Turistët po rikthehen në Kroaci, pasi pandemia Covid-19 shkatërroi industrinë e saj jetike të turizmit. Por kombi i Adriatikut ka një problem: atij i mungojnë punëtorët që u ofrojnë shërbime turistëve.
Duke u përballur me një mungesë kronike të punonjësve të turizmit, Kroacia po rekruton njerëz në vendet fqinje të Ballkanit dhe deri në Azi, për të plotësuar hendekun.
Ky është një problem që e kanë përjetuar edhe destinacionet e tjera kryesore turistike në Europë, si Franca, Spanja dhe Greqia, që nga heqja e kufizimeve të Covid-19.
Por Kroacia është përballur me këtë dukuri për vite me radhë dhe gjendja është përkeqësuar që nga pandemia.
Industrisë së turizmit mund t’i mungojnë deri në 10,000 punëtorë këtë vit, sipas vlerësimeve zyrtare.
“Situata është alarmante”, tha Stanislav Briskoski, pronari i një restoranti në pikën e nxehtë turistike Rovinj, në gadishullin verior Istria, dhe kreu i repartit të turizmit në Istria.
Kroacia është e përgatitur për një rimëkëmbje të turizmit: ajo ka mirëpritur tashmë gati tre milionë vizitorë në pesë muajt e parë të vitit, gati sa trefishi i numrit të vitit të kaluar. Ky numër pritet të rritet në sezonin e pikut të verës, në korrik dhe gusht.
Vendi me 3.8 milionë banorë mirëpriti një rekord prej 21 milionë vizitorësh në vitin 2019.
“Dëshira për udhëtim është e madhe… turistët do të vijnë”, tha kreu i Shoqatës Kroate të Turizmit, Veljko Ostojic.
Turizmi është burim kryesor i të ardhurave për Kroacinë, duke zënë një të pestën e ekonomisë.
Ostojic tha se industria mund të thyejë rekordin e vitit 2019, nëse lufta në Ukrainë nuk përshkallëzohet.
Por sektori ka nevojë për punëtorë.
Që kur Kroacia u bashkua me Bashkimin Europian në vitin 2013, më shumë se 250,000 kroatë janë larguar nga vendi, duke kërkuar një jetë më të mirë në Gjermani, Austri ose Irlandë.
Kohët e fundit, masat bllokuese ndaj Covid-19 i detyruan punonjësit e hotelerisë dhe turizmit të kërkonin punë në sektorë të tjerë, dhe më pas qëndruan atje, duke pasur paga më të mira dhe orë më të mira pune.
Vitin e kaluar, Kroacia hoqi kuotat për punëtorët e huaj që vijnë kryesisht nga fqinjët ballkanikë jashtë BE-së, si dhe nga Azia.
Deri në qershor, ajo lëshoi më shumë se 51,000 leje pune për shtetas të huaj, kryesisht në sektorin e ndërtimit, ndjekur nga hoteleria dhe turizmi.
Kjo ishte pothuajse sa dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021 dhe këtë vit pritet të jepen rreth 100 mijë leje.
“Të punosh në Europë është një mundësi që vjen një herë në jetë”, tha për AFP, James Pepito, një kopshtar në kampingun Mon Perin, afër zonës Rovinj.
32-vjeçari filipinas, i cili ka punuar në Oman dhe në Katar përpara se të mbërrinte në Kroaci dy vite më parë, shpreson të qëndrojë edhe një vit.
“Kam pasur një përvojë të mirë, prandaj jam ende këtu në Kroaci”, tha ai, duke vlerësuar pagat, motin dhe kolegët e mirë.