Bankat po i gëzohen rritjes së vazhdueshme të depozitave dhe duken më të pritura të japin kredi, sidomos në lekë, por shtimi i huave me probleme ka ulur sërish ndjeshëm fitimet e bankave në gjashtëmujorin e parë të vitit. Bankat po detyrohen të shtojnë provigjionimet (fondet rezervë për huatë e këqija) dhe të përqendrojnë vëmendjen në menaxhimin e kësaj situate, ndërsa kanë lënë disi pas dore zgjerimin e degëve apo dhe shtimin e personelit.
Megjithatë, sistemi vlerësohet të ketë pasur ecuri relativisht pozitive në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në rreth 1 trilion lekë në fund të 6- mujorit të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.4% në krahasim me fundin e vitit dhe rreth 12% me 6-mujorin e parë 2010. Zgjerimi i aktiveve ka ardhur si nga shtimi i kredisë, ashtu dhe investimet në bono thesari, në një kohë që bankat kanë ulur vendosjen e mjeteve të tyre të lira monetare në bankat e huaja, në krahasim me 6-mujorin e parë 20
Kredia, preferohen bizneset
Stoku i kredive arriti në rreth 510 miliardë lekë në fund të muajit qershor, duke shënuar rritje prej 11% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor 2011 dhe 5.6% në krahasim me fundin e vitit 2010.
Pas një gjallërimi në nëntor-dhjetor të vitit të kaluar, ritmet e rritjes së huasë u ngadalësuan sërish në muajt e parë të këtij viti.
Rritja e stokut të kredisë ka ardhur pothuajse në mënyrë të barabartë si nga monedha vendase, ashtu dhe të huaja (kryesisht euro). Megjithatë vihet re një prirje e lehtë rënëse e stokut të huasë në valutë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajt qershor, rreth 65.4% të stokut të huasë ishte në monedhë të huaj, nga 67.5% që ishte kjo peshë në dhjetor të 2010-s.
Ndonëse niveli i kredisë me probleme është më i lartë tek bizneset, në krahasim me individët, përsëri bankat po preferojnë të kreditojnë sektorin privat. Stoku i huasë për individë ka qëndruar pothuajse në vend gjatë dy viteve të fundit, ndërsa kredia për biznese është rritur me ritme më të larta (80% e shtesës së kredisë për 6-mujorin e parë në krahasim me fundin e vitit ka shkuar për sektorin privat).
Megjithatë, kredia për pasuri të paluajtshme për individë është përshpejtuar gjatë muajve të fundit, duke dhënë një sinjal pozitiv për sektorin e ndërtimit, i cili gjatë tre viteve të fundit ka përjetuar rënie të ndjeshme të shitjeve të apartamenteve, teksa bankat shtrenjtuan interesat dhe shtrënguan kushtet e huadhënies. Rritja ka ardhur si nga shtimi i huasë në euro, ashtu dhe i asaj në lekë. 70% e huasë dhënë për pasuri të paluajtshme është në euro, çka nënkupton se shumica e familjeve kredimarrëse janë të ekspozuara ndaj ndryshimit të kursit të këmbimit.
Depozitat, rritje vjetore 16%
Totali i depozitave në sistem arriti në 819 miliardë lekë në fund të muajit qershor, duke shënuar një zgjerim me 16% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor 2011 dhe 4.5% në krahasim me fundin e vitit 2010.
Ritmet e rritjes së depozitave janë më të ulëta në krahasim me një vit më parë, kur u shënua një fluks më i lartë për shkak të kthimit të depozitave në sistem, pas ngërçit të fundit të 2008-s dhe 2009-s, ku vala e panikut të krizës financiare globale çoi në tërheqje të larta të kursimeve nga individët.
Pas një rritjeje më të shpejtë të kursimeve në valutë vitin e kaluar, në muajt e parë të 2011-s po vihet re sërish një preferencë për lekun, e orientuar nga një nivel relativisht më i lartë i interesave për monedhën vendase.
NENTITULL Fitimet bien sërish…
Fitimi i sistemit bankar ka rënë me 33% në tremujorin e dytë të 2011-s, në krahasim me tremujorin e parë të po këtij viti. Si gjashtëmujor, fitimi është reduktuar me 70% në raport me 6- mujorin e parë të vitit 2010.
