Huatë me probleme shënuan një tjetër rënie gjatë muajit shtator, sipas deklarimeve paraprake të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko gjatë një konference për shtyp. Ai tha se huaja me probleme zbriti në 14.7%, duke arritur një tjetër rekord, teksa ku është niveli më i ulët i regjistruar që nga tremujori i parë i vitit 2011, kur ky tregues ishte 14.4%
Në gusht huatë me probleme zbritën në 15.1%, nga 15.4% që ishin muajin e mëparshëm dhe larg nivelit të lartë prej gati 25% që u arrin në shtator të vitit 2014.
Por, efektin kryesor në këtë reduktim ka vijuar ta japë fshirja e kredive të këqija nga bilancet e bankave.
BSH bëri të ditur më herët se që ka filluar procesi i fshirjes së krediveë, në janar të vitit 2015 e deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017 bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë ose 316 milionë euro.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6 mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.
Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.