Flasin Marçela Lati Peza, Alketa Vejsiu, Aida Bala Kastrati, Sava Bardhi, Lediana Fratari, Iris Kazazi…
Sot, në Shqipëri, gratë janë pronare të 27% të bizneseve në vend, ndërsa synohet që kjo shifër të rritet në 35% deri në vitin 2020.
Sot, për të njëjtën punë, orar apo vështirësi në punë, burrat paguhen mesatarisht një e katërta e pagës më shumë se sa gratë. Deri në vitin 2020 synohet që punësimi i grave përmes programeve nxitëse të rritet me 75%. Por, përtej shifrave që flasin në disfavor të grave nuk mungojnë shembujt e modeleve të suksesshme të biznesit që ato drejtojnë
Nga Elona Bedalli
Viti 2014 do të jetë ai i femrave në biznes, duke qenë se gjithnjë e më shumë kompani, komunitete dhe vende po investojnë në forcimin e pozitës së saj në sipërmarrje. Kjo konfirmon atë që organizata të rëndësishme, si Banka Botërore kanë thënë: gratë janë thelbësore për rritjen ekonomike në botë. Gjithnjë e më shumë po besohet se gruaja sipërmarrëse e sheh botën nga një këndvështrim tjetër, i bën gjërat ndryshe. E kjo reflektohet në biznese të ndryshme. Coco Chanel, e mësoi tregtinë e rrobaqepësisë që kur ishte fëmijë, Estée Lauder e ktheu pasionin për kujdesin ndaj lëkurës dhe make-up në një perandori bukurie ose Oprah Winfrey, që e shndërroi biznesin e medias në një hapësirë për të ndihmuar gratë të rrisin potencialet e tyre. Të dhënat e Monitorit Botëror të Sipërmarrjes tregojnë se janë 126 milionë gra që operojnë në një biznes të ri dhe 96 milionë që po synojnë të hapin një të tillë. Hendeku mes burrave dhe grave në biznes duket se nuk do të mbyllet, por të paktën tenton të zvogëlohet. Vetëm në shtatë vende: Panama, Tajlandë, Gana, Ekuador, Nigeri, Meksikë dhe Ugandë gratë përfaqësohen në mënyrë të barabartë me burrat në biznes.
Në Amerikë, tre në dhjetë gra kanë aktivitetin e tyre në biznes, ndërsa kontribuojnë vetëm 4% në totalin e të ardhurave që grumbullohen nga sektori privat.
Studimet ndërkombëtare tregojnë se vështirësitë më të mëdha kanë të bëjnë me aksesin ndaj kapitalit. Gratë vuajnë nga mungesa e kolateralit për shkak të rregullave diskriminuese dhe kjo bën që ato të mos kenë akses të ndjeshëm në kredimarrje.
Bizneset e reja që lindin kanë nevojë për mbështetje që të lulëzojnë. E në këtë pikë merr kuptim edhe vlera e mentorëve, këshilluesve që shumë industri kanë në mesin e tyre. Shumë nuk e kanë këtë mbështetje dhe kjo shpjegon faktin se pse ato kanë më pak mundësi sipërmarrjeje sesa meshkujt.
Gratë kanë nevojë për edukim sipërmarrjeje. Idetë e biznesit të femrave më të shumtën e kohës lindin në kuzhinë, më shumë sesa në garazhe apo shkolla biznesi, por studimet tregojnë se gratë dyshojnë më shumë tek aftësitë e tyre dhe i tremben dështimit më shumë se meshkujt. Trajnimet mund t’i pajisin femrat me më shumë besim për të realizuar në praktikë idetë e tyre.
Sipas studimeve, zvogëlimi i hendekut gjinor në punësim do të rrisë të ardhurat për person me rreth 20% deri në vitin 2030.
Por, përfitimet që sjell pjesëmarrja e grave në sipërmarrje shkojnë përtej këtyre vështirësive. Figurat lidere frymëzojnë gratë e tjera për të ndjekur ëndrrat e tyre. Gratë e kanë më të lehtë të balancojnë jetën private me punën. Në tregjet e vendeve në zhvillim, gratë riinvestojnë 90% të fitimeve të tyre në familje dhe komunitet, çka do të thotë se të investosh te gruaja do të thotë të investosh tek e ardhmja kolektive.
Bota ka nevojë për gratë në biznes dhe këto të fundit për të gjithë ne. Është koha që të punohet për t’i siguruar gruas kushte që ajo të lulëzojë në botën e biznesit.
