Autoriteti Konkurrencës detyron kompanitë të vënë në funksionim programin Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes; Ofrimin e shoqërisë së sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit; Të lidhin marrëveshje me më shumë se 1 shoqëri brokerimi; shtypjen dhe tregtimi i policave të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje….
Komisioni i Konkurrencës, njofton se në mbledhjen e tij të datës 30.07.2014, shqyrtoi raportin e hetimit të thelluar në tregun sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta” dhe pretendimet e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e sigurimeve të paraqitura në seancat dëgjimore të datave 22 dhe 23 korrik 2014 dhe/ose depozituar me shkrim pranë Autoritetit të Konkurrencës.
Pas monitorimit dhe hetimit paraprak Komisioni me anë të Vendimit Nr. 310, datë 31.03.2014 kishte vendosur për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ndaj 9 ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg.
Për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin, janë kryer inspektimet e nevojshme pranë ndërmarrjeve nën hetim dhe janë administruar informacione nga të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe agjentet e tyre, Star Broker dhe broker të tjerë të licencuar, Byroja Shqiptare e Sigurimeve (BSSH) si dhe AMF në cilësinë e autoritetit rregullator të tregut.
Nga procedurat hetimore rezultoi se sjellja e ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës, gjatë periudhës objekt hetimi bie në kundërshtim me principet e konkurrencës të lirë dhe efektive në treg, sepse përcaktimi i tarifave të sigurimit dhe pjesëve të tregut duhet të bëhet në mënyrë individuale dhe të pavarur mes ndërmarrjeve objekt hetimi.
Shoqëritë e sigurimit paraqitën angazhimet e tyre sipas nenit 45/2 të ligjit duke konfirmuar se ka filluar testimi i sistemit të individualizuar të sigurimit të detyrueshëm Bonus Malus dhe ky testim do të përfundojë në 22 gusht 2014 për tu bërë funksional për tregun.
Shoqëritë e sigurimit në përgjithësi angazhohen se pagesa e dëmeve do të bëhet sipas shoqërive ku është siguruar mjeti motorik, i cili parashikohet edhe në Ligjin 10076 datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” duke nxitur konkurrencën jo vetëm te tarifa e ofruar por edhe mbi pagesën e dëmeve për produktin e siguruar që është dhe qëllimi kryesor i çdo blerje të riskut nga shoqëria e sigurimit te i siguruari.
Komisioni i Konkurrencës e ka vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme sjelljen në bllok të shoqërive të sigurimit me pasojë rritjen e çmimit dhe mungesën e zgjedhjes konsumatore për shoqërinë e sigurimit në kundërshtim me parimet e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe është shprehur me vendimet nr. 50 dt. 21.3.20072007 dhe 246, datë 09.10.2012 lidhur me vendosjen e gjobave të rënda ndaj shoqërive të sigurimeve dhe dhënies së rekomandimeve për AMF-në (vendimet e Komisionit të Konkurrencës nr. 28, dt. 23.12.2005, nr. 49 dt. 21.3.2007, nr. 247, datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL)”).
Si konkluzion, në zbatim të qëllimit të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” për përcaktimin e sjelljes së ndërmarrjeve për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në treg, Komisoni i Konkurrencës gjykon se sjellja e ndërmarrjeve në treg bie në kundërshtim me parimet e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg duke rritur në masë të njëjtë dhe fiksuar për një periudhë tre ditore primet e shitjes së produktit MTPL, si dhe duke përdorur sistemin e shitjeve të përqendruara nëpërmjet Star Broker për të ruajtur pjesët e tregut. Për të patur një efekt real në ndërhyrjen në këtë treg, bazuar në nenin 45/2 të ligjit, Komisioni i Konkurrencës shprehet me kushte dhe detyrime, për të gjitha ndërmarrjet objekt hetimi, si instrument për rivendosjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Kushtet dhe detyrimet e vendosur nga Autoriteti
Komisioni i Konkurrencës mori vendimin me masa dhe detyrime sipas nenit 45/2 të ligjit duke kërkuar nga shoqëritë e sigurimit duhet të përmbushin brenda 90 ditëve nga marrja e këtij vendimi kushtet dhe detyrimet si vijon:
a) Vënien në funksionim të programit Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes;
b) Ofrimi i shoqërisë së sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit. Në sistemin e ofruar nga shoqëritë e brokerimit dhe agjentët e shoqërive të sigurimit duhet të shfaqen në kohë reale logot e të gjitha shoqërive të sigurimit me te cilat agjenti ose brokeri kanë marrëveshje për tregtimin e policës së sigurimit të detyrueshëm motorik;
c) Të zbatojnë parashikimin ligjor për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë;
d) Të lidhin marrëveshje me më shumë se 1 shoqëri brokerimi sipas kritereve të parashikuara nga AMF-ja lidhur me sistemin online të sigurimeve të detyrueshme dhe sistemit bankar për pagesat sipas legjislacionit ne fuqi;
e) Shtypja dhe tregtimi i policave të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje;
Mospërmbushja e këtyre kushteve dhe detyrimeve sipas nenit 45/2 të ligjit do të sjellë si pasojë vendosjen e masës së gjobës për shkelje të rënda deri në 10 për qind të xhiros sipas nenit 74, pika 1, germa c e Ligjit.
Gjithashtu Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare marrjen e masave rregullatore për vendosjen e tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta në kushtet e funksionimit eficent duke siguruar konkurrencën mes shoqërive të sigurimit nëpërmjet marrjes së masave si vijon:
1.1. Nëpërmjet miratimit të akteve nënligjore të bëjë të zbatueshëm parashikimin ligjor për trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejteperdrejte sipas parashikimeve të ligjit 10076, date 12.02.2009, “Per sigurimin e detyrueshem ne sektorin e transportit”, ku përcaktohen se “siguruesit mund te lidhin marreveshje ndermjet tyre, sipas te cilave kerkesa per demshperblim, qe lidhet me demin e shkaktuar nga perdorimi i nje mjeti motorik ndaj nje mjeti tjeter motorik, mund te trajtohet nga siguruesi i drejtperdrejte pronarit te mjetit motorik te demtuar “.
1.2. Të mos unfikojë primin e rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për të gjitha shoqëritë por pas aplikimit të primit të riskut sipas shoqërive të sigurimit të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas portofolit të shoqërive të sigurimit, karakteristikave të produkteve dhe strukturës së sigurimeve për çdo shoqëri sigurimi;
1.3. Të informojë Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë periodike mbi vënien në funksionim të projektit Bonus-Malus deri në realizimin e plotë të projektit për individualizimin e primit të riskut sipas historikut të dëmeve të të siguruiarit, moshës së drejtuesit te automjeteve, vendbanimi dhe fuqia motorike e automjetit etj.
1.4. Të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës në kuadër të projektit të asistencës me Bankën Botërore për rishikimin e kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL
1.5. Të publikojë raportin dhe të dhënat financiare të shoqërive të sigurimit për të mundësuar konkurrencën e ndershme në tregun e sigurimeve mbështetur në Udhëzimin “Mbi rregullat e publikimit të të dhënave të shoqërive të sigurimit, shoqërive të brokerimit në kuadrin e transparencës ndaj publikut dhe mbrojtjen konsumatorë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.