Kriza greke nuk preku remitancat në tremujorin e dytë

14/09/2015 3:12 PM 0 komente

Ndikimi pritet në tremujorin e tretë, pasi më 30 qershor Greqia mbylli bankat dhe vendosi kontrollet e kapitalit…

 

Emigrantët kanë dërguar më shumë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, të “pashqetësuar” nga kriza greke, që sa po vinte e thellohej në të njëjtën periudhë.

Sipas vlerësimeve paraprake të Bankës së Shqipërisë, hyrjet në formën e dërgesave të emigrantëve gjatë periudhës ishin rreth 162 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth 18% në krahasim me T2 2014.

Për gjithë gjashtëmujorin e parë, remitancat arritën në 304 milionë euro, duke u zgjeruar po me rreth 18%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, remitancat kanë shënuar rritje, duke e kthyer këtë tendencë rritëse në të qëndrueshme. Situata është krejt e ndryshme nga periudha 2007-2013, kur prurjet e emigrantëve, pasi arritën kulmin e tyre në 2007, filluan rënien e pandalshme. Kjo rënie përkonte me ciklin e emigracionit, kur pas 15 vitesh, emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet e tyre me vendin mëmë.

Ekspertët e lidhin këtë rritje me rigjallërimin e ciklit të emigracionit gjatë tre viteve të fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014 u thellua bilanci neto i emigracionit, me të ikurit, që ishin më shumë se të kthyerit, për herë të parë nga 2007. SipasINSTAT, të ikurit në raport me të kthyerit ishin 2 mijë më shumë se në vitin 2013. Sipas INSTAT më 2014, emigracioni neto shënoi -18046 persona në vitin 2013, ky tregues ishte -16414 persona vitin që shkoi, por që pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit pas ikjeve masive sidomos nga qarqet e veriut, megjithëse të ikurit e fundit nuk janë ende kontingjent i dërgimit të parave, por gjithsesi një pjesë e tyre që do t’i rezistojnë kthimit me detyrim në atdhe dhe do të integrohen në vendet e BE-së, do të mund të çojnë më pas të ardhura tek të afërmit që lanë pas.

 

Kriza greke, pritet ndikimi në tremujorin e tretë

Më 30 qershor, Greqia mbylli bankat dhe vendosi kontrollet e kapitalit, teksa vendi rrezikonte daljen nga euro. Teksa në shtetin fqinjë vlerësohet se jetojnë gati gjysma e emigrantëve, ndikimi tek remitancat pritet të shtrihet në tremujorin e tretë, si për shkak të mbylljes së kanaleve zyrtare të dërgimit të parave, ashtu dhe të krizës me të cilën u përballën emigrantët, një pjesë e të cilëve u detyrua të kthehej në atdhe.

monitor 696.indd

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of