…në Shqipëri
Femrat, pronare të 27% të bizneseve në vend; deri në vitin 2020 do të arrijë 35%
Në Shqipëri, sipërmarrjet e drejtuara apo pronare nga femrat janë në nivel të ulët, në rreth 27% të të gjitha bizneseve aktive për vitin 2011, sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë. Mbi 90% e bizneseve të drejtuara nga gratë gjenden në sektorët e shërbimeve (tregti me pakicë, turizëm, profesione të lira etj.). Rreth 30% e të vetëpunësuarve janë femra. Përqindja e disbursimit të kredive nga bizneset e grave arriti në 25% në vitin 2011. Ministria e Ekonomisë thekson se mungojnë politika për mbështetjen e sipërmarrjeve femërore dhe sipas raportit të “SME policy index 2012”, Shqipëria vlerësohet me 2,5 pikë (nga 5 pikë maksimale). Për këtë arsye, në strategjinë e saj për bizneset dhe investimet, Ministria e Ekonomisë parashikon, që duke pasur edhe mbështetjen e donatorëve të ndërmerren disa masa konkrete për mbështetjen e grave në biznes:
– Ndërmarrja e një anketimi në territorin e vendit, me qëllim për të siguruar të dhëna të sakta mbi numrin, sektorët, madhësinë, vendndodhjen gjeografike, problematika që hasin gratë dhe nevojat në zhvillimin e biznesit të tyre;
– Mbi bazën e gjetjeve dhe konkluzioneve të këtij anketimi, synohet drejt hartimit të një programi mbështetës për gratë sipërmarrëse, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e tyre në biznes;
– Krijimi i bazës së të dhënave mbi perfomancën ekonomike të grave në biznes;
– Rritja e ndërgjegjësimit si shkalla e përfitimit nga programet e BE-së, me qëllim për të rritur numrin e grave ambasadore dhe mentorë dhe me qëllim për t’u bërë pjesë e network-ut në nivel rajonal dhe europian;
– Hartimi i një dokumenti politikash për sipërmarrjen e grave, plan veprimi dhe buxhet;
– Zbatimi i politikave adekuate për gratë në biznes, duke i shoqëruar me programe mbështetëse financiare si: skema grante për fillimin e biznesit dhe për fuqizimin e tyre, skema mbështetëse për të rritur aksesin në financë të femrave sipërmarrëse.
– Krijimi/mbështetja e network-ut kombëtar për gratë sipërmarrëse.
Ndërmarrja e këtyre masave ka si qëllim që të rrisë numrin e sipërmarrjeve femërore deri në fund të vitit 2020 duke e çuar në 35% të të gjitha bizneseve aktive. Gjithashtu synohet që numri i femrave të vetëpunësuara deri në fund të vitit 2020 të arrijë në 35%, ndërsa po me kaq përqindje të rritet edhe disbursimi i kredive për sipërmarrjet femërore.
Ndërsa “Strategjia e punësimit dhe aftësimit 2014-2020” synon rritjen me 10% të numrit të grave dhe burrave që marrin pjesë në programet e punësimit.
Mësohet se nga 16,923 nxënës të regjistruar në shkollat profesionale, vetëm 16.1% janë femra. Kjo është një shifër që deformon edhe tregun e punës që në bankat e shkollës. Sot në Shqipëri ka shkolla profesionale ku nga 1,134 nxënës, nuk ka asnjë vajzë në to.
Strategjia e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë synon të rrisë me 75% numrin e grave që sigurojnë punësim të qëndrueshëm përmes Fondit të Nxitjes së Punësimit, si dhe rritjen me 25% të numrit të personave që duke ndjekur programe të formimit profesional të kenë akses të barabartë në tregun e punës.
Sot për të njëjtën punë, orar apo vështirësi në punë, burrat paguhen mesatarisht një e katërta e rrogës më shumë se sa gratë. Aksesi i barabartë në arsimim (i detyruar, profesional dhe programe trajnimi) do të përmirësonte cilësinë e jetës, do të rriste të ardhurat dhe do të përmirësonte shëndetin e popullatës. Nëse u referohemi statistikave të fundit, nga shtatori në dhjetor 2013 janë punësuar 2.336 punëkërkuese femra, ndërsa në janar 2014 janë punësuar 475 femra. Në periudhën shtator-dhjetor 2013, 1.243 femra kanë marrë pjesë në kurset e formimit profesional, ndërsa në janar të 2014-s, numri i femrave që kanë marrë pjesë në këto kurse është 167.
Shqipëria renditet ndër ato vende që aspiron të avancojë në të drejtat e grave dhe vajzave dhe luftës kundër diskriminimit gjinor.
PROFILET
“Politikania” që vesh nuset
Marçela Lati Peza, administratore “Geraldina Sposa”
Shumë prej jush (po iu drejtohem vetëm femrave) me siguri e kujtojnë Jeniffer Lopez në filmin “Wedding Planner” ku ajo (Maria Fiore) luan rolin e një planifikueseje martesash. E në ato raste mund të keni menduar se ky është një profesion që vërtet ia vlen ta provosh në jetë, edhe pse asgjë nuk është si në film. E këtë e pohon edhe Marçela Lati Peza, e cila është administratorja e një prej agjencive më të njohura dhe më me përvojë në tregun shqiptar “Geraldina Sposa”. Kur e takova në sallonin e saj në zemër të kryeqytetit m’u duk sikur hyra në një botë tjetër, bardhësi, mobilie shik, ndihmëset e saj që përpiqeshin të lëviznin pa bërë zhurmë dhe të zgjidhnin çdo kërkesë që vinte nga drejtuesja e tyre. Marçela më tregon se këtë rrugëtim e nisi në moshë shumë të re, dhe një buzëqeshje e lehtë i vjen natyrshëm. Nuk e dinte se do të hynte dhe do të “ngecte” në këtë botë ku duhet të lëvizësh si në një fushë shahu, me kujdes, klas, finesë dhe me shumë kreativitet, që ai/ajo në fund të përjetojnë atë që kanë ëndërruar. Marçela thotë se fillimi nuk ka qenë shumë i vështirë sepse tregu ishte i “etur” për këto shërbime. “Që nga viti 1995 e deri në vitin 2000 ishte një dyqan i thjeshtë i vogël, me fustane nusesh e që më pas u bënë dy, një filial i madh e kështu me radhë. E kështu me konsolidimin, lindi edhe marka shqiptare ‘Geraldina’. Nuk ka qenë e vështirë, sepse ishte një sipërmarrje e re dhe ishte koha e duhur për të eksperimentuar në treg. Ne e kishim me shumë pasion dhe e rëndësishme ishte që ta bënim sa më mirë. Akoma sot për ne fitimet janë në plan të dytë, edhe pse kjo ndoshta mund të tingëllojë disi e çuditshme. Është një punë e bukur që na fal shumë kënaqësi”, thotë Marçela.