Rritja e shpenzimeve për provigjione është arsyeja kryesore që ka tkurrur fitimet e bankave, ndërkohë që shpenzimet e tjera janë arritur që të mbahen nën kontroll. Provigjionimet u shtuan me 50% në krahasim me 6-mujorin e parë të 2010-s, në një kohë që rritja e të ardhurave neto të bankave (nga interesi dhe veprimtari të tjera) ishte vetëm 6%.
Shpenzimet për provigjione zunë 17% të totalit të shpenzimeve të sistemit bankar për 6-mujorin e parë 2011, nga 13.5% që ishte kjo peshë në periudhën janar-qershor 2010.
Ulja e fitimeve të bankave ka sjellë dhe përkeqësim të treguesve të kthyeshmërisë së kapitalit dhe aktiveve, duke iu afruar niveleve të fillimit të vitit 2009, kur sistemi vuajti nga tërheqja masive e depozitave, frenimi i kreditimit dhe rritja e menjëhershme e kredive të këqija.
… nga shtimi i kredive me probleme
Ndonëse bankierët parashikonin që huatë me probleme të frenoheshin disi që nga fundi i vitit të kaluar, ato kanë vijuar të rriten, duke arritur në 16.6% në fund të qershorit të këtij viti (huatë nënstandarde, të dyshimta dhe të humbura).
Pesha e kredive standarde (me vonesë nga 1 deri në 30 ditë) po ulet me shpejtësi, duke arritur në 73.7% të totalit në fund të qershorit 2011, nga 81% që ishte në fillim të vitit 2010.
Një pjesë relativisht e konsiderueshme e kredisë në ndjekje, (deri në 90 ditë vonesë, por që ende konsiderohet si kredi e mirë) ka kaluar në tremujorin e dytë si hua nënstandarde (deri në 180 ditë vonesë). Nuk ka pasur rritje pesha e kredisë së dyshimtë (deri në 365 ditë vonesë).
Shqetësues është shtimi i kredive të humbura (mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar). Kjo kategori po rritet me shpejtësi, duke rezultuar në gati 5% të totalit të huave të sistemit bankat në qershor 2011, nga 3.2% në fillim të 2010-s.
Teksa bankat kanë filluar një valë ekzekutimi kolaterali, sidomos me pronat e biznesit, ato po hasen me vështirësi të shumta në këtë proces, çka e ka detyruar disa herë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë që të bëjë thirrje për një funksionim më të mirë të sistemit të përmbarimit.
Bankat, ende të stepura
BKT dhe Credins mbajnë peshën kryesore në rritjen e kredisë në sistem, duke kontribuar në rreth 77% të totalit të huasë së shtuar në 6 muajt e parë të 2011-s në krahasim me fundin e vitit 2010
Ditët kur bankat shënonin vetëm rritje dhe madje me ritme të larta duken tashmë tepër të largëta. Ritmet e rritjes së kredive e depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm, madje në disa banka është shënuar gjatë muajve të parë të 2011-s edhe ulje e depozitave. Fitimet vijojnë të kenë diferenca të mëdha nga njëri tremujor në tjetrin, teksa bankat provigjionojnë kreditë e këqija, apo rikuperojnë hua me probleme përmes shitjes së aktiveve të lëna peng. Disa banka sërish shfaqin diferenca të mëdha në raportimin e fitimeve sipas standardeve ndërkombëtare (IFRS) dhe atyre lokale GAAP, ku kushtet më të rrepta të provigjionimit të këtij të fundit bëjnë që humbjet të rezultojnë më të larta.
Stafetën e rritjes vijojnë ta mbajnë Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Credins, ku të dyja kanë shënuar rritje mjaft të larta të kredisë në krahasim me sistemin, sipas të dhënave që bëhen të ditura nga Shoqata e Bankave. Këto dy banka kanë kontribuar në rreth 77% të totalit të huasë së shtuar në 6 muajt e parë të 2011-s në krahasim me fundin e vitit 2010.
Bankat vijojnë të mbeten mjaft pasive dhe në drejtim të zgjerimit të degëve, apo shtimit të numrit të punonjësve, duke shkuar drejt një riorganizimi më eficient, që ka çuar në mbyllje të disa degëve. Vetëm BKT ka shtuar 6 degë në muajt e parë të këtij viti. Me katër i ka shtuar degët edhe Emporiki Bank (shiko tabelat 1, 2 dhe 3).
