Operatorët e shërbimit transportit ndërkombëtar detar në Portin e Vlorës nuk do të mund të ndajnë tregun, duke udhëtuar një ditë njëri e një ditë tjetri, siç po ndodhte deri tani.
Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar vendimin “Për disa masa detyruese në tregun e shërbimit të transportit ndërkombëtar detar në Portin e Vlorës”, sipas të cilit ndalohet ndarja e tregut të shërbimit të transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve nga ndërmarrja “Porti Vlora” SHA. Vendimi gjithashtu përcakton detyrimin e ndërmarrjes “Porti Vlorë” SHA të zbatojë dhe lejojë operimin në kushte të barabarta, të të gjithë operatorëve që operojnë në terminalin e Portit të Vlorës, duke i vendosur ato në gjëndje të favorshme konkurrence, për shërbimin e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve, duke u mundësuar konkurrimin midis tyre brenda së njëjtës ditë.
Vendmi u mor pasi nga evidencat e grumbulluara rezulton se grafiku i vendosur nga “Porti Vlora” SHA, duke alternuar në ditë të ndryshme vetëm me një operator të ndryshëm në treg, kushtëzon funksionimin në mënyrë konkurruese duke ndar tregun e shërbimit të transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve ndërmjet 2 (dy) operatorëve të licencuar, duke mos ua mundësuar konkurrimin midis tyre, brenda së njëjtës ditë.
Sipas autoritetit, si pasojë e kësaj sjelljeje të ndërmarrjes me pozitë dominuese “Porti Vlora” SHA, kemi ulje të konkurrencës midis operatorëve brenda së njëjtës ditë, çka eliminon konkurrimin e çmimeve të shërbimeve, midis operatorëve ndaj konsumatorëve/përfituesve të shërbimeve, me njëri tjetrin, si dhe ndarje të tregut mes tyre, gjë e cila, gjithsesi çon në kufizim të konkurrencës në treg dhe automatikisht me pasoja për konkurrentët dhe përfituesit e shërbimeve.
Hetimi dhe konflikti i kompanive në Portin e Vlorës
Hetimi nga Konkurrenca kishte nisur pasi ndërmarrja “Gerveni Travel” Shpk kkishte paraqitur në mars të këtij viti një ankim ndaj ndërmarrjes “Porti Vlorë” SHA, pasi ky I fundit kërkonte të prishte kontratën ekzistuese midis tyre dhe grafikun e udhëtimit të tragetit të kësaj ndërmarrjeje në Linjën Vlorë – Brindisi, duke vendosur një grafik të ri, i cili e detyron tragetin të udhëtojë një ditë po dhe një ditë jo. Sipas ankuesit, kjo bëhet për të hapur rrugën e futjes së një trageti të ri në këtë linjë, duke i dhënë këtij të fundit automatikisht 50% të tregut.
Në vijim të vlerësimit të ankesës, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Porti Vlorë SHA, në lidhje me arsyet e ndryshimit nga ana e Portit Vlorë të kontratës të tragetit nr.722 prot, datë 30.12.2014, me ndërmarrjen “Trintsea Shipping” LDA si dhe paralelisht ka vënë në dijeni Ministrinë e Transportit dhe të Infrastrukturës në lidhje me këtë ankesë.
Nga takimet e realizuara në Portin e Vlorës, drejtori i Portit Vlora SHA, deklaron se në muajin Mars në Portin e Vlorës ka patur një kërkesë nga një operator tjetër për të operuar në linjën Vlorë – Brindizi. Në zbatim të akteve ligjore, Porti i Vlorës ka lidhur me operatorin e interesuar një “Kontratë për Licencë” në mënyrë që të vazhdojë procedurat dhe hapat e mëtejshme për marrjen e licensës nga organet përkatëse.
Bazuar ne nenin 4 të kontratës “Kushte të tjera të Kontratës” së lidhur, në 30.12.2014, me operatorin “Tintsea Shipping”, Porti i Vlorës i ka bërë një njoftim përfaqësuesit të operatorit ekzistues “Gerveni Travel” në lidhje me mundësinë e ndryshimit të grafikut të lëvizjeve të tragetit.
Nga shkresa e ndërmarrjes “Gerveni Travel” SHPK nr. 08/5 prot., datë 08.05.2015, rezulton se Porti Detar Vlorë SHA me anë të shkresës së tij Nr.184/4 Prot., datë 06.05.2015, njofton ndërmarrjen “Gerveni Travel” SHPK se: duke filluar nga data 10.05.2015, fillon zbatimi i grafikut të ri të përcaktuar nga Porti, i cili i ishte bashkëngjitur edhe asaj shkrese. Referuar grafikut, tragetet “Horizonti” dhe “Red Star” me përfaqësues agjencitë detare “Ruci Line” dhe “Gerveni Travel” do të operojnë një ditë njëri dhe një ditë tjetri. Ky grafik është kundërshtuar nga ndërmarrja “Gerveni Travel” SHPK, me anë të shkresës së saj datë 07.05.2015, drejtuar MTI dhe për dijeni Porti Detar Vlorë SHA dhe Drejtorisë së Përgjithshme Detare, me pretendimin se Porti Vlorë ka kapacitet përpunimi deri në 3 tragete në të njëjtën kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.