Viti 2012 shënon zhvillime interesante, në dukje pozitive për kompanitë dhe konsumatorët. Si kanë ndryshuar raportet, të ardhurat, sa flasim dhe problemet e konkurrencës
Afro 13 vjet nga ofrimi i shërbimit të telefonisë celulare, tregu ka pësuar ndryshime radikale. Në fillim ishin dy kompani, të cilat “bashkëjetuan” gjatë me njëra-tjetrën, më pas, në 2009-n u fut në treg një tjetër operator, me fillimin e operacioneve të telefonisë mobile nga Albtelecom-i i privatizuar tashmë, ndërsa në 2010 u licencua nga AKEP një i katërt. Natyrshëm, konkurrenca është bërë më e fortë, ku për 300 lekë mund të flasësh me qindra minuta, me 1,000 lekë me mijëra minuta dhe me anë të ofertave arrin të blesh një celular ‘smartphone’ për 12-13 mijë lekë. Të dhënat e fundit për vitin 2012 tregojnë se mesatarisht çdo shqiptar posedon të paktën nga dy numra celular, ndërsa volumi i komunikimeve ka pësuar rritje të ndjeshme.
Pavarësisht agresivitetit me ofertat, tregu i kompanive celulare mori një kthesë pozitive sa i takon të ardhurave, duke shënuar rritje me afro 10 për qind në raport me 2011, duke kthyer ritmin rënës për herë të parë që nga viti 2008.
Sipas vlerësimeve të Monitor, nisur nga informacione nga burime të ndryshme, katër kompanitë celulare gjeruan shitje prej rreth 42.3 miliardë lekë përgjatë 2012-s, ose 3.7 miliardë lekë më tepër se viti 2011.
Në dukje, krijohet bindja se numri në rritje i përdoruesve me 7 për qind apo i bisedave me 17 për qind kanë ndikuar në krijimin e të ardhurave më të larta për kompanitë celulare, sjellje jo normale kjo e një tregu konkurrent. Edhe në vitet 2009-2011, tregu pësoi rritje të përdoruesve, por të ardhurat janë tkurrur mesatarisht me 3-5% me bazë vjetore.
Atëherë çfarë ka ndodhur? Duke analizuar bilancet e kompanive, të dhënat e raportuara nga AKEP dhe ato të siguruara nga “Monitor” vihet re se, rritja e tregut ka ndodhur kryesisht si rezultat i ndryshimit të çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare, i cili mbahet në nivele rreth 20 cent për minutë nga rreth 6 cent për minutë që ishte përpara liberalizimit (mars 2012) .
Duke parë grafikun e të ardhurave në mënyrë progresive, pas tremujorit të parë 2012, rritja për kompanitë celulare është me 18 për qind, duke vijuar me këtë ritëm deri në fund të vitit.
Nëse shikojmë shifrat e afarizmit, të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e parë 2012, kemi rënie me 10 për qind, në raport me të njëjtën periudhë 2011, kur tarifat e terminimit për thirrjet ndërkombëtare ishin rreth 6 cent për minutë. Kjo rënie konstatohet edhe në periudhat e mëparshme, ku tremujorët regjistronin tkurrje të njëpasnjëshme të shifrës së afarizmit.
Në tremujorin e dytë dhe të tretë të 2012-s, në raport me të njëjtat periudha për 2011-n kemi rritje me respektivisht me 8.9 për qind dhe 18.9 për qind. (të dhënat për tremujorin e katërt nuk janë akoma disponibël). Pra, të dhënat tregojnë se tregu i brendshëm nuk ka pasur rritje, përkundrazi ka shënuar tendencë negative, por rritja e volumit të përgjithshëm të raportuar ka ardhur si rezultat i ngritjes së çmimit të tarifave të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, pas liberalizimit të tij nga AKEP.
Ndikimi i ndryshimit të tarifave të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare duket edhe në grafikun “Pjesët e tregut të operatorëve celularë, sipas tremujorëve 2012, interkoneksion, roaming:, ku konstatohet një rritje e ndjeshme e pjesës së tregut të Vodafone (operatori që ka arritur të rrisë pozitën e tij dominuese në treg në 2012-n) në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit.