Raiffeisen Bank ka pasur ecuri të kënaqshme në muajt e parë të 2011-s, me rritje prej 5-6% të aktiveve, depozitave e kredive, në raport me fundin e 2010-s. Por fitimi i bankës ka rezultuar më i ulët në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
BKT ka vijuar me ritmet e larta të rritjes, duke i shtuar aktivet dy herë më shumë se mesatarja e sistemit në krahasim me dhjetorin e 2010-s. Agresive ka qenë banka dhe në rritjen e depozitave e kredive dhe zgjerimin e degëve. Por ky agresivitet i ka kushtuar bankës fitimin e tremujorit të dytë, i cili ka rezultuar shumë i ulët sipas standardeve lokale, ndërsa me standardet IFRS rritja ka qenë e kënaqshme.
IntesaSanpaolo ka pasur rritje të krahasueshme me nivelin e gjithë sistemit, ndërsa ka arritur të ketë nivele të larta fitimi.
Tirana Bank ka shënuar ecuri modeste në 6-mujorin e parë të 2011-s, ku aktivet dhe kreditë kanë shënuar rënie të lehtë në raport me fundin e vitit. Sipas standardeve GAAP, banka ka raportuar një nivel të lartë humbjeje, ndërsa ka qenë me fitim me standardet ndërkombëtare.
Credins Bank është rritur me shpejtësi në të tre treguesit, por zgjerimin më të madh e ka pasur në kredi, e cila është shtuar me 22% në muajt e parë të këtij viti. Pavarësisht rritjes së shpejtë, banka ka arritur të ruajë nivele të kënaqshme fitimi, sipas të dyja standardeve.
Alpha Bank deklaron se “Pjesa jonë e tregut, prej më shumë se 7% në depozita dhe rreth 8% në kredi na konfirmon ne ndër pjesëmarrësit më të rëndësishëm në treg, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011. Depozitat e Alpha Bank Albania janë rritur me rreth 6% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011. Aktivet e bankës në fund të gjashtëmujorit të parë arrinin vlerën 69 miliardë Lek, duke zënë kështu 7% të tregut. Në gjysmën e parë të vitit 2011 banka ka pasur një rezultat negativ në zbatim të prioritetit të saj për të rritur raportin e rezervës së humbjeve nga huatë dhe ristrukturimit të zërave të bilancit Ne mbetemi të angazhuar gjithashtu për të përmirësuar eficiencën operacionale ndërkohë që përmirësimi i kostove vazhdon të mbështesë performacën tonë dhe përmirësimin e raporteve të kapitalit”.
Societe Generale është treguar më agresive në zgjerimin e kredisë, duke konkurruar në treg me norma të favorshme interesi. Banka ka pasur rezultat të kënaqshëm porsa i përket fitimit, ndryshe nga viti i kaluar kur rezultonte me humbje.
Për ProCredit Bank, gjysma e parë e 2011-s nuk ka qenë shumë e mbarë, teksa banka ka shënuar rënie të aktiveve e depozitave, por gjithsesi ka arritur të dalë me fitim.
Emporiki Bank ka pasur ecuri modeste, ndërsa humbjet e bankës janë rritur sërish sipas standardeve GAAP.
Union Bank ka pasur rritje në nivelet e zgjerimit të sistemit, ndërsa ka qenë më agresive në shtimin e depozitave.
Edhe First Investment Bank dhe International Commercial Bank kanë pasur ecuri të mirë në tërheqjen e kursimtarëve drejt bankave të tyre.
Sistemi bankar, elastik ndaj krizave të borxheve kombëtare
Deri në fund të vitit 2008, bankat me kapital grek në Shqipëri (Tirana Bank, Alpha, National Bank of Greece) ishin mjaft agresive. Sidomos në drejtim të kredive, këto banka ofronin kushte mjaft konkurruese, duke shfrytëzuar linjat e kreditit apo financimet që merrnin nga mëmat. Në fund të vitit 2008, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave dhe Banka e Shqipërisë, pesha e këtyre tri bankave arrinte në rreth 24% të totalit të aktiveve të sistemit. Por me fillimin e krizës së borxheve kombëtare greke, që preku ekonominë reale dhe sistemin financiar të shtetit helen, bankat greke që veprojnë në Shqipëri u stepën. Në fund të vitit 2010, pesha e bankave greke në totalin e aktiveve të sistemit ka rënë në rreth 19.7%.
Në total, sistemi bankar në total paraqitet i mirëdiversifikuar sipas kapitalit të origjinës. Përqendrimi i Raiffesen është ulur, është shtuar pesha e bankave me kapital shqiptar, ndërsa rritja ka pasur dhe BKT. Ky diversifikim e bën sistemin më elastik ndaj krizave kombëtare të borxheve që mund të prekin një shtet të caktuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.