Kriza, më pak mish e më shumë brumëra

02/12/2013 10:02 AM 0 komente

Po shpenzojmë më pak edhe për produktet bazë të konsumit. Ndërsa sasitë e importit shënuan rritje të lehtë, prodhimi vendas i agroindustrisë ra me 7% në gjysmën e parë të vitit. Deri në 2012-n, sektori u rezistoi pengesave dhe vazhdoi rritjen. Pritjet, edhe më pesimiste

Viti që po mbyllet duket më i vështiri për agroindustrinë. Efektet e krizës, që kanë nisur prej kohësh edhe për produktet e konsumit të përditshëm, janë “kurorëzuar” së fundi me kërkesën e ulët të konsumatorëve, çka i ka çuar përpunuesit të ulin sasitë e prodhimit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në gjysmën e parë të këtij viti, vlera e prodhimit në agroindustri ishte gati 18.7 miliardë lekë, ose 7% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në panoramën e plotë të kësaj industrie, rënia është e theksuar tek prodhimet e konservuara dhe ato të stazhionuara. Kështu, prodhimi i sallamit ra gati me 30%, ndonëse ai i proshutës (në vlera shumë më të ulëta se sallami) shënoi rritje. Konservat e peshkut dhe të mishit u ulën gati 40% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të ministrisë.

Prodhuesit e pranojnë që kërkesa në treg ka shënuar rënie dhe janë detyruar ta reflektojnë atë në prodhim. Madje, ata theksojnë se me uljen e vëllimit të prodhimit, jo vetëm që po sigurojnë më pak të ardhura, por kanë kosto më të lartë për njësi. Përpunuesit e mishit tregojnë se blerësit po orientohen drejt mishit të freskët, të patrajtuar në industri, e madje drejt mishit me çmimin më të lirë në treg. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat statistikore. Prodhimi i mishit të freskët të pulës është dyfishuar këtë vit, ndërkohë që ai i mishit të gjedhit pothuajse u përgjysmua, sipas shifrave të Ministrisë së Bujqësisë.

Prof. Abdyl Sinani, teknolog ushqimor, mendon se “ky është një hap prapa për konsumatorët shqiptarë. Duke iu larguar produkteve të shtrenjta, blerësit u largohen edhe proteinave të mira e të freskëta”.

Për industrinë e konservave të peshkut, problemi është tjetër. Ata nuk reflektojnë tregun e brendshëm, pasi prodhimi i tyre është i destinuar për eksport. Ulja e prodhimit duket më shumë një problem që buron nga industritë. Sipërmarrës në këtë sektor tregojnë se dy prej ndërmarrjeve kanë qenë në ristrukturim dhe së fundi kanë rifilluar punën. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit, fabrikat që furnizojnë tregjet italiane e spanjolle me konserva mund të kenë një bilanc më të mirë se ai i gjashtë muajve të parë.

Për më tepër, sipërmarrësit e fabrikave të përpunimit të peshkut janë më optimistë se industritë e tjera kur pyeten për vitin që vjen. Kërkesa e shtuar nga tregtarët italianë, apo edhe ata të vendeve të Europës Qendrore ka përmirësuar pritshmëritë e këtij sektori. Parashikimet e tyre janë për një rritje prej 30% të prodhimit të konservave të peshkut. Por, pritjet pozitive për të ardhmen ndalen vetëm te ky segment i industrisë që punon me lëndë të parë importi dhe ka vlerë të shtuar të ulët. Shumë përpunues të tjerë, edhe ata që kanë ecur mirë, nuk janë aspak optimistë për vitin e ardhshëm.

Si prodhuesit e lëngjeve të frutave, edhe ata të pijeve të gazuara tregojnë se po realizojnë më pak shitje krahasuar me një vit më parë dhe tendenca e konsumit është në rënie.

Prodhimi i vajit të ullirit është pesë herë më i lartë se ai i një viti më parë. Sipërmarrësja Shpresa Shkalla e pranon se kanë hyrë në prodhim disa prej fidanëvë të rinj të mbjellë, por faktori kryesor i kësaj rritje mbetet natyror. Duke u bazuar tek cikli dyvjeçar i prodhimit të ullirit, përpunuesit janë pothuajse të sigurt që vitin e ardhshëm do të sigurojnë shumë më pak sasi.

Konsumi i varfëruar duket edhe te përdorimi i brumërave. Prodhimi i bukës ka mbetur në të njëjtin nivel të një viti më parë, ndërsa përdorimi i miellit për brumëra të tjera është dyfishuar.

1

 

Përkeqësimi filloi që vjet

Edhe pse një vit i vështirë, me mundësi të kufizuara kreditimi, e kërkesë që e pati filluar tendencën e saj rënëse, 2012-a mund të cilësohet i suksesshëm për agroindustrinë shqiptare. Vlera e prodhimit u rrit 6% duke shënuar normën më të lartë të rritjes që nga viti 2008, kur filloi të shfaqej kriza e çmimeve të larta të produkteve ushqimore në botë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vlera e prodhimit agroushqimor vitin e kaluar ishte 60 miliardë lekë. Kjo është panorama e jashtme e gjithë sektorit, ndërsa po të kalojmë në industri të veçanta do të përballemi me zhvillime të ndryshme. Në total, prodhimi i sallamit dhe proshutës, po rezulton në rënie për të tretin vit radhazi, dhe “faji” bie mbi konsumatorët që po i hedhin gjithnjë e më pak në shportën e tyre të blerjes.

