Kosova voton sot

14/02/2021 10:50 AM 0 komente

Ka nisur procesi zgjedhor në Kosovë. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e para ka votuar.  Ajo ka ftuar gjithë qytetarët të respektojnë masat anti-COVID, po ashtu edhe partitë politike.

 

Nga Pritshtina, Fatos Shala

 

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot i drejtohen kutive të votimit nga ora 07:00 deri në 19:00 për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tetë.

Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është zotuar se do të përmbushin të gjitha detyrimet në funksion të arritjes së një procesi demokratik zgjedhor.

“I ftoj të gjitha subjektet politike dhe të gjithë ata që kanë rol në këto zgjedhje që t’i përmbahen ligjit, rregullave zgjedhore që janë në fuqi”, ishte shpreh ajo.

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se sistemi prokurorial është angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë për qytetarët e Kosovës.

Pula ka thënë se janë angazhuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial për këtë proces zgjedhor.

“Kemi caktuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial që do të jenë gardian të mbrojtjes së votës ditën e zgjedhjeve. Policia edhe prokurori i shtetit kanë finalizuar edhe dokumentin strategjik për angazhim dhe veprim të përbashkët në këtë proces”, ka bërë të ditur Pula.

Ajo shtoi se Prokuroria dhe Policia e Kosovës do të arrestojnë dhe ndalojnë të gjithë votuesit dhe zyrtarët përgjegjës në çfarëdo mënyre tentojnë apo ndikojnë në keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se KGJK është mobilizuar për këtë proces zgjedhor.

Ajo ka bërë të ditur se KGJK ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestar dhe do tu përgjigjen të gjitha kërkesave eventuale që vijnë nga Prokuroria.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është angazhuar edhe Policia e Kosovës.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e planit policor në katër faza, duke filluar nga; 1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, 2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, 3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita,  4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri të ditur se qendrat e votimit janë hapur sipas planit. Ai tha se procesi i votimit po vijon normalisht, në bazë të informatave të para nga terreni.

Elezi pranoi se për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe borës, ka pasur vështirësi në komunikacion gjatë përcjelljes së materialit zgjedhor nëpër qendra të votimit, por shtoi se materiali është dërguar me kohë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka për kandidat për kryeministër kreun e partisë, Albin Kurtin, i cili nuk u certifikua që të garojë për deputet në këto zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës garon për të parin e qeverisë me Avdullah Hotin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, garon me Enver Hoxhajn për postin e kryeministrit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of