Tregu, kush ngjitet dhe bie
Përtej shifrës totale të të ardhurave, gara mes katër kompanive celulare po bëhet më e ashpër. Kompani si AMC, dikur lider, po humbin terren në raport me të tjerët dhe e fundit që hyri në treg, kurse PLUS po rrit peshën e tij me ritme të qëndrueshme.
Pavarësisht konkurrencës, kompania “Vodafone” konfirmon dominimin në treg, ku nga 46.8 për qind të totalit të tregut sipas të ardhurave në 2010-n, në 2012-n pesha e saj është rritur në 54.7 për qind. AMC zë 31.6 për qind të tregut, nga 40.7 për qind në 2010.
Kompania, e cila hyri e treta në treg, “Eagle Mobile” zë 9.4 për qind të tregut në fund të 2012-s, nga 12.5 për qind të vitit 2010.
Kompania PLUS hyri në vitin e dytë të plotë të operimit në treg, ndërsa pesha e saj në sektor, sipas të ardhurave, arriti në 4.3% në fund të 2012-s.
Duke gjykuar sipas shitjeve të kompanive të raportuara sipas tremujorëve, Vodafone ka arritur që të rrisë ndjeshëm peshën e tij në treg, në tremujorin e katërt të vitit, duke arritur në gati 58% të totalit. Pas një ecurie të mirë në tremujorin e parë, AMC rezulton të ketë lëshuar terren.
Eagle Mobile është ulur në tremujorin e dytë dhe të tretë, për ta marrë sërish veten në tre muajt e fundit të vitit.
Plus e ka arritur performancën e tij më të mirë në tremujorin e tretë dhe ka lëshuar pak terren në të fundit.
Të ndara sipas llojit të përdoruesve, Vodafone dominon në tregun e abonentëve me parapagesë, duke zënë mesatarisht 57% të tij, sipas të ardhurave. Ky është dhe segmenti ku konkurrenca është më e madhe, për shkak se sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, mbi 90% e numrit të abonentëve në vend janë me parapagesë dhe të ardhurat nga ky segment zënë gati 90% të të ardhurave totale të tregut.
Në segmentin e kontratës, tregu është më i diversifikuar, ku pesha e Vodafone bie në 40% dhe operatorët e vegjël kanë arritur që të fitojnë më shumë terren. Ofertat e planeve tarifore kanë bërë që një pjesë e mirë e klientëve të këtij segmenti të portohet tek operatorë të rinj që kanë edhe planet më agresive ndaj klientëve të këtij segmenti. Një fenomen që vërehet gjithmonë e më shumë në këtë segment është shoqërimi i ofertave të planeve tarifore me oferta gjeneroze në aparate telefonash celulare, e praktikuar sidomos nga Vodafone apo AMC për të mbrojtur bazën e tyre të klientelës me paspagesë. Gjithsesi, me sa mund të gjykohet nga ecuria e këtij segmenti duket sikur planet tarifore më të mira janë faktori më i rëndësishëm në zgjedhjen e klientit e kjo iu ka dhënë një hapësirë më të madhe operatorëve më të rinj në treg, që në fund të vitit kishin arritur respektivisht 16% e 12% të tregut të klientëve me paspagesë.
Ecuria e kompanive
Vodafone, rritje e pandalshme. Dominant?
Vodafone shënoi një rritje të shitjeve me 17 për qind, ndërsa në total siguroi në 2012-n rreth 23.2 miliardë lekë. Kompania është dominante dhe në një trend rritës në segmentin e parapagesës deri në masën që ka shqetësuar konkurrentët aq sa të ankohen në Autoritetin e Konkurrencës për këtë dominim. Si rrjedhoje e këtij dominimi në numrin e abonentëve me parapagesë, edhe rritja e tarifës së terminimit të thirrjeve ndërkombëtare (tarifa , që paguajnë operatorët e huaj për thirrjet që hyjnë në Shqipëri, u rrit nga 6 cent në 20 cent, pas liberalizimit të tyre nga AKEP) ka sjellë një shtim të ndjeshëm të xhiros totale të realizuar në 2012-n.
