Shanset e udhëheqësve të Bashkimit Europian për të rënë dakord për fondin e rimëkëmbjes të koronavirusit të dielën janë “më pak se 50%”, deklaroi këtë të premte kryeministri hollandez Mark Rutte.
“Por le të jemi shpresëdhënës, nuk e dihet kurrë,” shtoi Rutte.
Në maj, Bashkimi Europian propozoi një fond rimëkëmbjeje prej 750 miliardë euro, ku dy të tretat e parave do të shpërndaheshin në vendet e goditura në formën e granteve, ndërsa pjesa tjetër do të ofrohej si kredi.
Propozimi ka shkaktuar përçarje brenda BE-së, me një grup shtetesh të njohur si “Frugal Four” – ku përfshihet Austria, Hollanda, Suedia dhe Danimarka, të cilat kundërshtojnë kompromisin dhe favorizojnë vetëm kreditë.
Kryeministri hollandez shtoi se vendi i tij nuk besonte në një sistem të bazuar në grante.
“Ne kemi nevojë për reforma,” tha ai.
“Kështu që nëse jugu [i Europës] ka nevojë për ndihmë nga vendet e tjera për të përballuar krizën, unë e kuptoj këtë, dhe sepse ka një hapësirë të kufizuar për t’u marrë me atë vetë financiarisht.
“Atëherë unë mendoj se është vetëm e arsyeshme për ne të kërkojmë një angazhim të qartë për reformat. Nëse atëherë huatë duhet të shndërrohen në një farë mase në grante, atëherë reformat janë edhe më të rëndësishme, dhe është e nevojshme garancia absolute”.
Rutte hodhi poshtë akuzat se ai është “djali i keq” në negociata.
“Unë po luftoj për Europën … një Bashkim Europian më i fortë është në interesin e të gjithëve, përfshirë natyrisht edhe qytetarët hollandezë. Një Europë e fortë e cila është ekonomikisht më konkurruese dhe mund të luajë, me besim, një rol të fortë në skenën botërore. Kjo është ajo që është në diskutim.”/CNN