Në vite, ecuria e kursit të këmbimit ka pasur një sjellje që vështirë se shpjegohet me faktorë direkt makro dhe të ekonomisë së ligjshme, si bilanci i pagesa, ai tregtar, tendenca e prurjeve të emigrantëve, apo dhe ecuria mes euros dhe dollarit në tregjet ndërkombëtare.
Të dhënat historike tregojnë se ka vite kur deficiti tregtar është rritur, çka nënkupton se importet kanë qenë në rritje, duke nxjerrë më shumë valutë nga vendi dhe eksportet në tkurrje, pra ka hyrë më pak valutë në vend dhe sërish, monedha vendase është forcuar.
Një sjellje e tillë është konstatuar në periudhat 2005-2008 dhe 2013-2016.
Sidomos në periudhën 2005-2008, euro ka qenë e fortë dhe në bursat ndërkombëtare, duke mos justifikuar nënçmimin e saj në tregun vendas.
Kërcimi më i madh i euros është konstatuar në periudhën 2009-2011, kur nga 123 lekë në 2009, monedha përbashkët arriti në 140 lekë në 2011-n. Më shumë se faktorët e jashtëm, ndikimin kryesor, sipas edhe vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë të asaj kohe, e dha transferimi i fitimeve nga kompanitë celulare, Vodafone dhe AMC (sot Telecom Albania). Në vitin 2008, këto dy kompani arritën fitime rekord prej rreth 190 milionë eurosh së bashku, një pjesë e të cilave u transferuan te mëmat në vitin e mëparshëm. Për një treg që në atë kohë vlerësohej se kishte këmbime valutore 2-5 milionë euro në ditë, këto ishin shuma të konsiderueshme, që e “shkundën” tregun. Dy kompanitë kanë vijuar me fitime të larta deri në 2012, më pas ato kanë rënë ndjeshëm.
Pas forcimit të 2009-2010, tregu i këmbimeve valutore për disa vite arriti një lloj ekuilibri ku euro tregtohej mesatarisht me 140 lekë. Ai qëndroi rreth niveleve të tilla të larta edhe në 2015-n, kur në bursa euro zbriti në 1.11 USD, nga 1.33 vitin e mëparshëm. Atë vit, kursi i kryqëzuar (ruajtja e raportit Euro/USD në bursa) u mbajt përmes mbiçmimit të dollarit, me monedhën e gjelbër që arriti në 133 lekë.
Monedha vendase filloi të forcohej me shpejtësi në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke e mbyllur vitin në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a, teksa e kishte nisur në kuotën e 139.3 lekëve.
Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lek ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve.
Kanë qenë disa arsyet kryesore të kësaj sjelljeje të brendshme dhe të jashtme.
Si faktor i jashtëm, në tregjet ndërkombëtare ka qenë e dobët. Euro e mbylli vitin 2016 duke u këmbyer me 1.04 lekë, me një rënie vjetore prej 4.3%. Në fillim të 2016-s, euro këmbehet me 1.26 USD. Por rënia e euros në bursa nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar nënçmimin e saj në tregun e brendshëm. Në dhjetor të një viti më parë, kur euro zbriti në nivele të ngjashme në bursa, ajo këmbehej me rreth 139 lekë tek ne, ndërsa ishte dollari ai që reflektoi ndryshimin, duke u ngjitur në rreth 132 lekë.
Faktorët e brendshëm që kanë mbajtur euron të dobët janë disa:
-së pari, në 2016-n ka qenë i ndjeshëm zhvlerësimi i euros nga datat 14-20 të këtij muaji, kur paguhen TVSH dhe sigurimet. Aktorët e tregut pohonin se bizneset nxitonin të këmbenin valutën për të pasur likuiditete për të paguar taksat, edhe si rrjedhojë e presionit më të lartë nga autoritetet fiskale për të paguar taksat. Edhe gazsjellësi TAP, që filloi punën, ka ndikuar në kërkesën për monedhën vendase në ditët e pagimit të taksave.
-së dyti, oferta e euros ka qenë shumë e lartë në 2016-n, sidomos në gjysmën e dytë të vitit. Në kushtet kur eksportet kanë qenë gjatë gjithë vitit në rënie (për 11-mujorin tkurrja ishte 1.6%), deficiti tregtar (Diferenca mes eksporteve dhe importeve) është zgjeruar me 13% për të arritur në -2.2 miliardë euro dhe remitancat për 9-mujorin ishin në të njëjtin nivel si një vit më parë, mbetet e paqartë se nga ka hyrë kjo valutë.
-Së treti, ka pasur rritje të numrit të turistëve, që kanë sjellë më shumë valutë në vend. Vitet e fundit, bilanci i udhëtimeve është kthyer në pozitiv, ndonëse në nivele të vogla dhe për 9 mujorin 2016 arriti në nivele rekord.
Edhe Banka e Shqipërisë ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro. Aktorët e tregut pohojnë se oferta e lartë në valutë ka lidhje me paratë informale që po hyjnë nga shitja e hashashit, që pas tetorit, kur nisi dhe shitja e tij. Në dhjetor 2016, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët nga tetori i vitit 2009.
Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i kaluar, kur arriti në 132 lekë.
Janari 2017 nisi me një forcim të shpejtë të euros, që arriti deri në 137.3 në 19 janar dhe më pas ra me shpejtësi për të arritur në rreth 135 lekë, ku këmbehet aktualisht, i ndikuar si nga faktorët e jashtëm (euro këmbehet me rreth 1.05 USD) ashtu dhe në ata të brendshëm (të njëjtët që ndikuan në gjysmën e dytë të 2016-s).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.