Ajo thotë se është punuar shumë për ta bërë “Geraldina Sposa” një markë (e cila është edhe e patentuar prej vitesh pranë Zyrës së Patentave dhe Markave) shqiptare.
Jo rastësisht zgjodhën një emër të dashur për shqiptarët, siç është mbretëresha Geraldinë që përfaqëson fisnikërinë, klasin, madhështinë etj.
E duket sikur Marçela ka lindur për të bërë këtë profesion, por në fakt ajo është diplomuar për shkenca politike (Genova, Itali dhe Tiranë), zgjedhje që nuk do ta ribënte nëse “makina e kohës” do ta kthente pas.
Megjithëse mund të duket disi e vështirë të gjendet një fije lidhëse mes politikës dhe biznesit të nuseve, por ajo fare mirë mund të jetë marrëdhënia me njerëzit.
“Ka qenë një shkollim i mirë, por jo i duhuri për këtë punë dhe të mendosh që i kam urryer gjithmonë shifrat, me të cilat duhet të merrem në një pjesë të mirë të ditës”.
Një nga pikat e saj të forta është fakti se ajo është në këtë sipërmarrje së bashku me bashkëshortin e saj, Armand Pezën. Dy ortakë si në jetë ashtu edhe në punë. Të dy kanë bërë një pakt të heshtur që çështjet e familjes t’i lënë jashtë derës së punës, por të punës mund t’i çojnë në shtëpi. “Duhet të jesh artist për ta bërë këtë punë. Mandi, ai që e përmbush fare mirë këtë pjesë, ndërsa unë jam e fortë në menaxhimin e gjithë kësaj strukture”, thotë Marçela. Ajo nuk beson se të qenët në një biznes me bashkëshortin nënkupton kthimin si bumerang. “Ne kemi qëndruar bashkë si partnerë në biznes për shumë kohë dhe ia kemi dalë. Tashmë me rritjen e përmasave të biznesit dy shtyllat e forta të këtij biznesi që janë veshja e nusërisë dhe menaxhimi i eventeve janë ndarë. Mandi është në krye të organizimit të eventeve, ndërsa unë merrem me veshjet e nusërisë. Kemi një objektiv të përbashkët, por që e arrijmë duke punuar veç e veç. Edhe pse jemi në të njëjtën ndërtesë, na ndodh që të mos takohemi shpesh”, thotë Marçela.
Për ta realizuar një event nga A-ja te Zh-ja për Marçelën nuk është aspak e vështirë, falë përvojës dhe profesionalizmit, por edhe sepse në sirtar kanë gjithmonë një plan të dytë.
Të planifikuarit e martesave jo rrallëherë është bërë subjekt edhe i filmave hollivudianë, por a është po kaq bukur në realitet? “Filmat shpesh nuk paraqesin lodhjen që të shkakton përgatitja e një eventi. Për të pasur një ‘show’ duhet të punosh për ditë me radhë, 24 orë. Është punë që ka vështirësi, por edhe përgjegjësi”, thotë Marçela. Konkurrencën e vlerëson si një aspekt pozitiv, sepse është tregu ai që përcakton vlerat që do të ketë gjithsecili dhe krahasimi është ai që bën diferencën.
Marçela kalimin e biznesit në një të ardhme në duart e fëmijëve e sheh si një vendim që duhet ta marrin ata vetë, edhe pse me kënaqësi konstaton që Kaltra, njëra nga vajzat, po shfaq prirje artisteje.
Veten shpesh e konsideron si tepër kritike, por me kalimin e kohës ka arritur të gjejë balancimin mes asaj që është bërë dhe perfeksionimit. E në një fushë të tillë, përsosmëria është një nivel që kërkohet nga shumëkush, sepse tek e fundit bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndësishme në jetën e njeriut, që vjen një herë në jetë ose të paktën kështu mendohet.
Por, planet e afërta të “Geraldina Sposa”, Marçela preferon t’i mbajë sekret dhe thotë: Gjithçka në kohën e vet.
——————————
Vetëm një biznes nuk mjafton (?)
Alekta Vejsiu, administratore “Class Events & Weeding Planning”
Duket se është organike, thirrja që shpesh kanë personazhet e famshëm të botës së spektaklit, kinemasë, televizionit etj, për të pasur edhe biznesin personal. Shihet si një plotësim, si një sfidë që kapërcehet me do kusht.
Duket se ju pëlqejnë sfidat dhe këtë e tregon edhe fakti se tashme ju keni një biznes tuajin për organizime eventesh, kjo e plotëson kuadrin apo asnjëherë nuk i dihet?
Class është një sipërmarrje që më ka përfshirë, që rritet do ditë falë besimit të klientëve. Por, është edhe një tranzit drejt një grupi biznesesh që po krijoj.
Jeni një femër e suksesshme në botën e spektaklit, keni një bashkëproduksion si është X Factor dhe se fundmi edhe “Class”, si gjeni kohën për të gjitha këto pa harruar që jeni edhe nënë?