Në tregun e paspagesës duket që Vodafone të jetë me vulnerabël ndaj ofertave të operatoreve të tjerë dhe realisht ka lëshuar pjesë të tregut gjatë këtij viti. Por, për sa kohë totali i volumit të biznesit është në një rritje dyshifrore, kjo nuk duket ta shqetësojë shumë liderin e tregut, pasi kjo është vetëm një pjesë e vogël e totalit të biznesit në tregun e telefonisë celulare në vend.
AMC arrin të ruajë nivelin e 2011-s. Po rinovimi i licencës?
Pas rënies në dy vitet e mëparshme, AMC ha hyrë në vitin e fundit të licencës së saj me një trend relativisht të qëndrueshëm. (ne fakt licenca GSM e AMC skadon gjatë 2014-s) Ndonëse shitjet me parapagesë dhe kontratë rezultojnë të kenë qenë në ulje, rritja e tarifave të terminimit për thirrjet ndërkombëtare ka arritur që të kompensojë në totalin e shitjeve. Në total, AMC realizoi të ardhura prej rreth 13.4 miliardë lekë, sipas të dhënave të siguruara nga Monitor, me një rritje prej 1.2% me bazë vjetore.
AMC, si do rinovohet licenca e GSM?
Grupi Cosmote bleu 85% të aksioneve të AMC-së në gusht të vitit 2000 për 85.6 milionë dollarë, me një afat licence 15 vjeçare.
Cosmote, pjese e grupit Deutsche Telecom – OTE, në muajin prill 2009 mbylli blerjen e 12.5% të aksioneve të AMC nga qeveria shqiptare, për 48.2 milion euro. Me këtë blerje, Cosmote e çoi pjesëmarrjen në AMC në masën 97.5% të totalit të aksioneve. AMC ka qenë gjatë gjithë periudhës së operimit të saj në Shqipëri një nga kompanitë më të suksesshme të grupit Cosmote duke pasur nga treguesit më të lartë të EBITDA (fitimet para interesave, taksave zhvlerësimit dhe amortizimit) jo vetëm brenda grupit Cosmote, por edhe në raport me operatorët mobilë në rajon e më gjerë.
Tashmë afatit të licencës GSM së AMC-së po i vjen fundi. Është hera e parë që ndodh që licenca e një operatori shkon drejt përfundimit. Ende nuk është bërë e qartë nga AKEP se si do të veprohet në këtë rast, përsa u përket frekuencave GSM dhe çmimit të rinovimit të licencës apo të afatit të rinovimit të saj.
Gjithsesi, burime nga AKEP, që nuk duan të identifikohen, flasin për shifra dhe afate vlefshmërie, që përafrohen në nivelin e çmimit që Cosmote pagoi kur privatizoi AMC-në në vitin 1999, për një rinovim me të njëjtin term të Licencës GSM të tyre.
Eagle një vit jo i mirë! A do të funksionojë bashkimi me AlbTelecom?
Për Eagle Mobile, viti 2012 nuk ka qenë aspak interesant. Në fakt, duke u nisur nga shifrat e shitjeve është kompania që ka shënuar ecurinë më negative në treg përgjatë 2012-s, duke humbur si ne shitje ashtu dhe pjesë tregu. Sipas të dhënave të disponuara nga Monitor, totali i të ardhurave të kësaj kompanie arriti në gati 4 miliardë lekë, me një tkurrje prej rreth 17% me bazë vjetore. Nga sa duket edhe nga grafikët, Eagle nuk arriti të çajë në tregun me parapagese, të dominuar nga Vodafone, dhe nuk arriti gjithashtu të ishte konkurruese në tregun me paspagesë, ku ka humbur sidomos në pjesë tregu ndaj operatorit të katërt në treg, Plus.
Plus, rritje në të gjithë treguesit. A mjafton?
Operatori i ri celular ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2012-n prej 143%, megjithëse ky zgjerim niset nga një bazë e vogël.
