Kongresi amerikan ka miratuar marrëveshjen për heqjen e kufirit të huamarrjes së vendit, disa ditë përpara se ekonomia më e madhe në botë, të mos ishte e aftë të paguante borxhin e saj.
Masa dypartiake, u përshpejtua në Senat me një votim 63-36, një ditë pasi u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.
Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta miratojë masën.
Nënshkrimi i tij dhe miratimi i ligjit, do ta mbrojë SHBA-në nga mospagimi katastrofik i borxhit prej 31.4 trilion dollarësh.
Vendi parashikohet të kapërcejë tavanin aktual të borxhit ditën e hënë, më 5 qershor.
Mospagimi do të kufizonte aftësinë e qeverisë për të marrë hua më shumë para, ose për të paguar të gjitha faturat e saj. Ai gjithashtu do të kërcënonte të shkaktonte shumë probleme në vendet e tjera, duke ndikuar në çmimet dhe normat e hipotekave në shumë shtete.
Projektligji kaloi me mbështetjen e 44 demokratëve dhe 17 republikanëve, plus dy deputetëve të pavarur.
Gjashtëdhjetë vota u kërkuan për të miratuar masën, në një dhomë me 100 vende, që demokratët e kontrollojnë me një diferencë të ngushtë.
31 republikanë ishin kundër, duke përfshirë një anëtar të udhëheqjes së partisë në dhomë, John Barrasso.
Midis katër demokratëve, që votuan kundër, ishin senatorët e krahut të majtë Bernie Sanders, John Fetterman dhe Elizabeth Warren.
Senatorët fillimisht propozuan 11 amendamente për projektligjin e tavanit të borxhit, por ato u refuzuan të gjitha me rend të shpejtë, duke hapur rrugën për votimin përfundimtar.
Nëse një prej amendamenteve do të kishte kaluar, i gjithë projektligji do të duhej të kthehej përsëri në Dhomën e Përfaqësuesve, duke lënë pak kohë për të siguruar kalimin përfundimtar të masës, përpara se SHBA të binte nga një shkëmb fiskal.
“Amerika mund të marrë një psherëtimë lehtësimi, sepse në këtë proces ne po shmangim falimentimin,” i tha Senatit udhëheqësi i shumicës demokratike, Chuck Schumer.
Në një shfaqje të rrallë mbështetjeje dypartiake, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell u tha gazetarëve se do të ishte “krenar ta mbështeste atë pa vonesë”.
Marrëveshja u miratua lehtësisht nga Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën në mbrëmje, me një votim 314-117. Rreth 165 demokratë iu bashkuan 149 republikanëve.
Me republikanët që kontrollojnë dhomën e ulët të Kongresit, dhe demokratët që kanë pushtet në Senat dhe Shtëpinë e Bardhë, marrëveshja rezultoi e paarritshme për javë të tëra, derisa zoti Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, nënshkruan një kompromis fundjavën e kaluar.
Marrëveshja pezullon tavanin e borxhit, kufirin e shpenzimeve të vendosur nga Kongresi, që përcakton se sa para mund të marrë hua qeveria, deri më 1 janar 2025.
Legjislacioni do të rezultojë në 1.5 trilion dollarë kursime gjatë një dekade, tha të martën Zyra e pavarur e Buxhetit të Kongresit.
Herën e fundit, që SHBA iu afrua kaq afër kapërcimit të tavanit të borxhit, në vitin 2011, agjencia e kreditit Standard & Poor’s uli vlerësimin e vendit, ndryshim i cili vazhdon edhe sot.
Përpara votimit të Senatit, tregjet e aksioneve amerikane shënuan fitime; Dow që u mbyll 0.5% më lart. Indeksi më i gjerë S&P 500 u rrit me 1% dhe Nasdaq, për teknologjinë, e mbylli ditën 1.3% më lart. / BBC