Jam shumë e organizuar. Gjithçka në menaxhim nis me planifikimin dhe përmbyllet me kontrollin. Në këto të dyja kam performancë të mirë. Pastaj jam e fokusuar dhe vizionare. Skicoj gjithçka në letër (d.m.th në i Phone), mbaj shënime gjatë gjithë kohës dhe i rikthehem 100 herë të njëjtit zë deri sa i vë vizën si “e përfunduar”!
Për të ngritur dhe zhvilluar një sipërmarrje nuk mjafton vetëm kapitali, cila është strategjia juaj në një treg ku nuk mungojnë shërbime të tilla?
Class ka si strategji raportin çmim/cilësi, variacion markash dhe një strukturë shërbimesh që mund të përfytyrohet si me shumë kate. Në do kat gjen një shërbim të domosdoshëm për eventin pa u lodhur e hallakatur. Sa me shumë shërbime në një vend, aq më shume energji, kohë e para të kursyera.
A mendoni se vjen natyrshëm kjo “thirrja” për t’iu futur botës së biznesit, duke qenë se nuk mungojnë femrat e spektaklit që e kanë provuar?
Vjen si rezultat i një vizioni të hershëm për të cilin kam menduar shumë e re. Kam studiuar në Fakultetin Ekonomik, vijoj të jem në kontakt me literaturën e biznesit dhe të rejat e teknologjisë. Jam gjithë kohës në ndjekje liderësh e modelesh të suksesshme botërore. Dua të them që “Class” nuk është një rastësi. Është një projekt i vërtetë, shumë ambicioz që ka kaluar do pritshmëri timen në këto 6 muaj. Është i freskët, elegant, novator, investon çdo ditë që të kënaqë klientët e tij, si në do vend tjetër perëndimorë e me standarde.
Besoj se në këtë fushe ku ju keni filluar të bëni pjesë janë shumë të rëndësishme të “gjashtë shqisat”…
Shqisën e 6-të duhet ta kem të veçantë. Ajo vlerëson dhe pesë të tjerat që i kam normale, si të gjithë njerëzit.
Si e shihni rolin e gruas shqiptare në sipërmarrje?
E thjeshtë nuk është. Duhet të kesh një infrastrukturë sado modeste të ndihmojë në mbarëvajtjen e fëmijëve dhe familjes që të jesh e qetë dhe me energjitë e duhura për të qenë eficiente sa duhet në punë. Kam zgjedhur të delegoj shumë gjëra në punë që të krijojë më shumë hapësirë për rritjen e fëmijëve, gatimin (një tjetër aftësi që e tregon Alketa), etj.
Të gjithëve na ka ndodhur të ndalemi dhe të bëjmë një bilanc të jetën, po ju?
Nuk jam aq e kalkuluar se ta kthej jetën në matematikë. Jeta është liri, nuk është matematikë e kontabilitet. Ka ulje-ngritjet e veta, pluset e minuset, njerëzit e mirë e ata të dobët, ata me vlera e ata pa shtyllë kurrizore, ata që dine të rriten cilësisht në kohë dhe ata që mbeten të vegjël e pa përmasa. Po jeta ndaj është e bukur se ka dinamikë. Di të them që gjithçka kam realizuar deri tani është në harmoni me ndërgjegjen dhe ëndrrat e mia. Bërthama e jetës time është familja. Jam thjeshtësisht e qetë, e lumtur dhe e bekuar.
A keni modele në jetë?
Mamin për mirësinë dhe zemrën.
Lemken për normat dhe ngrohtësinë familjare.
Mamin e dytë për eksperiencën, botën,mprehtësinë .
Nusepashkën për mençurinë, përmasën dhe mirësinë e pakufishme.
Model botëror profesional kam Oprah Winfrey.
——————————
Frymëzuar nga natyra
Aida Bala Kastrati, administratore e “Natyral Razma Resort”
Në veri të Shqipërisë, 1,022 metra mbi nivelin e detit (në Razëm, 40 kilometra larg qytetit të Shkodrës), mes maleve të bukura gjendet një resort shumë i këndshëm (me pishinë dhe me sauna të mbuluara). Vendi është i bukur dhe i egër dhe është shpallur zonë turistike që në vitin 1935, nga Mbreti Zog për veçoritë klimaterike. Ndoshta janë të shumtë ata që e kanë vizituar dhe shijuar nga afër “Natyral Razma Resort”, si një nga më të veçantët në Shqipëri. Prej disa vitesh, ai menaxhohet nga çifti Kastrati. Administratorja e këtij resorti Aida Bala Kastrati është një ndër femrat e pakta në Shqipëri që ka marrë përsipër të realizojë një model të suksesshëm turizmi, që i përgjigjet jo vetëm kërkesës së brendshme, por edhe tregut të huaj.
Ajo tregon se nuk është aspak e lehtë të drejtosh një resort turistik në Shqipëri, duke pasur parasysh një tërësi problematikash që hasen, si në: infrastrukturë, në përgatitjen e stafit, në përgjithësi në mendësinë e shqiptarëve për të pranuar një standard të tillë. Një pjesë e tyre tashmë janë tejkaluar dhe siç thotë edhe Aida, tashmë shumë gjëra kanë marrë rrugën e duhur. Për “Natyral Razma Resort” flet me një pasion që duket se nuk do të zbehet asnjëherë. Aida tregon se është një investim i sjellë në kohë, ku gërshetohet e kaluara me të sotmen, por edhe me të ardhmen. “Është një gërshetim i hapësirave me intimitetin. Pushuesit duhet të ndihen mirë edhe kur janë vetëm. Është një resort i konceptuar për ta bërë njeriun të lumtur dhe për të komunikuar. Që në fillim u konceptua si i tillë. Sigurisht që disa gjëra përmirësohen edhe gjatë punës, por asgjë nuk ka qenë e rastësishme, çdo gjë është menduar në detaje”, thotë ajo.
