Flet Gentian Bushati, menaxher i përgjjithshëm i Porsche Albania
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Mendoj se ky ndryshim ligjor do t’i shërbejë mjedisit, më shumë sesa tregut të makinave të reja. Mendoj se si çdo nismë që përmirëson cilësinë e jetës për ne dhe fëmijët tanë, duhet të jetë e mirëpritur nga bashkëqytetarët. Parku i makinave në Shqipëri është shumë i vjetër.
Kjo sjell shumë probleme për ndotjen, por edhe për sigurinë në rrugë, që tashmë është bërë një problem i madh, i shkaktuar jo vetëm nga pakujdesia e shoferëve. Përfituesi i madh do të jetë publiku dhe tregu i makinave të përdorura.
Si pritet të ndikojë vendimi në tregun e automjeteve në vend?
Kjo nismë do të ketë dy të mira për sa i përket tregut të makinave të përdorura, sepse siç e thashë më lart, nuk pritet të ketë efekt pozitiv të menjëhershëm te tregu i makinave të reja. Së pari, do të rrisë dhe do të krijojë mundësi që parku i makinave në Shqipëri të fillojë të “rinohet”.
Së dyti, vlera e stokut apo e makinave të përdorura që regjistrohen për herë të dytë do të rritet. Kjo gjë do të ulë importin e makinave të përdorura për 3-6-mujorin e parë të vitit që vjen. Më pas, tregu do ta rimarrë veten dhe besoj do të jemi në shifrat diku 40,000 makina të përdorura për 2019.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni se duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Referuar qëllimit të këtij ligji për përmirësimin e ndotjes së shkaktuar nga mjetet motorike me djegie të brendshme, mendoj se qeveria duhet të ndryshojë politikat e saj, në mënyrë që të nxisë blerjen e makinave të reja që shkaktojnë shumë më pak ndotje, ose ato që nuk shkaktojnë ndotje fare, siç janë makinat elektrike.
Këto makina kanë sot një çmim relativisht të lartë, për arsye të kostove të larta (bateria apo teknologjia e përparuar në to) ndaj mendoj se duhen lehtësi për të përkrahur këta blerës me ndërgjegje të madhe, do të thosha unë, në forma si ulja ose bërja 0 e TVSH, dhënia e parave si mbështetje për blerësit e këtyre mjeteve elektrike, sepse apo kanë ndikim në mjedis dhe, si rrjedhojë, në komunitet dhe taksat tona është e mira të rishpërndahen
për këta përfitues.
Shteti duhet të jetë i angazhuar të ulë ndotjen e Parkut të Makinave të tij, pasi janë shumë të vjetra. Mendoj se në këtë rast, Bashkia e Tiranës është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga Qeveria Qendrore. Hartimi i strategjisë së karikuesve dhe vendndodhjes së tyre në Unazën e Vogël të paktën, apo detyrimi i pikave të karburantit të kenë karikues të tillë për makinat elektrike
Mundoj se e ardhmja është tani!
Së fundmi janë shtuar automjetet që nxjerrin tym të zi kur qarkullojnë në rrugët e vendit. A vini re problematika që lidhen me cilësinë e dobët të karburantit në mjetet që vijnë për të kryer shërbim në servisin tuaj? A keni ndonjë vlerësim se pse ndodh kjo dhe si mund të ndalet?
Nuk e kuptoj as sot, sesi ka mundësi që makina të tilla janë ende në qarkullim!? Habia ime i referohet aspektit ligjor, që përcakton më së miri lejimin e çlirimit të gazrave në atmosferë nga makinat me djegie të brendshme, të cilat duhet të kontrollohen rigorozisht nga SGS, kompania përgjegjëse për kontrollin teknik të automjeteve në Shqipëri. Mendoj se duhet të ketë angazhim të disa pushteteve, si ai qendror, madje situata alarmante për sa i përket kontrollit të makinave duhet të ndryshojë sa më shpejt.
Për sa u përket karburanteve, ndërgjegjësimi i përdoruesve të mjeteve ka arritur aty ku të gjithë kritikojnë cilësinë e ofruar të karburanteve në Shqipëri. Ne kemi problem me ligjshmërinë, sepse po t’i referohemi ligjit apo institucioneve që merren me kontrollin e kalibrimin e këtij sektori, gjithçka duhet të jetë në parametra optimalë, por siç edhe publiku e di, një gjë e tillë nuk ndodh, cilësia e dobët, por edhe saktësia në mbushje shpeshherë, shënon më shumë sesa litrat.
Këto janë gjëra që me vullnet zgjidhen lehtësisht, ndaj Qeveria duhet të ndërhyjë që të përmirësojë cilësinë e karburanteve të përdorura në Shqipëri për të mundësuar përmirësimin e mjedisit, por edhe për të ulur kostot e dëmeve që shkakton kjo cilësi në mjetet që përdorim përditë.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Porsche Albania vëren se tregu këtë vit përsëri do të ketë rritje në krahasim me vitin 2017, por vlen të theksohet se rritja dyshifrore në 2016 apo 2017 nuk do të jetë e mundur. Kjo rritje me rënie, do të thosha unë, e ka burimin te forca blerëse në treg e individëve që ka rënë shumë.
Kompanitë janë ai grup i tregut që po rritet, ndërsa përditë e më shumë individët po blejnë më pak se dy vite më parë.
E megjithëkëtë, ne në Porsche Albania jemi pozitivë që rezultati ynë do të jetë një vit tjetër rekord për sa u përket numrave të makinave të dorëzuara në treg, rreth një në tre makina të shitura në Shqipëri ka dalë nga portat e Porsche Albania ne në radhë të parë nga markat lider në treg sot për sa i përket numrave si Volkswagen apo Skoda të ndjekura nga Audi dhe Seat. Gjithashtu në tregun e makinave të përdorura ku ne jemi të pranishëm me Das WeltAuto Albania, ne do të arrijmë një vit tjetër rekord shitjesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.