Pas projektit me vlerë 52 milionë euro për ndërtimin e një resorti turistik elitar, “Green Coast” i Balfin Group ka fituar të drejtën për të ndërtuar shëtitoren e Himarës.
Vendimi është marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili në mbledhjen e fundit ka miratuar lejen e zhvillimit për objektin “Lungomare”, në plazhin e Dhraleos, Bashkia e Himarës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k. Ky është një investim, i cili do të realizohet me fondet e shtetit dhe më shumë detaje do të mësohen me zbardhjen e vendimit nga KKT-ja.
Ndërkohë plani vendor i Bashkisë së Himarës parashikon rikualifikim urban të zonës bregdetare të Dhërmiut. Zona do të ruajë karakterin natyror, të hapur për një numër të kufizuar të resorteve , të mirintegruara me topografinë dhe strukturën e thatë të peizazhit pranë deltës së Rrugës së Bardhë, e cila është monumenti kryesor natyror i zonës. Drimadhe parashikohet të jetë pikë qendrore e ekonomisë të lirë, jetës argëtuese e natës dhe sporteve të ujit. Shëtitorja e Dhërmiut do të mundësojë krijimin e një segmenti të rëndësishëm shëtitoreje dhe grumbullime njerëzish, që aktualisht është një mungesë e ndjeshme në Dhërmi. Është konceptuar të realizohet si fillim në orientimin jugor gjatë bregut të Dhërmiut nga aksesi kryesor i tij. Shëtitorja do të fillojë atje ku sot është aksesi kryesor i Dhërmiut nga rruga e bregdetit me një shesh publik i formuar fizikisht me objekte ekzistuese dhe të reja hotelerie dhe shërbimesh. Vazhdon drejt jugut me një seksion bazë prej 12 metrash dhe zgjerohet në vende të caktuara në trajtën e shesheve publike në varësi të relievit ekzistues, etj.
Ky është një nga 12 vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili gjithashtu miratoi edhe lejen e ndërtimit për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve në Portin e Vlorës. Vlera e këtij projekti parashikohet në rreth 212 milionë lekë (pa TVSH).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.