Ndërsa ky operator është pozicionuar mirë në segmentin e abonentëve me kontratë, nga i cili ka marrë 41% të të ardhurave në 2012-n, duke pasur peshën më të lartë nga të gjithë operatorët e tjerë, nuk ka arritur që të fitojë terren në abonentët me parapagesë për shkak të vështirësisë për të çarë “gardhin” e operatorëve të mëdhenj.
Raporti i AKEP
Sa flasim dhe pesha e kompanive
Çdo Shqiptar ka dy celularë në xhepat e tij, dhe nëse heqim ata nën moshën 10 vjeç dhe ata mbi 80 vjeç, secili prej nesh ka tashmë nga 3 aparate celulare në përdorim!
Numri i përdoruesve celularë u rrit me 7 për qind në vitin 2012, ndërsa numri i pajtimtarëve aktivë (pra që e kanë përdorur në tre muajt e fundit) është rritur me 14 për qind, në krahasim me vitin 2011, bëhet e ditur në raportin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2012. Gjithsej në treg janë 5.6 milionë karta SIM, ku 3.5 milionë janë aktive, penetrimi i telefonisë celulare ka arritur në 198 për qind.
Çdo Shqiptar ka dy celularë në xhepat e tij, dhe nëse heqim ata nën moshën 10 vjeç dhe ata mbi 80 vjeç, secili prej nesh ka tashmë nga 3 aparate celulare në përdorim!
AKEP gjykon se ndryshimi në vlerat e mësipërme ndodh për shkak se në shifrën e numrit të kartave SIM ka një numër të konsiderueshëm pajtimtarësh me përdorim sezonal, si p.sh emigrantët, turistët, etj, por gjithsesi, kjo nuk shpjegon rritjen nga viti në vit të kësaj shifre, pasi në përgjithësi emigrantët që vijnë në atdhe janë të njëjtët dhe përdorin kryesisht kartën SIM të bartur prej një udhëtimi të mëparshëm.
Shpjegimi më i besueshëm i kësaj shifre çuditërisht të lartë është se abonentët (sidomos ata më të ndjeshëm ndaj kostos) përdorin nga një aparat celular për një operator, duke evituar thirrjet nga një operator në tjetrin, të cilat janë me dhjetëra herë më të larta se ato të komunikimit brenda operatorit.
AKEP paraqet të dhënat mes katër operatorëve duke nisur nga viti 2010, për të bërë krahasimet e nevojshme nga ku rezultojnë trende të ndryshme. Te numri i përdoruesve aktivë, rritjen më të madhe e kishte AMC me 22 për qind, kurse rritjen më të vogël e kishte “Eagle Mobile” me 5 për qind.
Përdoruesit aktivë përbëjnë 63 për qind të kartave SIM, ku përqindjen më të madhe të këtij treguesi e kanë AMC dhe “Vodafone”, respektivisht me 75 dhe 74 për qind, ndërsa më të ulëtën e ka “Eagle Mobile” me 31 për qind.
AKEP thekson se përdoruesit me kontratë zënë 10 për qind të numrit total të përdoruesve të matur me karta SIM, ku vlerën më të madhe të këtij treguesi e ka PLUS me 28 për qind, ndërsa më të ulëtin “Vodafone” me 5 për qind.
Gjatë vitit 2012, thirrjet dalëse të përdoruesve celularë u rritën me 24 për qind, një normë më e madhe e rritjes vjetore të 2011, me 17 për qind që ishte një vit më parë. Rritjen më të madhe, sipas AKEP e ka patur PLUS me 66 për qind dhe rritjen më të vogël e kishte “Eagle” me 6 për qind.
Thirrjet brenda rrjetit përbëjnë 93 për qind të totalit të thirrjeve dalëse duke vazhduar tendencën e viteve të fundit dhe përdorimin e madh të paketave tarifore me tarifa shumë të ulëta për thirrjet brenda grupit. Pesha e këtyre thirrjeve varion nga 80 për qind te PLUS në 95 për qind te “Vodafone”. Viti 2012 shënoi rritjen më madhe, me 94 për qind të numrit të SMS-ve të dërguara, në raport me 2011.
