Vetëm një marrëveshje e gjerë e BE-së mbi azilin mund të shpëtojë udhëtimin pa pasaporta në Europë.
Çfarë ndodh në kufijtë e Europës shpesh përcjell ndryshim të rëndësishëm. Bllokada sovjetike e Berlinit në vitin 1948 paraqiste Luftën e Ftohtë. Heqja e gardhit hungarez në kufi me Austrinë në maj të vitit 1989 dënoi sundimin sovjetik në Europën Lindore muaj përpara se protestat të rrëzonin udhëheqësit e saj.
Tani rivendosja e disa kontrolleve kufitare nga Gjermania dhe Austria, për të ndalur prurjet e refugjatëve dhe të emigrantëve, është shenjë paralajmëruese e diçkaje dramatike: erozionit dhe dështimit potencial të zonës së udhëtimit të lirë Schengen, një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Europian, shkruan The Economist.
Në dy dekadat e fundit, të 26 vendet europiane të zonës së Schengen-it, përfshirë disa jashtë BE-së (por duke përjashtuar Britaninë dhe Irlandën), do të mund të udhëtonin brenda kësaj zone pa u trazuar nga dogana apo kontrollet e pasaportave. Quajtur sipas qytetit në Luksemburg, ku u nënshkrua marrëveshja, Schengen e bën tregtinë dhe udhëtimin më të lehtë, dhe është një manifestim i prekshëm i ‘bashkimit gjithmonë e më të ngushtë’ të BE-së.
Por ashtu si edhe me projektin tjetër të madh, euron, Schengen është vetëm një akt i pjesshëm i integrimit: kufijtë e jashtëm, politikat e migrimit dhe policia mbeten në duart e qeverive kombëtare. Ashtu si me euron, një shok i jashtëm ka destabilizuar Schengen dhe acaruar marrëdhëniet mes shteteve të BE-së. Fluksi i emigrantëve ka ‘vënë në lojë’ rregullat e azilit të BE-së. Refugjatët është menduar të kërkojnë strehim në vendin e parë të BE-së ku ata mbërrijnë – në mënyrë tipike Itali apo Greqi. Por Schengen e bën më të lehtë që ata të ngulmojnë në vendin që ka më shumë mundësi për t’i mirëpritur, ose aty ku mund të gjejnë miqtë, të afërmit dhe vende pune.
Shumë i drejtohen Gjermanisë së begatë dhe bujare. Kancelaria Angela Merkel, në fillim eliminoi rregullat për të ruajtur Schengen, si pasojë e skenave prekëse të gjermanëve që mirëprisnin refugjatët. Por, të paaftë për t’u përballuar, ajo tani dëshiron të rivendosë rend në sistem. Pra, Gjermania ka vendosur kontrollet kufitare në kufirin me Austrinë, e cila ka kufizuar lëvizjen përtej kufirit me Hungarinë, e cila, nga ana e saj, ka nisur burgosjen e emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme nga Serbia.
Rregullat e Schengen u mundësojnë vendeve të vënë kontrolle të përkohshme kur përballen me ngjarje të jashtëzakonshme. Megjithatë, veprimi i Gjermanisë ka një ndikim tepër të gjerë. Nëse një vend kaq i madh në zemër të BE-së mund të thyejë tabunë e pashprehur përkundër pezullimit Schengen, atëherë të tjerët do të kenë më pak ‘brerrje ndërgjegjeje’ për të ndjekur shembullin. Në Francë, për shembull, politikanët nga qendra dhe ekstremi i djathtë ka të ngjarë të përpiqen në mënyrë aktive për eliminimin e Schengen.
Pezullimi i Schengen është vetëm ‘arnim’ për krizën e refugjatëve të Europës, e cila mund të vazhdojë për shumë vjet; emigrantët që vijnë në Europë do të kërkojnë pikat e dobëta në kufijtë dhe do të çajnë përmes tyre. Kriza kërkon ndërhyrje në çdo fazë, nga puna për një armëpushim në Siri drejt ndihmës për Turqinë dhe Libanin që të përballen me shifrat e tyre ‘fluturake’ të refugjatëve.
Ç’është më e rëndësishmja, europianët duhet të ndajnë detyrën e marrjes në azilkërkuesve, sado e vështirë të jetë. (Në qoftë se dërgohen në një vend më pak tërheqës, disa mund t’i drejtohen sërish Gjermanisë). Megjithatë, pak janë vendet që duket se ndajnë ‘Willkommenskultur’ (kulturën mikpritëse) të Gjermanisë. Në një takim të ministrave të Brendshëm më 14 shtator, vendet e Europës Lindore bllokuan planet për rizhvendosjen e 120,000 refugjatëve në të gjithë BE-në sipas një sistemi kuotash.
‘Sinjalet’ në Europë
Mentaliteti për t’i kërkuar fqinjit të zgjidhë problemet e tua është i pamatur. Kjo përfundimisht do të çojë në ‘kolapsin’ e Schengen-it, dhe liria europiane do të humbasë. Ideja se liderët e BE-së mund të veprojnë në interes të përbashkët do të pësojë një tjetër goditje. Kriza ka forcuar tashmë partitë antiemigrantë, partitë populiste anti-BE; keqmenaxhimi i saj kaotik do t’i rrisë ato më tej. Dhe nuk do të bëjë asgjë për të ndihmuar proeuropianët që argumentojnë për meritat e qëndrimit në BE në referendumin kanosës së Britanisë. Nëse Eurozona është në stanjacion, Britania largohet dhe europianët nuk do mund të udhëtojnë më lirisht, qytetarët atëherë mund të pyesin: cila është logjika e vërtetë e BE-së?