Sot do të kthehen në Kosovë qytetarët të cilët, për shkak të pandemisë Covid-19, kishin mbetur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Aeroplani me 136 persona në bord, rreth gjysma prej tyre shtetas të Kosovës, do të ateroj në aeroportin e Rinasit në Tiranë, e më pas do bëhet akomodimi i tyre. Siç ka njoftuar, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, të gjithë udhëtaret janë të obliguar të kenë me vete maska dhe dorëza.
Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka njoftuar se tashmë janë nisur 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend shkaku i pandemisë COVID-19.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se fluturimi me qytetarët nga Kosova është nisur sot në mëngjes në drejtim të Tiranës.
“Pas një periudhe të vështirë të pritjes dhe paqartësive të shumta, sot në mëngjes në drejtim të Tiranës kanë fluturuar 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend. Mbi 30 nga këta qytetarë ishin studentë në Universitetin e Sharjias kurse të tjerët ishin familje dhe individë që humbën vendet e punës pas mbylljes totale të EBA apo mbetën aty kur u anuluan fluturimet”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada ka njoftuar se të gjithë pasagjerët janë testuar në aeroport për testin COVID-19 dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.
“Ambasada e Republikës së Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në EBA për punën e madhe në këtë projekt të madh humanitar, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të EBA, FSK dhe të gjithë ata që ndihmuan që këta qytetarë të Kosovës të bashkohen me familjet e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.
Ndryshe, të gjithë qytetarët që kthehen në Kosovë, janë të detyruar të qëndrojnë shtatë ditë në Qendrën e Studentëve e cila është shndërruar në karantinë, e më pas atyre iu bëhen testet për të kuptuar nëse janë prekur nga koronavirusi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.