Terminimi i thirrjeve hyrëse nga rrjetet e tjera në vitin 2012 u rrit me 7 për qind, ku PLUS ka rritjen më madhe me 168 për qind ndërsa AMC dhe “Eagle Mobile” janë në rënie me nga 14 dhe 13 për qind, kurse “Vodafone” ka rritje me 6 për qind.
Konsumi i thirrjeve është rritur mesatarisht me 9-12 për qind, e matur me përdorues të kartave SIM, dhe 14-17 për qind e matur sipas përdoruesve aktive. Pra, shqiptarët kanë folur më tepër në raport me 2011-n. gjithashtu, është rritur ndjeshëm edhe përdorimi i SMS-ve, me 75-83 për qind.
Në vitin 2012, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 93 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 103 minuta thirrje hyrëse, pra në total rezulton me 195 minuta komunikim në muaj dhe ka dërguar 21 SMS. Nëse bëjmë vlerësime për përdoruesit aktivë, pra duke zbritur përdoruesit, po themi sezonalë, etj, del se në muaj një konsumator përdor 319 minuta dhe 35 SMS.
Sakaq, gradualisht tarifat kanë pësuar ulje, sipas AKEP, me 8 për qind, në raport me shpenzimet e shportës së OECD. Kompanitë që operojnë në Shqipëria marrin më pak të ardhura në raport me vendet e rajonit. Kështu, e ardhura mesatare për përdorues, e matur si raporti i të ardhurave të operatorëve nga shërbimet me pakicë pa TVSH (pa përfshirë shitjen e aparateve celularë) të operatorëve me numrin mesatar të përdoruesve gjatë një viti, në Shqipëri është për 2011-n ishte 59 euro. Kjo shifër është më e ulët se mesatarja e BE-së, prej 221 euro në vit (Rumania, me 90 euro, ka nivelin më të ulët në BE).
Në vitin 2012, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 93 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 103 minuta thirrje hyrëse, pra në total rezulton me 195 minuta komunikim në muaj dhe ka dërguar 21 SMS
Raporti i ulët te familjet dhe pesha në treg mes operatorëve
Interneti, vetëm 1.5% e celularëve me 3G
Numri i pajtimtarëve me akses broadband fiks dhe celular 3G me karta USB/modem në fund të vitit 2012 arriti në rreth 215 mijë, që përbën një rritje me rreth 24 për qind në krahasim me vitin 2011, thuhet në raportin vjetor të AKEP.
Tregu ka pësuar rritje për shkak të fleksibilitetit të ofertave, por sërish ndodhet larg potencialit, nisur nga nevoja për të transmetuar të dhëna dhe informacione. Shikojmë se, numri i pajtimtarëve me akses broadband me rrjete fikse pati një rritje prej 15 për qind, ku shumica e operatorëve kanë pasur rritje të numrit të pajtimtarëve, përfshirë edhe Albtelekom që pati një rënie në vitin 2011. Ish-gjiganti shtetëror i komunikimeve fikse, në vitin 2012, pati rritje me 11 për qind të numrit të pajtimtarëve broadband. Ndër operatorët alternativë fiks Abcom vazhdon të jetë operatori me numrin më të madh të lidhjeve broadband me rreth 36 mijë në fund të vitit 2012, që përbën një rritje prej 22 për qind nga viti 2011. Rritje të madhe kanë pasur edhe Abissnet dhe ASC, si dy operatorët e tjerë alternativë më të mëdhenj me 16 për qind secili. Si përfundim, nga të dhënat e AKEP, për vitin e kaluar, vetëm 27 për qind e familjeve shqiptare përdorin shërbimin e internetit, normë kjo shumë herë më e ulët se vendet e BE-së.
Pjesët e tregut nuk kanë ndryshime të ndjeshme, në raport me vitin 2011. “Albtelecom” ka humbur pjesë tregu në aksesin broadband fiks nga 43 për qind në 42 për qind (në vitin 2010 kishte pesha zinte 58 për qind).
