Kthimi nga investimi i rezervës valutore u rikthye në vlera pozitive vitin e kaluar.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, kthimi i rezervës ishte pozitiv në masën 3.43%, në përmirësim të ndjeshëm nga niveli negativ prej 3.18% i vitit 2022.
Kthimi pozitiv i portofolit të rezervës ka ardhur si rezultat i rritjes së normave të interesit në tregun ndërkombëtar gjatë vitit 2023.
Po ashtu, madhësia dhe ritmi i rritjes së normave të interesit kanë qenë më të ulëta krahasuar me vitin 2022, çka, sipas Bankës së Shqipërisë, ka mundësuar realizimin e të ardhurave të qëndrueshme, të pacenuara nga humbje kapitale që ndodhin në rastin e rritjeve të mëdha dhe të menjëhershme të normave të interesit, sikurse ndodhi gjatë vitit 2022.
Megjithatë, kthimi nga rezerva valutore nuk mban parasysh efektin e kursit të këmbimit. Për shkak të forcimit të ndjeshëm të Lekut në dy vitet e fundit, rezerva valutore e shprehur në monedhën vendase është zhvlerësuar dhe ka dhënë një efekt negativ në rezultatin financiar të Bankës së Shqipërisë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.85 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore (e shprehur në Euro) është rritur me 18% ose 895 milionë euro krahasuar me fundin e vitit 2022.
Në fund të vitit 2023, përbërja e rezervës valutore bruto sipas monedhave dominohej nga Euro me 68.4%, e ndjekur nga Dollari Amerikan me 16.9%, të drejtat e tërheqjes në FMN (SDR) me 4.4%, Ari me 3.5%, Paundi Britanik me 2%, Renminbi Kinez, me 2.2%, Jeni Japonez me 1.9%, dhe Dollari Australian me 0.8%.
Në kuadër të rivlerësimit periodik të peshës së arit monetar në rezervën valutore, në fillim të muajit shkurt të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës mori vendim për blerjen e 28 lingota ar (rreth 0.35 tonë).
Rezerva valutore e administruar nga Banka e Shqipërisë është e investuar në aktive likuide, kryesisht me afat maturimi një deri në tre vjet. Megjithatë, pesha e investuar në instrumente të borxhit me afat mbi 5 vjet është rritur kundrejt vitit 2022, duke përfaqësuar rreth 4% të portofolit të rezervës të investuar në tituj në mbyllje të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo lëvizje pasqyron dhe rritjen e kohëzgjatjes së investimit për portofolin strategjik si rrjedhojë e rritjes së normave të interesit. Në kushtet e rritjes së
ndjeshme të stokut të rezervës, edhe pjesa e stokut të investuar në instrumenteve të borxhit është rritur. Pesha kundrejt totalit të stokut të rezervës së investueshme ka një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2022.
Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore”, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, përcakton qëllimet për të cilat mbahet rezerva valutore. Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në qëllimet e mbajtjes së rezervave citohet, krahas zbatimit dhe mbështetjes së politikës monetare dhe politikës së kursit të këmbimit, edhe ruajtja e stabilitetit financiar.
Si objektiva parësorë të procesit të administrimit të rezervës janë përcaktuar likuiditeti dhe siguria. Sigurimi i të ardhurave nga administrimi i rezervës përfaqëson objektivin e tretë, për sa kohë nuk cenohen objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë. Këshilli Mbikëqyrës miraton gjithashtu parimet dhe kriteret cilësore për zhvillimin e aktivitetit të administrimit të rezervës valutore.
Emrat e lejuar në të cilat investohet rezerva valutore përfshijnë qeveritë e SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës, të cilat përgjithësisht janë të renditura të paktën A- (për qeveritë e Eurozonës, renditja minimale e pranuar është BBB-). Në emrat e lejuar për investim përfshihen dhe agjenci apo institucione të lidhura me qeveritë, institucione shumëpalëshe apo të tjera subjekte të renditura të paktën AA- (për banka/institucione të tjera financiare, renditja minimale e pranuar A-).
Në fund të vitit, rreth 90% e portofolit të rezervës valutore rezulton e investuar me emra me renditje të cilësisë së lartë (klasa AAA dhe AA, duke përfshirë edhe ekspozimet në llogari rrjedhëse). Ekspozimet sipas llojit të emetuesit/kundërpalës përfaqësohen nga qeveri/banka qendrore, me 70.9%, ndjekur nga banka/institucione të tjera financiare, me 11.3%, institucione shumëpalëshe, me 11%, agjenci, 4.3%, institucione të garantuara nga qeveritë, me 2% dhe autoritete qeveritare/organe publike, me 0.4%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.