Vitin e kaluar, prodhimi i tyre ishte 4.4 miliardë lekë, ose 13% më pak se një vit më parë. Tendenca rënëse vazhdon dhe këtë vit. Shifrat tregojnë se po u largohemi produkteve shumë të përpunuara si djathë e sallam, e po zgjedhim produkte sa më të thjeshta (pra, mish e jo konservë mishi). Edhe konservat e perimeve kanë këtë drejtim, ndonëse rënia ishte shumë më e kufizuar vetëm 1%.

Deri këtu prirja është për t’u vlerësuar sipas specialistëve ushqimorë, pasi përdorim më pak konservantë në tavolina. Por problemi qëndron te prirja për të zgjedhur produkte më të lira.

Siç vërehet edhe nga grafiku i mëposhtëm, për të tretin vit rresht, është në rënie prodhimi i nënprodukteve të mishit. Vlera e prodhimit të tyre ra 17% krahasuar me një vit më parë, ndërsa edhe tregtimi i mishit të gjedhit të freskët është kufizuar. Në të njëjtën kohë, u rrit mbi 20% tregtimi i mishit të shpendit, e për më tepër, atij të ngrirë.

Kjo përkthehet ndryshe: prodhime me vlera më të ulëta ushqyese e më pak të freskëta. Dhe sjellja e theksuar muajt e fundit, u bë e dukshme që vitin e kaluar.

Industritë e përpunimit të qumështit janë shtuar, por prodhimi shumë më pak. Rritje shënoi vetëm segmenti i prodhimit të qumështit me yndyrë 3.5%. Por, qumështi me 2.5% yndyrë, i cili zë peshën më të madhe, ruajti të njëjtat vlera të një viti më parë, 78.7 mijë hektolitra.

Në rënie të theksuar janë nënproduktet e qumështit. Përjashtuar gjalpin, prodhimet e tjera të bulmetit shënuan rënie.

Një industri që pati filluar të ishte konkurruese vitet e fundit, është tkurrur në prodhim gati 50%. Flasim për makaronat, sasia e të cilave ishte vetëm 2800 tonë.

2

Drejt brumërave…

Është bërë zyrtare tashmë që po vendosen në tavolinat shqiptare më shumë bukë e prodhime të tjera brumi. Sasia e prodhimit të bukës gjatë vitit të kaluar u rrit 10% duke arritur në 15.7 miliardë lekë. E sikur të mos mungonte kjo, edhe përpunimi i miellit (i nevojshëm për prodhime të tjera brumi) u rrit ndjeshëm (7.5%) duke arritur në 8.6 miliardë lekë. Prej kohësh, ato zënë peshën më të madhe në totalin e prodhimit agroushqimor, si për nga vlera edhe sasia, por së fundi tendenca është në rritje. Nga 38% që zinte vitin e kaluar pesha e bukës dhe miellit në të gjithë industrinë ushqimore, në gjysmën e parë të këtij viti arriti në 40%.

3

 

Pijet, 20% të prodhimit

Falë prodhimit të rritur të birrës, tregu i pijeve shënoi rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të industrisë, prodhimi i birrës u rrit 2.5 herë, duke arritur një vlerë prej gati 5.8 miliardë lekësh. Prodhuesit vendas të birrës thonë se për shkak të një çmimi më të ulët me atë të importit e mbi të gjitha për formatet më të përshtatshme për familjet, po kërkohet më shumë birra e prodhuar në vend. Gjithsesi, në rritjen me ritme kaq të larta të prodhimit vlerësohet të ketë ndikuar akciza dixhitale që vendoset mbi ambalazh.

Me ritme shumë më të kufizuara, u rritën edhe sasisë e prodhuara të lëngjeve të frutave, pijeve freskuese e madje edhe atyre alkoolike.

Pijet freskuese u rritën me 6%, me një vlerë totale prej 3.2 miliardë lekësh. Lëngjet e frutave patën një vlerë më të ulët, as 1 miliard lekë, por rritja ishte e theksuar (25%).

2014, “sytë” drejt blerësve

Blerësi është në qendër të vëmendjes! Kjo është një shprehje tradicionale në tregjet e lira. Në vendin tonë, edhe pse është përmendur, mund të mos ketë qenë plotësisht i tillë në këndvështrimin e prodhuesve. Deri pak vite më parë, sipërmarrësit mjaftoheshin me një plan prodhimi në rritje, pasi produkti gjithsesi do të shitej. Sot duhet shumë më tepër punë. Konkurrenca është shtuar ndërsa kërkesa po bie.

Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, shpresojnë në rritjen e optimizmit në treg. Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit, shpreson që vitin e ardhshëm të lirohet kredia, për biznesin e individin. “Kjo do t’i jepte frymëmarrje shpenzimeve të mëdha dhe atyre të vogla, për konsum të përditshëm”, vlerëson ai.

Sjellja konsumatore ka ndryshuar këndvështrimin e sipërmarrjes. Në vitet e para të aktivitetit, prodhuesit tentuan të rriten përmes shtimit të investimeve, ndërsa aktualisht, shpresa është te rritja e konsumit.

Madje, po të shohim të dhënat e tregtisë, prodhuesit agroushqimorë po tentojnë rajonin. Vitin e kaluar eksporti i agroindustrisë në gjashtë vendet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë u rrit 13%. Por, koha duket e vështirë edhe për prodhuesit fqinjë. Kjo reflekton dhe problemet e shfaqura në tregtimin e qumështit shqiptar në Kosovë, si rrjedhojë e konkurrencës së fortë për tregje. Selami Xhepa, ekonomist, mendon se shumë nga problemet e shfaqura për tregtinë e prodhimeve në rajon kanë të bëjnë me presionet e prodhuesve të një vendi.

 

Agroindustria në shifra

7% bie prodhimi në 2013-n

6% rritet prodhimi në 2012-n

40% të prodhimit të agroindustrisë e zënë brumërat

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of