Shërbimi i internetit 3G ka shënuar në 2012-n vitin e dytë të aktivitetit dhe u ofrua nga dy kompani, “Vodafone” dhe AMC, nga katër që janë gjithsej. Procedura e ndjekur nga AKEP nuk dha mundësi për liberalizim të plotë të këtij shërbimi, ndërsa shifrat konfirmojnë se në 2012, më pak se 10 për qind e përdoruesve celularë kanë akses te 3G-ja.
Konkretisht, sipas AKEP, numri i pajtimtarëve me akses broadband celular 3G me karta USB/modem për përdorim me kompjuter në fund të viti 2012, arriti në 55 mijë nga 34 mijë në fund të 2011, që përbën një rritje me 61 për qind. Pra, nga 3.5 milionë karta SIM aktive, vetëm 1.5 për qind kanë mundësi të përdorin shërbimin 3G!!! Kjo natyrisht lidhet me llojin aparatit celular, por edhe për shkak të tarifave. Me sa duket politika e çmimeve të larta për licencat ka funksionuar në dëm të masivizimit të këtij shërbimi ndaj konsumatorit.
Të dy operatorët celularë Vodafone dhe AMC, kanë pasur rritje të ndjeshme respektivisht me 47 për qind dhe 98 për qind, bën të ditur më tej AKEP. Rritje të madhe me 139 për qind pati edhe numri i përdoruesve me akses broadband 3G nga aparatet celulare, duke arritur në fund të 2012, në 594 mijë nga 248 mijë në fund të 2011. Numri i përdoruesve celulare që përdorin internetin GPRS/EDGE në 2012 arriti në rreth 1,4 milion nga 1,2 milion në 2011, që përbën një rritje me 15 për qind.
Së fundmi, shërbimin 3G ka nisur ta ofrojë edhe “Eagle Mobile”, ndërsa në proces pritet të jepet edhe licenca e katërt, për ta plotësuar më tej tregun. AKEP, për dy licencat e para ofroi çmimin prej 12.5 milionë euro në kundërshtim me parimet e konkurrencës dhe të kërkesave të vetë operatorëve celular. Licenca e parë u shit për 31 milionë euro, e dyta, një vit pas të parës, për afro 15 milionë euro dhe e treta rreth 1 vit e gjysmë pas të dytës me një çmim 4 milionë euro.
SHIFRAT E SEKTORIT
-1.4 milionë është numri i përdoruesve të internetit nga celulari (+15%) (EDGE e GPRS)
-200 mijë është numri i familjeve që kanë akses interneti nga linje fikse (27% e totalit)
-311 mijë janë përdoruesit e telefonisë fikse, 27 mijë më pak se 2011-a
-5.6 milionë është numri i përdoruesve të telefonisë celulare (7% rritje)
Sa pak abonentë fiks
Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2012 pati rënien me 27 mijë apo me 8 për qind, për shkak të reduktimit të numrit të abonentëve nga “Albtelecom” me rreth 29 mijë numra. Sa i takon operative alternativë, nuk ka pasur ndryshime të ndjeshme, raporton AKEP. Autoriteti evidenton faktin se, tendenca në ulje e numrit të përdoruesve të telefonisë fikse duket se po ndjek trendin e vendeve të BE-së, megjithatë norma e penetrimit të telefonisë fikse në Shqipëri është 11 për qind, kurse në BE është 40 për qind. ABCom dhe Nisatel janë dy operatorët alternativë me rritjen më të madhe në 2012, me 21 dhe 11 për qind, ndërsa Primo Com ështëe operatori me uljen më të madhe.
Portabiliteti i numrave
Në vitin 2012, portabliteti i numrit celular dëshmoi se ishte i nevojshëm, për të nxitur sadopak konkurrencën mes kompanive. Sasia e numrave të celularëve të mbartur në vitin 2012, ka qenë rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me një vit më parë dhe ka arritur në shifrën e 136998 në total. “Rritja e konkurrencës efektive ka bërë që në treg të vazhdojnë të hidhen oferta dhe plane tarifore me përfitim për konsumatorin”, thotë AKEP, duke shtuar se, numri i përdoruesve të cilat kanë përfituar nga planet e reja tarifore është disa herë më i madh se numri i bartjeve.
