Nga Pajtim Melani
Tregu i produkteve farmaceutike në Shqipëri është ndoshta tregu më problematik për sa i përket rregullimit dhe konkurrencës ku çmimet dhe cilësia janë në kahe të kundërta me vendet e zhvilluara. Shqiptarët ankohen sot përgjithësisht për çmime më të larta se në vendet e rajonit dhe BE-së, ndërkohë që shpeshherë porositin ilaçet jashtë Shqipërisë, sepse ato që tregtohen këtu janë jashtë standardit ose afatit të përdorimit. Por, përtej ndjesive të konsumatorit dhe debateve rreth shëndetësisë falas, në këtë shkrim do të trajtojmë industrinë farmaceutike nga ana e kërkesës dhe ofertës për një treg kaq të rregulluar, por që funksionon në mënyrë të çorientuar.
Forumi Botëror i Konkurrencës i 27-28 shkurtit 2014, i mbajtur në Paris, diskutoi një nga çështjet më sensistive të konkurrencës në industrinë farmaceutike. Ky treg ka disa specifika që e veçojnë nga tregjet e tjera, për shkak të specifikave që ka kërkesa dhe oferta për këtë produkt. Ndryshe nga tregjet e të mirave, kërkesa për barna nuk përcaktohet drejtpërsëdrejti nga konsumatori (pacienti), por nga doktorët dhe në këtë mënyrë konsumatori nuk ka mundësi të bëjë zgjedhjen e tij bazuar në çmime më të lira dhe cilësi më të mirë, por si rregull ndjek udhëzimet e doktorit. Këto të fundit, jo në pak raste, kanë “lidhje” me kompanitë farmaceutike dhe kanë një ndikim të konsiderueshëm në konkurrencën apo deformimet e saj në treg.
Pra kërkesa për ilaçe është inelastike dhe konsumatori nuk ka rol në vendimmarrje për produktet konkurrente dhe përcaktimin e çmimit të tyre. Nga ana e ofertës, konkurrenca është e kufizuar për shkak të shkallës së lartë të fuqisë së tregut nga mbajtësit e patentave. Për këto arsye është e kuptueshme që tregu farmaceutik nuk mund të funksionojnë në kushtet e konkurrencës dhe duke shtuar faktin që shumë qeveri e konsiderojnë shëndetin një të mirë publike të domosdoshme (mbizotëron koncepti që pavarësisht nga mundësitë financiare pacienti duhet ta ketë shërbimin farmaceutik), ky treg është i rregulluar. Por pavarësisht rregullimit, tashmë është e pranuar gjerësisht se konkurrenca mund dhe duhet të luajë një rol kryesor në mirëfunksionimin e tregut për më shumë përfitime për pacientët, më shumë zgjedhje, produkte më inovative dhe çmime më të ulëta.
Sigurisht që karakteristikat dhe mënyrat e funksionimit të tregut farmaceutik janë të ndryshme, sipas vendeve dhe shkallës së rregullimit, por një fakt është i pranuar gjerësisht se ky treg bazohet mbi kërkim-zhvillimin dhe për këtë arsye, rregullat e konkurrencës janë më tolerante për shkak të domosdoshmërisë së bashkëpunimit mes kompanive për produktet e reja. Edhe ligji shqiptar i konkurrencës parashikon përjashtimin nga ndalimi të marrëveshjeve të kërkim-zhvillimit, por sigurisht Shqipëria është shumë prapa në garën e inovacionit farmaceutik që ka përfshirë Rusinë, Europën e Bashkuar, Japoninë e SHBA-në, ku dukshëm kjo e fundit e ka fituar këtë garë.
Asimetria e informacionit haset shpesh në industrinë farmaceutike për shkak të marrëdhënieve mes doktorit dhe pacientëve, doktorit dhe prodhuesve/importuesve farmaceutikë dhe është një nga shkaqet kryesore të mosfunksionimit të tregut mbi bazën e kërkesës dhe ofertës.
Por çështja kryesore e rregullimit dhe konkurrencës në këtë treg mbetet çmimi ku ndikimin kryesor e kanë mbajtësit e patentave të cilët kanë parimin e monopolistit për maksimizimin e të ardhurave. Nga ana e kërkesës janë doktorët që vendosin “në emër” të pacientit dhe sigurisht që recetat e tyre shpesh nuk mbajnë parasysh kriteret e çmimit dhe se pacientët nuk e kanë mundësinë të gjykojnë për zëvendësueshmërinë e produktit.
Industria e sotme farmaceutike po vuan paradoksin e “produkteve xhenerike” pas skadimit të patentave, të cilat mundësojnë uljen e çmimit kur produkti prodhohet në mënyrë xhenerike (si rregull patentat për një ilaç zgjasin 10 vite). Por shumë ekonomistë në studimet e tyre kanë konkluduar se ulja e çmimit për produktet xhenerike nuk funksionon dhe nuk ka evidenca se pas përfundimit të së drejtës monopol çmimet ulen. Shumë pacientë dhe doktorë nuk kanë të njëjtën sjellje ndaj produkteve të mbajtësit të markës dhe atij xhenerik duke i lënë çmimet e larta.
