Në fillimi të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligji për Pagat në sektorin publik. Ky Ligj ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta. Në shenjë pakënaqësie në grevë patën hyrë punëtorët e arsimit, punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike. E ky Ligj pritet të hyjë në fuqi në muajin dhjetor të këtij viti. Njohes të ekonomisë thonë se ky Ligj është i dëmshëm për sektorin privat.
Edhe pse ligji për paga është miratuar me 2 shkurt të këtij viti, punëtorët e sektorit publik ende nuk kanë marrë pagat me rritje.
Kjo pasi ende nuk janë bërë nëntë muaj nga publikimi në Gazetën Zyrtare, kur edhe bëhet i plotfuqishëm
Në Ministrinë e Financave kanë treguar se ligji për paga nuk do të hyjë në fuqi deri me 1 dhjetor.
“Ligji për paga hynë në fuqi 9 muaj pas publikimet të tij në gazetën zyrtare, pra ky ligj hynë në fuqi me 1 dhjetor dhe paga e dhjetorit merret me rritje”
Ky Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Edhe sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.
Kurse ministri i Financave Bedri Hamza në një deklarim të më hershem ka treguar se kush do të përfitoi nga ky ligj dhe si do të zbatohet ai.
“Çdo organizatë buxhetore tani i ka të dhënat se si do të ndikoje tek stafi i asaj organizate buxhetore. Pozitive është se në Kosovë për herë të parë çështja e pagave po rregullohet me ligj. Unë personalisht besoj se një shumicë absolute e të punësuarave janë trajtuar në mënyrë shumë korrekte, pa dyshim që ekziston”.
I pari i financave ka bërë me dije se me Ligjin e Pagave nuk do të do të lejohet që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale.
“Kur jemi te Ligji i pagave nuk do të lejojmë që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale për arsye se do të marrim të gjitha masat e mundshme që ta menaxhojmë implementimin e Ligjit për paga pa i cenuar shpenzimet kapitale. Kosova brenda strukturës së vetë të Buxhetit ka dhe ruan nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në krahasim me vendet e rajonit, dhe ky është një sinjal shumë i mirë për zhvillimin ekonomik dhe besoj se edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Financave duhet ta ruaj këtë strukturë”.
E kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukqi ka thënë disa arsye se ky ligj është i dëmshëm për sektorin privat.
“Ky ligj është në dëme të sektorit privat pasi që po krijon një konkurrencë të pabarabartë duke rritë pagën në sektorin publik faktikisht po ndikon drejtpërdrejt në përformancën e sektorit privat pasi që fuqia punëtore nuk po është e atraktume për sektorin privat por me qëllimin e vetme për punësimin në sektorin publik”.
Po ashtu ai thotë se me rritje e pagesë po rritet edhe më shumë burokracia, pra nuk po ka rritje te produktivitetit të fuqisë punëtoreve në sektorin publik.
Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro.
Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.
“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind. Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.
Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.
Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro.
Në fillimi të këtij viti, saktësisht me 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik. Ndryshe, Projektligji për Paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta.
/Fatos Shala, Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.