Çdo presidencë e re e BE-së ka karakteristikat e saj, iniciativën e vet kombëtare për t’u dalluar nga të tjerat dhe për t’u mbajtur mend si një ndër më të mirat.
Një grupi gazetarësh nga Brukseli, iu tha javën e kaluar në Zagreb, se Kroacia do të bëjë të pamundurën për të trashëguar në mënyrën më të mirë të mundshme të gjithë punën e bërë nga finlandezët, do të japë ndihmesën e saj në procesin e Brexit-it, në ndërmjetësimin e një buxheti të BE-së dhe gjithashtu në përfundimin e bisedimeve të bashkimit bankar.
Ka gjithashtu edhe çështje të tilla si ekonomia digjitale, emigracioni dhe hapja e diskutimeve mbi të ardhmen e Europës, shkruan Patrick Smyth në Zagreb.
Por ekziston gjithashtu edhe një çështje tjetër e axhendës që përmendet rrallë në BE: sfida e shpopullimit, e demografisë. “Kroacia vuan nga humbja e popullsisë, e cila është ekuivalente me humbjen e një qyteti të vogël çdo vit”, u shpreh kryeministri Andrej Plenkoviç.
Anëtarësimi në BE, të cilit Kroacia iu bashkua vetëm shtatë vjet më parë, ishte një ndërthurje avantazhesh dhe disavantazhesh.
E drejta e lëvizjes së lirë dhe perspektiva e niveleve të pagave në orë në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe, që ishin rreth tri herë më të larta, janë kombinuar me një rënie drastike të nivelit të lindjeve dhe janë parë si një mënyrë për t’u larguar një orë e më parë nga fshatrat kroate.
Pothuajse 40 000 njerëz emigruan në vitin 2018 dhe rreth 189 074 njerëz janë larguar nga Kroacia, e cila ka një popullsi prej vetëm 4.2 milionë banorësh që nga koha kur ajo u bë pjesë e BE-së.
Sipas Bankës Botërore, popullsia do të bjerë në 3.46 milionë deri në vitin 2050. BE-ja vlerëson se 15 për qind e kroatëve në moshë pune jetojnë në vendet e tjera të BE-së, njëkohësisht edhe përqindja e dytë më e lartë në Bashkimin Europian, pas Rumanisë.
Shkalla e lindjes në 1.44 fëmijë për grua është 10 për qind nën mesataren e BE-së dhe rreth një e treta më e ulët se shkalla e zëvendësimit natyror prej 2.1, që u duhet vendeve për të mbajtur popullsinë e tyre në nivele të qëndrueshme.
Por Kroacia nuk është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit, që po përballet me një rënie të tillë të popullsisë.
Sipas parashikimeve aktuale, deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë 38.6 për qind më pak njerëz sesa në vitin 1990; Serbia 23.8 për qind më pak; Kroacia 22.4 për qind më pak dhe Rumania 30.1 për qind më pak. Zagrebi është përpjekur që t’i japë një zgjidhje këtij problemi demografik, por deri më tani nuk ka rezultuar të jetë i suksesshëm.
Një Këshill i Rilindjes Demografike u themelua në vitin 2017 për të bashkërenduar politikat ministrore. Një strategji e re për të ndaluar më tej rënien e popullsisë dhe për të kthyer emigrantët e larguar nga Kroacia, po përgatitet për të zëvendësuar politikën kombëtare të popullsisë që nga viti 2006, ndërkohë që vendi po shpreson që të ketë edhe kontributin e BE-së në këtë drejtim.
Ky Këshill ka ndikuar edhe në bindjen e Presidentes së re të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, që t’i kërkojë Komisioneres kroate, Dubravka Suica, që të vendosë në rend të parë të axhendës së saj, çështjen e demografisë.
Shuma të mëdha parash po investohen nga Zagrebi në çdo sektor të mundshëm, duke filluar nga edukimi dhe rritja e numrit të kopshteve e deri te bujqësia, veçanërisht në zonat që kanë qenë më të shpopulluara gjatë tremujorit të fundit, kryesisht në lindje të vendit.
Mungesa e fuqisë punëtore në vend mund të zëvendësohet nga refugjatët që po vijnë nga Lindja e Mesme për t’i shpëtuar luftës që po zhvillohet në shtetet e tyre.
Por asimilimi i mijëra emigrantëve islamikë nga Lindja e Mesme, Pakistani dhe Afganistani është një çështje thellësisht problematike për vendet që janë kulturalisht homogjene.
Gjatë krizës së emigracionit të viteve 2015-2016, rreth 700 000 emigrantë kaluan në Kroaci. Sipas burimeve kroate, tani ka deri në 700 përpjekje në ditë, të emigrantëve që duan të kalojnë në këtë shtet në mënyrë të paligjshme.
Politika qeveritare
Viktor Orban në Hungarinë fqinje, kundërshtari më i zjarrtë i BE-së në drejtim të pranimit të refugjatëve, ka një problem të ngjashëm demografik dhe në vend të pranimit të tyre, ka vendosur të ndërmarrë iniciativa për të nxitur nivelin e lindjeve në vendin e tij, duke e konsideruar këtë të fundit si një aspekt shumë të rëndësishëm të qeverisë së tij.
Kohët e fundit, ai njoftoi se gratë që lindin katër ose më shumë fëmijë nuk do të duhet të paguajnë kurrë taksën e të ardhurave, ndërsa për të gjitha çiftet e sapomartuara që kanë marrë kredi dhe që vendosin të bëjnë tre fëmijë, kjo kredi do t’u paguhet nga shteti.
Edhe Serbia ka provuar të sigurojë përfitime në para për secilin fëmijë të lindur, me një shkallë në rritje për deri në katër fëmijë.
Z. Plenkoviç, kryeministri i Kroacisë, dëshiron që Brukseli të shqyrtojë se cilat vende janë më të prekura nga çështjet demografike dhe se cilat politika dhe masa janë zbatuar për të rritur shkallën e lindshmërisë, duke ndihmuar BE-në të përballet me këtë problem.
“Ne kemi bërë vërtet shumë sa i takon politikës demografike; taksat, kujdesin për fëmijët, vlerën e caktuar të parave që u japim prindërve gjatë periudhës së mëmësinë, pra ne po bëjmë më shumë seç mund të kishim mundësi. E megjithatë unë mendoj se ne duhet të bëjmë edhe diçka në nivelin europian”, tha z. Plenkoviç përpara gazetarëve.
Edhe Brukseli mund të japë ndihmesën e tij në këtë drejtim, megjithëse nuk ka të ngjarë që ai ta përqafojë mëmësinë si zgjidhjen më të mirë. Duke përdorur financimin e kohezionit, atë rajonal dhe fondet ndaj fermave, mund të arrihet që jeta në zonat rurale të rigjallërohet, duke ndikuar kështu edhe në reduktimin e numrit të personave që emigrojnë në shtete të tjera të BE-së. Për Kroacinë dhe rajonin e Ballkanit, bisedimet e tanishme të buxhetit dhe ruajtja e niveleve aktuale të financimit të kohezionit janë çështje të një rëndësie shumë të lartë.