Po mendoheni për t’u rikthyer në punën në zyrë? Hidhuni një sy këtyre studimeve fillimisht.
Ndërkohë që shefat kudo po gjykojnë nëse duhet t’i kthejnë punonjësit e tyre në zyrë apo jo, si dhe kur duhet ta bëjnë këtë, një ide vijon të shfaqet vazhdimisht. Të qenët së bashku në të njëjtën hapësirë fizike, sipas kësaj ideje, është thelbësore për ndërveprimet spontane dhe kreativitetin që ato gjenerojnë.
“Inovacioni nuk është gjithmonë një aktivitet i planifikuar. Janë kontaktet rastësore me njëri-tjetrin gjatë ditës që ҫojnë përpara një ide që kishit pak më parë,” tha CEO i Apple, Tim Cook. Shefi i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, pohoi se puna nga shtëpia “nuk funksionon për gjenerimin spontan të ideve”.
Kjo tingëllon si një arsye bindëse për t’i kthyer njerëzit në zyrë. Por ka vetëm diҫka. Në thelb nuk ekziston asnjë provë që bisedat e rastësishme mes punonjësve çojnë në rritjen e kreativitetit. Në fakt, studimet tregojnë se e dëmtojnë atë.
A e rrit vërtet kreativitetin kontakti rastësor me njerëzit?
Nëse e keni të vështirë ta besoni këtë, duhet t’i hidhni një sy këtij sondazhi pak vite më parë të 42,000 personave që punojnë në zyrë. Qëllimi i studiuesve ishte të testonin pretendimin se zyrat me plan të hapur (“open-space”) sjellin më shumë ndërveprim dhe, si rrjedhojë, më shumë kreativitet spontan. Me pak fjalë, a sjellin kontaktet rastësore me njerëzit në zyrë gjenerimin e ideve më të shumta dhe më të mira? Përgjigjja përfundimtare ishte jo.
Në vend që të nxisnin biseda të frytshme, i gjithë “ambienti shoqëror” i zyrave me plan të hapur thjesht i bëri njerëzit të fshiheshin pas kufjeve të tyre. “Rezultatet tona kundërshtojnë kategorikisht idenë e pranuar nga industria që zyrat me plan të hapur rrisin komunikimin midis kolegëve,” ishte përfundimi në të cilin arritën studiuesit.
Doni prova të tjera? Një studim i Harvardit tregon se kur kompanitë kaluan në zyra me plan të hapur, ndërveprimet personale të punonjësve në fakt ranë me 76 për qind dhe përdorimi i email-it dhe mesazheve u rrit. Të marra së bashku, kjo dëshmi ndoshta mund të përmblidhet më së miri nga titulli që Geoffrey James i Inc.com, shkroi në atë kohë: “Është zyrtare: Zyrat me plan të hapur janë tani moda më e keqe e menaxhimit e të gjitha kohërave”.
Rishikoni supozimet tuaja për punën në zyrë
Këto studime fokusohen veçanërisht në zyrat e zhurmshme me plan të hapur, por logjika thotë se nëse konfigurimi i zyrës, i cili është krijuar posaçërisht për të lehtësuar kontaktet spontane mes punonjësve, në fakt i largon njerëzit nga njëri-tjetri, atëherë problemi mund të jenë thjesht këto kontakterastësore.
Dhe, në fakt, ky është edhe përfundimi në të cilin Claire Cain Miller e New York Times mbërriti kur filloi të kërkonte për prova se të qenët së bashku rrit kreativitetin. Përkundrazi, ekspertët i thanë asaj se nuk kishte shumë fakte për të mbështetur këtë ide të gjithëpranuar të menaxhimit.
“Argumenti se nëse i vendosni njerëzit në hapësira ku ata kanë gjasa të ndeshen me njëri-tjetrin, ka të ngjarë që ata të bisedojnë, është shumë i besueshëm, por a do të jetë kjo bisedë e dobishme për inovacionin, kreativitetin, apo për ҫfarëdolloj gjëje që organizata shpreson se njerëzit do të flasin me njëri-tjetrin? Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë për këtë,” i thotë asaj Ethan S. Bernstein, profesori i Harvardit i cili ka bërë studimin e përmendur më lart.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë arsye për t’u kthyer në zyrë. Ekipi juaj mund të pëlqejë të punojë në këtë mënyrë, zyra është më pak shpërqendruese se shtëpia për disa persona, ose mund të ketë arsye specifike për biznesin tuaj që e bëjnë punën nga zyra më praktike.
Por nëse e vetmja arsye për të cilën kërkoni të ketë kontakte rastësore të punonjësve tuaj, ballë për ballë, është sepse mendoni që kjo do të sjellë ndërveprim më spontan dhe për rrjedhojë më shumë kreativitet, atëherë ndoshta duhet të rishikoni nëse faktet e mbështesin me të vërtetë pikëpamjen tuaj. / Jessica Stillman, INC