Hetimi, presim Autoritetin e Konkurrencës për të ndërhyrë në treg
Pirro Xhixho, kryetar i AKEP i përgjigjet pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, lidhur me hetimin e Autoritetit të Konkurrencës për pozita dominuese në tregun e telefonisë celulare…
Off (thirrjet jashtë rrjetit) dhe on-net (thirrjet brenda rrjetit) janë shërbime që i ofrojnë të gjithë dhe klientela është në situatën ku shumë oferta që jepen janë on-net. Problemi që ngrihet ka shkuar tek Autoriteti i Konkurrencës dhe ne presim rezultatet që do të japë ai. Në kuadrin e analizave të tregut, ne kemi bërë disa ndërhyrje, që kanë lidhje me asimetrinë e trafikut hyrës dhe atij dalës, ku operatorët që kanë hyrë më vonë në treg kanë asimetri më të madhe, në krahasim me dy operatorët e mëdhenj. Në bazë të teknikave rregullatore, stimulojmë mundësinë e thirrjeve drejt këtyre operatorëve që ata të marrin një të ardhur më të madhe. Kështu që ne do të presim përgjigjen që do të na sjellë konkurrenca. Në bazë të efektit që do të vijë nga vendimi i tyre, në qoftë se do të ketë shqetësim që do të shfaqet në nivel konkurrence, do të shikojmë nëse do duhet të marrim parasysh ndonjë gjë. Ne parashikojmë që në analizën e ndryshimeve që do të bëjmë në shtator për terminimet e celularëve, të kemi parasysh që mund të rishikojmë një situatë më favorizuese për operatorët që janë në nivelet më të ulëta të tregut. Ne nuk mund të ndërhyjmë pa marrë të dhënat e konkurrencës. Do të marrim vendimin e këtij institucioni dhe, në qoftë se shohim se ka gjëra që konkurrenca i nxjerr problematike, përveç asaj që ne gjykojmë se do të ndërmarrim në shtator, do të ndërhyjmë.
Në kuadrin e elementeve rregullatorë, ne do të rishikojmë dy gjëra në shtator që lidhen me koston e terminimeve, do të mbajmë atë ritëm dhe asimetrinë me dy operatorët e fundit, do të ruajmë atë që është parashikuar deri tani, që në vitin 2014 shkon drejt zeros, ose mban operatorin e fundit në një asimetri të distancuar.
Në qoftë se nga konkurrenca do të vijë diçka, do të na vërë, si të thuash, një detyrim më shumë. Në qoftë se konkurrenca nuk do të ketë diçka, ne, në vlerësimin tonë, kemi parashikuar një rishikim të mundshëm të kësaj situate për asimetrinë, që është edhe në kuadër të kësaj që thoni juve.
Eduard Shalsi, komisioni i Veprimatrisë prodhuese:
Kompanitë po veprojnë si “ishuj”
Në Autoritetin e Konkurrencës është paraqitur një kërkesë në lidhje me diferencën e tarifave “on net, off net”. Pra e tarifave që harxhojnë kompanitë për thirrjet brenda rrjetit të tyre dhe thirrjet nga rrjetet e tjera. Tregu në Shqipëri ka evoluar dhe nga 40% thirrje midis operatorëve të ndryshëm, tashmë kemi 5% ose maksimumi 7%, ndërkohë që të gjitha thirrjet e tjera janë brenda të njëjtëve operatorë. Sipas disa kompanive, aludohet që mungon një politikë rregullatore, e cila të lejojë një konkurrencë të ndershme. Pra, operatorët privatë në Shqipëri në këto momente po veprojnë si ishuj të vegjël, të izoluar dhe ndërveprimi është reduktuar.
Në një analizë të operatorëve në BE, ka një diferencë mesatare midis çmimit on-net dhe off-net që nuk e tejkalon 10%-in. Në Shqipëri, me sa kuptoj, Autoriteti po heton mbi diskriminim në ofrimin e tarifave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.