Konsumi final i popullatës u rrit gjatë vitit 2019 me 3.27 për qind në raport me vitin 2018. Ky ishte niveli më i lartë që nga viti 2013, sipas të dhënave të INSTAT, i nxitur dhe nga ecuria e mirë e sektorit të turizmit. Kjo rritje do të ishte më e lartë nëse nuk do të kishte ndodhur tërmeti i 26 nëntorit, i cili e përgjysmoi konsumin në tremujorin e fundit të vitit.
Nga intervali 3-4 për qind që ishte rritja e konsumit të popullatës në tre tremujorët e parë të vitit 2019, në tremujorin e fundit rritja ishte vetëm 1.64 %. Tremujorët e fundit të vitit zakonisht shoqërohen me rritje të fortë të konsumit për shkak të festave të fund vitit. Por tërmeti i 26 nëntorit shënoi një kthesë të fortë duke shkaktuar një rënie të fortë të konsumit gjatë dhjetorit, sidomos. Kjo ka qenë më e dukshme në qytetet Durrësit dhe Tiranës ku gjenerohet thuajse rreth 60 për qind e PBB -së së vendit.
Banka e Shqipërisë ka analizuar se, rritja e konsumit përgjithësisht në vitin 2019 është mbështetur nga rritja e shpenzimeve në sektorët e shërbimeve (bazuar në të dhënat e vlerës së shtuar nga ana e prodhimit).
Kontributi i dy komponentëve të tjerë të konsumit privat, për mallra konsumi afatshkurtër dhe afatgjatë, vlerësohet se ka mbetur i pandryshuar në krahasim me tremujorin e dytë, bazuar në të dhëna indirekte të indeksit të tregtisë me pakicë.
Nga pikëpamja e faktorëve që mbështesin rritjen e konsumit privat, ecuria e të ardhurave nga punësimi dhe rritja e numrit të punësuarve ka nxitur kryerjen e shpenzimeve konsumatorë. Kjo është reflektuar në përmirësimin e treguesit të ndjesisë ekonomike në tremujorin e tretë.
Gjithashtu, treguesi i besimit konsumator dhe ai në sektorin e shërbimeve mbetën mbi mesataret historike edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, duke përjashtuar tremujorin e fundit për shkak të ndikimit negativ të tërmetit të 26 nëntorit.
Financimi i konsumit privat ka vijuar të mbështetet nga rritja e fluksit hyrës të remitancave. Kushtet financiare gjithashtu vijuan të nxisin përshpejtimin e konsumit dhe kontributin e tij në zgjerimin e kërkesës agregate.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.