 të jetë implementuar investimi në shendetësi, ku do bëhen qartazi ndarjet e pacientëve me kartelën specifike, ministri Beqaj u përgjigj se përfundimi i këtij projekti do të jetë në shtator 2016.
“ Do shtrihet në disa spitale, por jo në të gjithë vendin. Një pjesë e barnave u kalua në rimbursim krahasuar me 2013, janë 2.3 % më shumë barna të rimbursuara. Shpërndarja me kartela do sjelli administrim më të mirë, sipas listës së përcaktuar nga spitalet. Çështja e spitaleve, e furnizimit me barna, kurrë nuk mbaron, ka kërkesa, prodhime të reja. Organizata Botërore e Shëndetësise ka deklaruar se barnat e reja të ardhura në treg kanë rritur vetëm 8 % të efektivitetit të shërimit, ndërkohë kur numri i tyre, llojet e barnave janë dyfishuara në treg.”, u shpreh Beqaj.
Më tej, në vijim të diskutimeve Ministri deklaroi se Buxheti 2015 zgjeron bashkëpunimin me spitalet private, edhe në çështjen e sigurimeve.
Ministri ritheksoi edhe njëherë se ka mungesa në të gjithë nivelet e shërbimeve shëndetësore, “QSUT ka nevojë për 110 milion dollar që të arrijë nivelet e duhura”, u shpreh ministri.
Ndërsa, deklaroi se në vitin 2016 do mbarojë programi për urgjencat, me asistencë teknike nga USAID.
Sipas nenit nr.4, të pr.ligjit për Buxhetin e vitit 2015, Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2015 është:
Të ardhurat, gjithsej 35 014 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet dhe të tjera 8 801 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 26 213 milionë lekë;
Shpenzimet 35 014 milionë lekë.
Ndërsa buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, do të jetë 6 % më i lartë krahasuar me një vit më parë, rreth 41,23 miliard lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.