EKMA Albania, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është renditur këtë vit si kompania me normë më të lartë fitimi në vend, prej 76.1%, në nivele të ngjashme me vitin e kaluar. Në vlerë absolute, fitimet ishin 380 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 5.3%. EKMA Albania administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit. Në fillim të shtatorit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetim të thelluar ndaj EKMA Albania, për abuzim me konkurrencën në këtë treg, pasi çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në këtë zonë dhe nga ana tjetër, tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira.
Në vend të dytë është APEX, me aktivitet lojërat e fatit, që renditet dhe ndër 10 më të mëdhatë nga fitimi absolut. Norma e kthimit të APEX ishte 70% në 2017-n.
Dy HEC-e me koncesion, Euron Energy dhe Alb-Energy renditen ndër subjektet me normë më të lartë përfitueshmërie, prej përkatësisht 69 dhe 60%. Por, aktorët e tregut pohojnë se në përgjithësi, në biznesin e hidrocentraleve, norma e fitimit arrin në maksimumi 30%, për shkak të kostove të administrimit të biznesit. Për më tepër, ky lloj biznesi është i varur nga kapriçot e natyrës dhe viti 2017, i thatë, nuk ka qenë shumë favorizues.
Universiteti Aldent renditet në vend të pestë, me një normë prej 50% dhe fitime në vlerë absolute prej 220 milionë lekësh.
Koncesioni i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tirana International Airport, renditet edhe në këtë listë, me një normë prej 47%.
Një tjetër operator i lojërave të fatit, VLT Albania është mes dhjetë më fitimprurësve, me një normë kthimi prej 45%.
Renditjen e vijon EGI-K, me aktivitet në shfrytëzimin e mineralit të kromit në objektin Galeria B, Zona D” në Bulqizë.
Qendra tregtare Tirana East Gate, pjesë e grupit Balfin, ka hyrë në dhjetëshen e subjekteve që kanë norma fitimi më të larta. Me një kthim prej 45%, nga 35% që ishte vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 514 milionë lekë.
Qendra Tregtare Univers (QTU), po pjesë e grupit Balfin, e cila vitin e kaluar ishte sipërmarrja me normë fitimi më të lartë prej 77%, ka dalë nga lista, teksa ky tregues zbriti në 45% dhe të ardhurat dhe fitimi u ulën përkatësisht me 5% dhe 47%. Këtë vit, qendra ka investuar në dyfishimin e sipërfaqes, përmes ngritjes së katit të dytë.
Në listën e më fitimprurësve janë bankat (BKT është e para me normë 44%, Raiffeisen 42%, Banka e Parë e Investimeve me 39%).
NAZERI – 2000, me aktivitet në sigurinë fizike, kishte një kthim prej 37%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.