Kosova dhe Shqipëria me hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjes për mobilitetin në punë

20/10/2020 3:00 PM 0 komente

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, për të diskutuar lidhur me hapat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes për Mobilitet për Punë, që është nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive.

“Sot, bashkë edhe me zëvendëskryeministren znj. Albulena Balaj-Halimaj pritëm në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, z. Qemal Minxhozi, për të diskutuar lidhur me hapat që kemi ndërmarrë në funksion të implementimit të Marrëveshjes për Mobilitet për Punë, që kemi nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive”, ka treguar ministri Reçica.

Reçica është shprehur se janë të gatshëm për ta jetësuar sa më parë këtë marrëveshje, që për qëllim ka përmirësimin e fushës së punësimit dhe aftësimit profesional, integrimin e një tregu të përbashkët të punës Kosovë-Shqipëri.

“Shpreha gjithë gatishmërinë time, që me mbështetjen e madhe edhe të zëvendëskryeministres Balaj-Halimaj, për ta jetësuar sa më parë këtë marrëveshje, që për qëllim ka përmirësimin e fushës së punësimit dhe aftësimit profesional, integrimin e një tregu të përbashkët të punës Kosovë-Shqipëri, përmbushjen e nevojave të qytetarëve për lëvizje të lirë të punëtorëve, hapjen e horizonteve të bashkëpunimit dhe integrimit andej dhe këndej kufirit”.

Më 2 tetor është mbajtur mbledhja e gjashtë e dy qeverive në Tiranë në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin.

Në takimin e fundit, qeveritë sërish premtuan heqjen e barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume e protokolle.

     Lexo edhe këtë: Këto janë 15 marrëveshjet që do të nënshkruhen ndërmjet Kosovë dhe Shqipërisë

Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 80.

Për Kosovën, Shqipëria është tregu më atraktiv. Ndërkaq në tregun e Kosovës, pra në kuptimin e importeve Shqipëria është partneri i tretë më i rëndësishëm tregtar.

Mesatarja e shkëmbimeve tregtare në mes të vendeve tona është 234 milionë euro në vit.

Kosova megjithatë është akoma në deficit tregtar me Shqipërinë, ndonëse në vitin 2020 ky deficit është më i vogël. Sidoqoftë, mesatarja e rritjes së eksporteve të Kosovës në Shqipëri është 12 për qind, ndërsa importet ndaj Shqipërisë ka një rënie mesatare prej 24 për qind.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of