Tek Aida bie në sy stili kreativ, veçanërisht në marketingun e ofertave, ku nuk mungojnë notat humoristike, romantike apo edhe nga gojëdhënat e ndryshme shqiptare. Janë këto “gjetje” që tërheqin turistët drejt Razmës, sepse të bësh turizëm do të thotë të ofrosh diçka të re, të dallueshme nga të tjerët dhe në gjendje të të rikthejë përsëri në të njëjtin vend. Ajo thotë se gjatë punës për hartimin e tyre u drejtohen target grupeve të ndryshme, por gjithmonë duke ruajtur thelbin dhe stilin e resortit. Paketat që ofrohen janë për takime pune, që cilat paraqesin një koncept unik, kreativ duke gërshetuar punën dhe argëtimin; të lumturisë që janë të vlefshme gjatë gjithë vitit (me nënpaketat: E Bukura e Dheut apo Shtojzovallet), të kënaqësisë me një nga paketat “Shëtitjet e Nastradinit”, konceptuar për të qenë një ditë “Nastradin”, për ta marrë jetën lehtësisht dhe thellësisht, pra për t’iu larguar streseve të jetës. Mandej me paketat e stinëve të vlefshme sipas stinëve apo ato të Alpeve e meditimit.
Frymëzimin e gjen te natyra. “Duke qenë në zemër të Alpeve gërshetohet resorti dhe të gjitha hapësirat, duke përfshirë jo vetëm Razmën, por edhe Thethin e Vermoshin. Pozicioni gjeografik, mënyra e konceptimit të resortit dhe ndërthurja e hapësirave brenda dhe jashtë e bën shumë tërheqës për pushuesit, të cilët e pëlqejnë shumë këtë mënyrë pushimi”, thotë Aida.
Por, në këtë sipërmarrje sa të bukur edhe të vështirë ajo nuk është e vetme, sepse në krah ka edhe bashkëshortin. Të qenët bashkë në biznes e sheh shumë produktive. “Ne kemi gjithsecili detyrat e veta, por edhe punë të përbashkëta. Ka shumë diskutim dhe rrahje mendimesh, duke bërë gjithmonë që edhe rezultati të jetë më i mirë”.
Në menaxhim thotë se udhëhiqet nga ndershmëria dhe korrektësia që përbëjnë edhe pikat e forta. Ndërsa për të sfidat janë disa e që kanë të bëjnë që nga përpjekjet për të ulur koston përmes futjes së energjisë së rinovueshme dhe deri te politikat e marketingut, shtrirja më tepër në rajon.
E që një drejtuese të jetë e zonja në fushën e turizmit, për Aidën duhet të ketë disa aftësi, siç është pasioni dhe përkushtimi. “Duhet ta dojë punën që bën dhe të punojë pa u lodhur”, thotë ajo.
Të ardhmen e turizmit në Shqipëri e parashikon me më shumë hotele, resorte apo aktivitete që lidhen me turizmin, për të bërë të mundur rritjen e pushuesve, sidomos të huaj. Sipas saj, të gjitha hallkat e sektorit duhet të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion të mirëfilltë turistik.
——————————
“Agjentet” Bardhi, në “dashuri” me Turqinë
Sava Bardhi, administratore e “Sava Tours
Kur ka kaluar një dekadë nga biznesi që ke ngritur jo me pak vështirësi, kupton se ia ka vlejtur “barra qiranë”, por për Sava Bardhin, administratoren e agjencisë turistike “Sava Tours”, ka ende shumë gjëra për t’u bërë. Kur u takuam në “Caffe d’Paris”, më tha se në fakt, ky profil duhej t’i bëhej motrës së saj, Jetës. Jetën? Kisha vite që e njihja Savën, por për motrën e saj më të madhe nuk kisha dëgjuar, madje as e kisha parë në agjenci. Sepse asaj i pëlqen të punojë “në hije”. “Është Jeta ‘truri’ i këtij biznesi, ndërsa unë jam ‘krahu’”, tregon me çiltërsinë dhe thjeshtësinë që e karakterizon vetë Savën. Ishin vitet ‘92-‘93, kur Jeta Bardhi do të përfundonte studimet për gjuhë-letërsi. Një nga pasionet e saj (që më vonë do ta ndihmonte edhe në biznes, edhe pse ende nuk e dinte) ishin gjuhët e huaja, dinte mjaft mirë pesë të tilla (dy disi më pak). Studimet për orientalistikë do ta çonin në Turqi, Stamboll. Për arsye të ndryshme nuk i pëlqeu ky drejtim dhe më pas nisi të bënte punë të ndryshme, siç ishte sekretare në një fabrikë. Ishte koha kur në Turqi filluan të “dyndeshin” rusët, por tashmë Jeta e kishte marrë vendimin për t’u kthyer në Shqipëri, por me këmbënguljen e një shoqeje, ajo aplikoi për një vend pune në një agjenci turistike. Do të habitej shumë kur do të merrte lajmin se agjencia jo vetëm e kishte pranuar për atë vend, por do të merrte edhe pagën që ajo kishte kërkuar. Dukej se fati ishte në anën e saj, por edhe gjuhët e huaja që kishte mësuar po nisnin të jepnin benefitet e tyre. Kur nisi punë në agjencinë turistike në Stamboll e kuptoi se në fakt nuk e dinte “mirë” rusishten, edhe pse në shkollë kishte dalë me rezultate të larta, (në fakt dinte atë që kishte mësuar në shkolla), prandaj në orët e vona studionte me kujdes të gjitha