Makinat dhe skafet e konfiskuar nga Policia kalojnë tek Rezerva e Shtetit, do shiten me ankand

10/06/2019 11:00 PM 0 komente

Një projektligj i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Mbrojtjes i kalon Rezervave Materiale të Shtetit kompetencën që të ndjekë procedurat standarde të ankandeve për mjetet rrugore dhe ato lundruese të konfiskuara apo bllokuara nga Policia e Shtetit.

Bëhet fjalë për të gjithë ato mjete që janë bllokuar deri në 31 dhjetor 2016.  “Mjetet rrugore, të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit deri në datën 31.12.2016, të cilat nuk kanë statusin juridik, (provë materiale), kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi” thuhet në nenin 1 të projektligjit. Nga ana tjetër për mjetet  rrugore të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare (me ose pa targa regjistrimi/leje qarkullimi nga një shtet i huaj) dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 1, të këtij ligji, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Edhe për mjetet lundruese do të ndiqet e njëjta praktikë. Kështu mjetet lundruese, të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit deri në datën 31.12.2016, të cilat nuk kanë statusin juridik, (provë materiale), kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Kurse mjetet lundruese, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare (me ose pa leje lundrimi nga një shtet i huaj) dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

“Kalimi i këtyre mjeteve nga mjediset e drejtorive të Policisë Vendore përkatëse dhe ato të Policisë Kufitare dhe Migracionit bëhet pranë mjediseve të Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, që korrespondon me territorin respektiv, së bashku me dokumentacionin shoqërues të mjetit. Procedurat e kalimit dhe të ç’regjistrimit rregullohen me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Të ardhurat e gjeneruara, sipas përcaktimeve në nenet e këtij ligji do të kalojnë në favor të buxhetin e shtetit. Ngarkohen të nxjerrin udhëzim të përbashkët në zbatim të këtij neni, Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe Ministri i Mbrojtjes” thuhet në projektligj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of