Shqipëria
Edhe në Shqipëri, çmimi i barnave në treg është i kontrolluar përmes marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit, që përcaktohen me vendime të qeverisë. Ky kontroll mbi çmimet e banave bëhet më shumë i rëndësishëm edhe për shkak të faktit se një pjesë e barnave, të cilat tregtohen janë të rimbursueshme nga shteti. Çmimi bazohet mbi çmimet CIF të importit dhe mbi bazën e çmimeve të fabrikimit për barnat e prodhuara në vend, të cilat miratohen çdo vit kalendarik nga Komisioni i Çmimit të Barnave.
Si rregull, fabrikuesit, brenda datës 31 tetor të çdo viti, deklarojnë pranë Drejtorisë Farmaceutike, në Ministrinë e Shëndetësisë, çmimet CIF (në euro ose dollarë) për barnat e importit[1] apo çmimet e fabrikimit (në lekë), për barnat e prodhuara në vend. Komisioni i çmimit të barnave, mblidhet një herë në vit, për të shqyrtuar informacionin e paraqitur mbi çmimet dhe e miraton atë brenda datës 5 nëntor të çdo viti. Drejtoria Farmaceutike pranë MSH, e cila harton listën përfundimtare të çmimit të barnave, njofton zyrtarisht Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe institucionet e tjera, të interesuara, si dhe shpall në “Buletinin e Njoftimeve Publike”, brenda datës 5 dhjetor të çdo viti, listën e barnave, me çmimet e miratuara, mbi të cilat do të zbatohen marzhet e tregtimit për vitin pasardhës.
Kufiri maksimal i çmimit të shitjes së barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke llogaritur një marzh deri në 20% mbi koston e prodhimit. Kufiri maksimal i çmimit të shitjes me shumicë të barnave të importuara nga importuesit (depot primare) dhe shpërndarësit farmaceutikë (depot sekondare), për barnat të cilat nuk janë të përfshirë në Listën e Rimbursimit, caktohet duke llogaritur një marzh deri në 18% mbi çmimin CIF, në lekë, të konvertuar sipas kursit mesatar, të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 18% të ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 12.5% dhe 5.5%. Për barnat e Listës së Rimbursuar, aplikohen marzhe të diferencuara, të cilat për tregtimin me shumicë janë përkatësisht, në masën 12%[2].
Kufiri maksimal i çmimit të shitjes me pakicë të barnave (nga farmacitë) është 33% mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik për barnat jashtë listës së rimbursimit dhe për barnat e listës, marzhi i pakicës është 29%.
Sipas llogaritjeve rezultoi se çmimi i barnave pa rimbursim është 56.9% më i lartë se çmimi i blerjes nga firmat prodhuese, kurse çmimi i barnave të Listës së Rimbursimit është 44.5% më i lartë.
Për shkak të mbrojtjes së pacientit, qeveria vendos një çmim maksimal të shitjes me pakicë, por një rregullim për konkurrencën do të ishte vendosja edhe e çmimit minimal në pullën e barit. Në këtë mënyrë farmacistët do të ishin nën presionin e pacientëve pasi do t’ju kërkohej një çmim i ndërmjetëm mes atij minimal dhe maksimal, pasi përndryshe mund të kërkohej produkti në një tjetër farmaci. Me mënyrën e sotme të vendosjes së vetëm të çmimit maksimal nuk nxiten konsumatorët të kërkojnë çmime më të lira dhe farmacistët aplikojnë automatikisht çmimin maksimal. Gjithsesi një rregull tërësor i industrisë së farmaceutikës mbi bazën e parimeve më të mira të publikuara nga OECD në Forumin Botëror të Konkurrencës është imediat.
[1] Sipas Rregullores” Për regjistrimin e barnave në RSH”, faqja 36 në pikën 13 përcaktohet se deklarimi zyrtar i çmimit të shitjes (CIF) të barit në Shqipëri, bëhet nga kompania prodhuese (fabrikuesi) që regjistron barin në Shqipëri .
[2] VKM nr. 521 datë 13.05.2009 “Për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre”, pika 4.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Hallo
Se pari iu pershendes nga Melbourni Austalia.
Deshiroja te dija cmimin e dy barnave ne shqiperi per studime pharacetikore dhe une kam zghell Shqiperin te presentoj ku ndoshta do te jete edhe nje mundesi te hapim edhe vleren tona ketu.
Citalopram dhe Escitalopram (Cipralex ose Lexapro) nese eshte e mundur.
Ju pershendes
Përshëndetje Mira,
Jam student i kimisë në Tiranë, aktualisht po merrem dhe unë me studim të ekstrakteve bimore si veprim medicinal.
Nëse mendon që mund të bashkëpunojmë, të lutem më nis një email në [email protected].
Mirë u dëgjofshim