fakset që mbërrinin. Një nga gjërat që nisi të bënte ishte edhe detyra e guidës, përfshi këtu edhe grupet me shqiptarë që në atë kohë vizitonin Stambollin. Ishte viti ‘97 kur rastësisht vendosi të shkonte në Antalia dhe nisi punën po në një agjenci turistike si menaxhere produktesh dhe rezervimesh. Në këtë kohë, miqtë dhe të afërm nga Shqipëria nisën ta kontaktonin, ca për hall e të tjerë kuptuan se Antalia ishte një vend vërtet i bukur. Ishte kjo koha kur shqiptarët do të binin në dashuri me Turqinë turistike, dashuri e cila ende vazhdon. Një dashuri e cila rezultoi e fuqishme edhe për motrat Bardhi. Numri i shqiptarëve që kontaktonin ishte në rritje dhe kjo bëri që Jeta të niste të mendonte seriozisht se duhet të bënte diçka dhe që këtë ta shtrinte edhe në Shqipëri, sepse tashmë në agjenci ajo mbante detyrën si përgjegjëse për kontratat për rezervimet nga ish-republikat sovjetike. Sava tregon se një pjesë e agjencive ruse që sillnin turistë në Turqi kontaktonin me Jetën pasi ishte ajo që hartonte kontratat. Jeta gjatë gjithë vitit ndahej mes Turqisë dhe ish-republikave ruse. Nga ana tjetër, në Tiranë, shumë po nxisnin Savën që të ngrite diçka. Dhe ai moment nuk vonoi. Në vitin 2001, kur Sava do të niste marrëdhënien me një agjenci turistike me të cilën do të “ngrinte” edhe çarterin e parë. Një përvojë që ajo e quan “dramatike”, të tmerrshme, sepse frika që nuk do të arrinte dot të mbushte avionin rus “Topolev” ishte shumë e madhe. Nga ana tjetër, ajo nuk donte kurrsesi që të zhgënjente edhe partnerin në biznes. Por, gjithçka shkoi shumë më mirë nga sa ishte menduar dhe kështu erdhi edhe fitimi i parë. Shumë shpejt, Sava kuptoi se arma e saj e fortë ishte “shitja”, por edhe kurimi i detajeve që janë dy aspekte shumë të rëndësishme në këtë fushë.
“Nëse një hallkë shkëputet, thotë Sava, atëherë prishet i gjithë zinxhiri. Dhe natyrisht duhet të kesh shumë dashuri për punën që bën”. Nuhatja dhe disiplina janë aftësi që duhen për të çuar përpara me sukses një agjenci turistike.
“Përvoja që kishte Jeta na ndihmonte që të kishim një vizion krejt të ndryshëm nga ai që kishte tregu shqiptar dhe kjo përbënte një avantazh kundrejt konkurrentëve. Ishim dy vajza shumë punëtore, të motivuara, avangarde dhe kureshtare për të eksploruar. Natyrisht që Jeta më ndihmonte me përvojën e saj. Dinte të parashikonte të gjitha hapat, por kjo në një moment nuk mjaftonte. Ishim të rinj në treg dhe konkurrenca shumë e lartë kur nisëm të realizonim udhëtime në Antalia, ndaj na duhej diçka e re. Atëherë në lojë u fut promovimi. Realizuam një katalog si dhe vendosëm guida të specializuara në terren, të cilët dinin gjuhët, terrenin, por edhe asistonte në çdo rast. Ne e kuptuam se kjo do të ishte forca jonë, sepse çmimet ishin pothuajse njësoj. Duhet të sillnim diçka ndryshe. I dhamë shumë rëndësi edhe përmbajtjes së informacioneve që gjendeshin në katalog që jo vetëm të ishin të sakta, por edhe të shkruara korrekt nga ana gjuhësore”, thotë Sava. Në turizëm, sipas Savës, është thelbësore të shesësh ndershmërisht, në mënyrë që turistët të mos ndeshen me surpriza të pakëndshme. Dhjetë vjet pas, Sava thotë se ka fituar një përvojë të madhe që ka kaluar përmes një sërë momentesh të vështira. “Në fillim, kur shkoja të inspektoja hotelet në destinacione të ndryshme, duke mos njohur shijet e klientit, u jepja rëndësi gjërave që më dukeshin mua si të rëndësishme, ndërkohë që me kohën kuptova që kërkesat e klientëve ishin krejt të ndryshme nga të miat.
Shqiptarët duan gjëra që janë të kuptueshme dhe të justifikueshme. Nëse shet për një italian do t’i kushtosh më shumë rëndësi natyrës, detit, malit, gjelbërimit, pozicionimit, ndërsa shqiptarët tashmë kanë filluar të jenë të ndjeshëm edhe ndaj këtyre aspekteve. Iu intereson më shumë komoditeti, luksi, dhoma, por edhe pishina. E kjo është e kuptueshme duke qenë se shqiptarët kanë mangësi gjatë jetës së përditshme dhe përjetojnë shumë strese gjatë vitit, ndaj ata duan që në dhjetë ditë pushimi të ndihen mirë”, thotë Sava. E të gjitha këto janë të vërteta veçanërisht në rastin e Turqisë, dashuri e cila do të vazhdojë gjatë për shqiptarët, sepse sistemi i saj turistik ka gjithçka që ata duan dhe mbi të gjitha iu kursen atyre shumë kokëçarje. “Turqia ka raportin më të mirë çmim/shërbim, pastaj gjen shumë argëtime për fëmijët. Është vështirë të gjesh diçka të ngjashme”, thotë Sava.
