Flet Dorin Maraku, Administrator Landeslease
Bizneset, edhe pse mund të kenë mundësi financiare për të instaluar impiante fotovoltaike, në shumë raste preferojnë që këto lloj investimesh t’i bëjnë nëpërmjet financimit nga institucione financiare bankare, ose jobankare.
Dorin Maraku, administrator i Landeslease, thekson se këto pavarësisht kostove fillestare të një impianti, kthimi i investimit për bizneset është i shpejtë dhe kjo shërben si nxitje për zbatimin e projekteve. Kriza e energjisë, e shfaqur së fundmi, sipas tij mund të shërbejë si një ndërgjegjësim për orientimin drejt energjisë së pastër dhe alternative.
Kriza e fundit e energjisë shtoi edhe më shumë interesin e biznesit për t’u orientuar drejt fotovoltaikëve në kushtet kur çmimet në treg të lirë kapën vlera të larta. Ju a e keni ndier këtë rritje interesi për investime të kësaj natyre?
Prej disa kohësh tashmë kemi evidentuar një interes në rritje për këto investime nga bizneset. Gjithsesi mungon shpërndarja e informacionit dhe ndërgjegjësimi në masë të gjerë mbi përfitimet e këtyre sistemeve në terma afatgjatë.
Kriza energjetike mundet që të shërbejë pozitivisht, pikërisht për të ndërgjegjësuar më shumë bizneset mbi potencialin që ofron energjia e pastër dhe alternative për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Pavarësisht kostove fillestare, bizneset të cilave ua lejojnë mundësitë këtë investim e vlerësojnë afatin relativisht të shkurtër të kthimit të këtij investimi dhe kjo bën që ta ndërmarrin më lehtë atë.
Nga ana tjetër, shumë prej tyre, edhe pse e vlerësojnë mundësinë e gjenerimit të një burimi alternativ energjie e për më tepër të pastër, ngurrojnë ta kryejnë investimin, pasi kosto fillestare e tij mbetet ende e papërballueshme. Pikërisht këtu, Landeslease mund të vijë në ndihmë për këto subjekte, prandaj inkurajojmë si klientët, ashtu dhe furnitorët e këtyre aseteve, që të bashkëpunojmë në gjetjen e zgjidhjeve financiare për të mundësuar marrjen e përfitimeve për të gjithë palët.
Po nga individët, a ka interes?
Nga individët nuk kemi hasur interesim për këto investime, referuar këtu godinave të banimit. Kostot e larta të investimit dhe mungesa e incentivave nga autoritetet për t’i reduktuar ato, janë faktorë të cilët pengojnë zhvillimin e projekteve.
Me interes për ne do të ishin veçanërisht ato projekte, të cilat përfshijnë më shumë se një familje, ku mund të shfrytëzohen tarracat e godinave për të instaluar sistemin fotovoltaik. Në këtë pikë duhet që furnitorët tipikë për këto asete të “bindin” klientët individë mbi përfitimin e instalimit të një sistemi fotovoltaik.
Çfarë produkti ofron aktualisht Landeslease në lidhje me financimin e fotovoltaikëve dhe kushtet që duhet të plotësojnë individët apo bizneset?
Produkti i ofruar nga Landeslease është ai tipik i qirasë financiare. Ne blejmë asetin te furnitori kundrejt marrjes nga klienti të një parapagimi mbi vlerën e investimit. Shtrirja e afatit të financimit kombinuar me fleksibilitetin në ripagim përbëjnë avantazhin kryesor për klientin. Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë që kompania jonë mundëson adaptimin e këstit të financimit në nivel të përafërt me vlerën e kursimit që gjenerohet nga energjia e prodhuar prej sistemit fotovoltaik. Klienti nuk do të njohë rritje të kostove mujore të lidhura me energjinë, krahasuar me periudhën e para instalimit të sistemit. Ndërkohë çmimi i energjisë rritet, me kalimin e kohës investimi do të rezultojë në balancë pozitive për klientin.
Në fund të periudhës së financimit, klienti e merr në pronësi sistemin për vlerën e vetëm 1 Euro. Kushtet që duhet të plotësojnë individët apo bizneset janë zgjedhja e një furnitori për këto asete dhe paraqitja e projektit të sistemit fotovoltaik pranë Landeslease, së bashku me aplikimin për financim pranë institucionit tonë.
Cilat janë bizneset më të interesuara për këtë aspekt nëse shohin anën e sektorit që i përkasin (për shembull turizmi agropërpunimi etj.)?
Ndër sektorët që do të përfitonin menjëherë përfitimet, duke ulur kostot direkte, do të ishin padyshim prodhimi, përpunimi e shërbimi, të cilët përbëjnë edhe gamën kryesore të subjekteve të interesuara për këto asete.
Si e shihni potencialin që paraqet Shqipëria në tërësi për investime të kësaj natyre nëpërmjet qirasë financiare?
Qiraja financiare është një mjet që mund të kontribuojë në zhvillimin e këtij sektori. Skemat e financimit të ofruara nëpërmjet qirasë financiare mund të ndihmojnë si klientët, në përballimin e kostove të investimit pa ngushtuar likuiditetet, ashtu edhe furnitorët tipikë, duke i mundësuar një mjet në dorën e tyre për asistuar në shitjen këtyre aseteve te klientët e tyre. Jetojmë në një vend i cili ka avantazhe në aspektin gjeoklimatik sa i përket instalimit të sistemeve fotovoltaike, për këtë arsye jam i mendimit që ky potencial duhet shfrytëzuar më mirë në përgjithësi, nga të gjithë aktorët.
Tashmë kemi një kuadër më të plotë ligjor dhe rregullues për këto investime. Çdo subjekt ka mundësinë e instalimit të sistemeve fotovoltaike deri në 500kW, pa pasur nevojë për licencime specifike. Sistemi i matjes neto të energjisë është gjithashtu një avantazh që duhet shfrytëzuar, pasi energjia e prodhuar tepër apo e pashfrytëzuar nuk shkon dëm. Garancia e ofruar e prodhimit të energjisë nga panelet fotovoltaike është mbi 20 vjet, ndërsa që kostot e mirëmbajtjes janë minimale, çka bën që investimi të kthehet disa herë për klientët.
Vlerësimi i këtij potenciali i gërshetuar me politikat e institucionit tonë për të investuar në projekte “green” kanë bërë që Landeslease të ndërtojë një produkt të dedikuar për sistemet fotovoltaike. Për këtë qëllim, ne inkurajojmë të gjithë subjektet dhe individët të marrin në konsideratë këtë investim, pasi është një zgjidhje e zgjuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.