Ndihet keq për faktin se tregu shqiptar i vogël e papërvojë nuk i lë dorë të lirë për të bërë atë që do të dëshironte”. Për Savën, “kërcënimi” nga shërbimi online përbën një tendencë duke qenë se njerëzit do të vazhdojnë të eksperimentojnë, por ajo e quan shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm rolin e agjentit i cili ofron garanci dhe ndihmë në rast evenimenti e në rastin e shërbimit të marrë online, kjo mungon.
“Për udhëtime ditore është më e justifikueshme përdorimi i shërbimit online, por familjarët nuk duan të përballen me surpriza, nuk do kokëçarje. Sigurisht që online është një konkurrent i fortë, por jo gjithmonë ofertat e marra në këtë formë janë të besueshme dhe i përgjigjen në realitet asaj që është parë në foto”.
Ecurinë e turizmit për këtë vit, Sava e parashikon optimiste. Greqia do të jetë gjithashtu një destinacion me autobusë çarter, ku agjencia do të fokusohet, një zgjedhje që vjen pas bindjes se ky treg ka pritshmëri të mirë. Gjatë verës, pikat e forta të agjencisë janë edhe kroçierat, kryesisht në Itali, ndërsa gjatë dimrit destinacionet e nxehta, si Zanzibari, Kuba, Dubai etj.
——————————
Lediana Fratari: E ardhmja ime, pse jo dhe në politikë
Për dikë që lind nga një familje e pasur, intelektuale dhe me tradita sigurisht që mund të jetë më e lehtë për të realizuar dëshirat dhe qëllimet, por kjo nuk mjafton.
Lediana Fratari, 24-vjeçarja, e bija e një prej ndërtuesve më të njohur në vend, Hajredin Fratari, zgjodhi të bënte një shkollim të fortë në një prej shteteve me arsimin me nivel më të lartë, por edhe të vështirë, Britaninë e Madhe.
Ajo është diplomuar në “London School of Economics and Political Science” duke marrë formimin e duhur edhe në drejtim të menaxhimit, ekonomisë, por edhe politikës.
Znj. Fratari tregon për “Monitor” se ka qenë sfidë dhe dëshirë e saj të kthehej në Shqipëri dhe të niste menaxhimin e krijuar më parë nga babai i saj. Për momentin, ky është një nga pikësynimet që ajo i ka vënë vetes.
“Kur në jetë dua të arrij diçka e arrij, sepse jam këmbëngulëse, e palodhur dhe mbi të gjitha largpamëse”, thotë znj. Lediana.
Por ajo nuk ndalet me kaq. Tashmë ajo ka nisur menaxhimin e një biznesi paksa “maskilist” si ndërtimi, por në të ardhmen e sheh veten edhe në politikë.
Ju po menaxhoni tashmë një biznes që e ka pasur babai juaj, mendoni se jua ka dhënë këtë të drejtë, sepse e meritoni apo sepse jeni vajza e tij?
Në radhë të parë faleminderit për mundësinë që më dhatë për këtë intervistë. I lexoj rregullisht artikujt e revistës “Monitor”, sepse i gjej ata mjaft seriozë, të saktë dhe dobiprurës.
Për sa i takon pyetjes që më drejtoni, besoj se gjithçka që kam arritur deri tani është në sajë të aftësive personale, energjive që kam harxhuar, mundit, sakrificës dhe sidomos ambicies sime. Megjithatë nuk mund të mos përmend faktin domethënës se jam trashëgimtare e një biznesi të rëndësishëm siç është ndërtimi. Kjo edhe më ka favorizuar në hapat e mi të parë.
Ishte dëshira juaj që të bëheshit pjesë e biznesit të babait juaj apo dëshirë e tij?
Ishte dëshira ime dhe sidomos besimi i madh që kam te vetja që këtë biznes timin ta konsolidoja dhe ta zmadhoja më tej. Sigurisht që babai im ndihet krenar për zgjedhjen që kam bërë dhe më mbështet në çdo hap timin. Kur në jetë dua të arrij diçka e arrij, sepse jam këmbëngulëse, e palodhur dhe mbi të gjitha largpamëse.
Si është për një femër të drejtojë një biznes ndërtimi, kryesisht të përbërë nga meshkuj?
Të punuarit në Shqipëri ka vështirësitë dhe lehtësitë e veta. Të dyja këto janë të ndërthurura. Vështirësitë janë sepse i bie të përballesh në ndërtim me një opinion thellësisht maskilist, të paragjykojnë që në fillim dhe ty të duhet të përpiqesh shumë më tepër. Por, nga ana tjetër, ka edhe lehtësi, sepse kur shohin që një femër arrin më shumë përpjekje t’i kapërcejë vështirësitë, atëherë janë po këta meshkuj që të ndihmojnë dhe që bëhen bashkëpunëtorë të zotë për ty.
Sipas meje, për të drejtuar me sukses një biznes ndërtimi, duhet të zotërosh aftësitë drejtuese, menaxhuese dhe të kesh intuitë përpara situatave të ndryshme. Gjithashtu duhet të jesh e vendosur dhe këmbëngulëse për të komunikuar qartë dhe bindshëm si me bashkëpunëtorët, ashtu edhe me vartësit. Për sa kohë një femër i zotëron këto karakteristika të domosdoshme, unë nuk mendoj se do të ishte e vështirë për të qenë e suksesshme në biznesin tënd.
Ju vini nga jashtë vendit, sa të vështirë e keni pasur ambientimin me Shqipërinë?
Formimi dhe edukimi im në LSE (London School of Economics and Political Science) më ka ndihmuar dhe më ka pajisur me aftësinë që të përshtatem me lehtësi dhe shpejt me ambiente dhe me situata të ndryshme. Gjatë punës kam vënë re se mund të kapërcej edhe situata të vështira dhe të pakëndshme.
Jam e sigurt se puna e vështirë në biznes, përballja me shumë njerëz të ndryshëm mund të më krijojë një terren të përshtatshëm që në një të ardhme të merrem edhe me politikë për të cilën jam diplomuar, e kam me pasion, por sikurse edhe biznesin e kam të trashëguar, edhe politikën e kam të trashëguar nga familja.
Intervistoi: L.Çela
—————————————–
Iris Kazazi: Qëllimi im, fuqizimi i grave rurale
Iris Kazazi ishte një prej shumë vajzave në Tiranë që pati mundësinë të punonte në një projekt të huaj, i cili asistonte bujqësinë shqiptare. Si shumë projekte të tjera të huaja në Shqipëri, edhe SASA u mbyll, por kjo nuk e ndali znj. Kazazi që të ecte përpara me qëllimin e saj për të ndihmuar një nga sektorët më potencialë në vend, por ndër më problematikët gjithashtu.
Ajo ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe më pas ka ndjekur studimet master në marketing. Aktualisht është kandidate PHD në fushën e marketingut ku studimet i përqendron në aplikimin e strategjive të tregut në funksion të të varfërve.
Ka realizuar studime të ndryshme lidhur me zhvillimin e tregjeve dhe strategjive marketing për zhvillimin rural, gruas etj., të cilat janë botuar në disa vende e kryesisht në Zvicër.
Sot drejton Shoqatën Shqiptare të Marketingut, e përbërë nga një grup ekspertësh vendas dhe të huaj për disiplinat marketing në industri të ndryshme, të cilët asistojnë fermerët vendas për të përmirësuar prodhimet, etiketimin e tyre dhe shitjen e suksesshme më pas në treg.
“Fillimisht kam koordinuar projektin e qeverisë zvicerane në Shqipëri SASA dhe më pas vendosëm së bashku me kolegët ta vazhdonim më tej eksperiencën e fituar për tregun lokal. Ka qenë dhe mbetet një rrugë relativisht e vështirë të punosh për zhvillimin rural në Shqipëri. Megjithatë është shumë emocionuese dhe të fal dashuri pa fund, gjë që asnjëherë nuk ma ka dhënë asnjë punë tjetër”, tregon znj. Kazazi për “Monitor”.
Një nga sfidat më të rëndësishme që ajo ka ndërmarrë si drejtuese e Shoqatës Shqiptare të Marketingut është asistimi i grave rurale, jo vetëm duke i ndihmuar ato në promovimin e produkteve që prodhojnë, por edhe në përmirësimin e jetës së tyre shoqërore dhe ekonomike. Në këtë “sipërmarrje” të saj, historitë që ka ndeshur janë të shumta.
“Sfidat që një grua has janë të shumta. Shpesh është e trishtueshme të shohësh shtresat në nevojë e sidomos gratë në zonat rurale, të cilat janë të mbingarkuara me punë për të mbajtur familjen e sërish nuk kanë mundësi të marrin vendime për veten dhe biznesin e tyre, nuk kanë akses mbi burimet e ndryshme, etj.
E megjithatë, së bashku, kemi plot histori suksesi dhe jam krenare të pohoj që shumë prej tyre, në sajë të punës së përbashkët që kemi bërë, ia kanë dalë mbanë dhe aktualisht menaxhojnë suksesshëm bizneset e tyre në tregun lokal dhe eksporte”, thotë Iris Kazazi.
Tregon se gjatë punës në Shoqatën Shqiptare të Marketingut ka hasur vështirësi të mëdha. Kjo sepse nuk është e lehtë të jesh konkurrues në një treg të varfër, pasi në sektorin ku organizata operon, përfituesit e shërbimeve janë kryesisht të varfër dhe financuesit tanë janë organizatat ndërkombëtare.
“Personalisht u jam mirënjohëse atyre që na kanë besuar dhe investuar për rritjen e kapaciteteve tona nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencës, trajnimeve dhe konsulencave të shumta.
Është shumë e rëndësishme të kuptosh rëndësinë e cilësisë së shërbimit, e cila sot lë shumë për të dëshiruar në përgjithësi në treg. Kjo është ajo që na ka bërë të suksesshëm: një vëmendje e veçantë te detajet dhe cilësia, si dhe fryma e bashkëpunimit që kemi në skuadër”, thotë drejtuesja e Shoqatës Shqiptare të Marketingut.
Përveç menaxhimit të organizatës të ngritur para disa vitesh me një grup ekspertësh, Iris Kazazi punon si eksperte për agjenci të huaja ndërkombëtare dhe organizata të tjera ku ka ofruar përvojën e saj në fushat e zhvillimit dhe përmirësimit të strategjive marketing, tregjeve, përfshirjes aktive të gruas si një aktor i rëndësishëm në zhvillim, punësimit të të rinjve, standardeve të cilësisë dhe markave rajonale etj.
Iris Kazazi ka dhënë përvojën kryesisht në Ballkan dhe në disa vende të tjera si Ukrainë, etj.
L.Çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.