“Viti 2012 ishte më i suksesshmi që ka pasur ndonjëherë ‘Volkswagen Slovakia’”, thotë shefi ekzekutiv i njësisë Albrecht Reimold. “Ne mund të jemi 100% të sigurt se do të arrijmë objektivat tona”.
Ky nuk është një refren që mund ta dëgjoni shumë në Europën Perëndimore, pjesa më e madhe e së cilës është në recesion, ku industria po planifikon mbyllje fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës, pas rënies me dy shifra në kërkesën europiane.
Suksesi i VW në Sllovaki ilustron një ndarje midis prodhuesve të makinave të kontinentit.
Ata që ulën kostot dekadën e fundit në Europën Perëndimore, si “Volkswagen”, ose ata që nuk ndërtuan kurrë fabrika të shtrenjta si “Hyundai” dhe “Kia” të Koresë, po investojnë tashmë në modele të reja, duke fituar tregje të reja dhe duke rritur prodhimin.
Ata që vetëm po marrin në konsideratë ristrukturimin sot – “Peugeot”, “Fiat”, “Renault” dhe “Opel” – janë në rrezik, teksa problemet e tyre të thella në operacionet e Europës Perëndimore i tejkalojnë përfitimet e investimeve të tyre në njësitë më të lira lindore.
Midis tyre, grupi VW, “Mercedes”, “Kia” dhe “Hyundai” kanë rritur peshën e tyre në tregun europian në 35.5% në tetë muaj në fund të gushtit 2012, nga 30% në të njëjtën periudhë të 2010-s.
Në një simetri dëshpëruese, pjesa e kombinuar e “Renault Group”, “PSA Peugeot”, “Fiat Group” dhe “Opel” ka rënë në 33.3% nga 38.6%.
Lulëzimi lindor
Pasi Bashkimi Sovjetik ra në 1989-n, firmat e huaja të makinave dhe prodhues të tjerë derdhën miliarda euro në ish-shtetet aleate sovjetike, duke e transformuar rajonin që dikur njihej për teknologjitë e dobëta në një nga zonat me fabrikat më moderne të botës.
Një nga përfituesit më të mëdhenj ishte ish-Çekosllovakia, shteti i njohur për industrinë e rëndë, që u nda në mënyrë paqësore në vitin 1993, në Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Këto dy shtete janë tashmë ndër prodhuesit kryesorë të makinave për frymë.
Fabrikat në Poloni, Hungari dhe Slloveni gjithashtu janë lojtarë të mëdhenj në rajon, që prodhuan 3.24 milionë makina pasagjerësh në 2011-n, më shumë se një e pesta e BE-së në total.
Përfshirë qindra fabrikat e montimit të pjesëve që furnizojnë me pjesë të tilla si fshirëset e xhamave apo gomat, sektori punëson mbi 360,000 njerëz në rajon.
“Volkswagen”, i cili është në mes të një investimi prej 1.6 miliardë eurosh investime në operacionet e tij sllovake, është vetëm një shembull.
Më lart, në rrëzë të maleve Fatra të Sllovakisë, fabrika më moderne e zotëruar nga prodhuesi korean i makinave, “Kia Motors” duket se jo vetëm do të arrijë objektivin e prodhimit për 285,000 SUV makinat familjare kompakte.
“Ne mund ta kalojmë atë”, thotë Eek-Hee Lee, shefi i fabrikës. “Ndoshta 290,000”. Në kufi me Republikën Çeke, kompania motër “Hyundai” është gjithashtu drejt rritjes së prodhimit në kapacitetin e plotë prej 300,000 makinash.
Në Jug të Hungarisë, kompania gjermane “Daimler” filloi prodhimin e makinave të reja “Mercedes B-class”, në një fabrikë prej 800 milionë eurosh këtë mars, duke rritur prodhimin e makinave hungareze me 11% në tetë muajt e parë të vitit.
Ajo po merr në konsideratë prezantimin e një modeli të ri coupé vitin e ardhshëm dhe dyfishimin e prodhimit në 300,000 makina deri në 2015, ka raportuar media, një zhvillim mjaft i nevojshëm për një ekonomi që ka hyrë e dalë nga recesioni që nga viti 2008.
Eksportuesi më i madh çek, “Skoda” i VW, pret që të përmirësojë rekordin e tij të prodhimit të 875,000 makinave në 2007-n dhe planifikon që ta rrisë atë në 1 milion deri në 2014 dhe 1.5 milionë deri në vitin 2018.
“Ajo çka ne i kemi treguar Europës Perëndimore është se mund të shesësh makina edhe në kohë rëniesh ciklike, në rast se keni produktin e duhur”, ka pohuar shefi i “Skoda”, Werner Eichhorn, muajin e kaluar. “Makina më të zgjuara, më të mira, me një çmim tërheqës janë ato që prodhojmë ne dhe këto cilësi po na shpërblejnë tani”.
“Dacia” është relativisht një rast pozitiv për kompaninë e sëmurë mëmë, “Renault”, e cila ka derdhur 2 miliardë euro në fabrikën e saj në Mioveni, Rumani, që prej vitit 1999. Shitjet e “Dacia” kanë rezistuar në mënyrë të arsyeshme – ato ranë vetëm 2.7% gjatë nëntë muajve të 2012-s, ndërsa tregu ra me 7.2% – por kjo është një ecuri e mirë në raport me rënien e thellë të “Renault” me 21% për të njëjtën periudhë.
Shitjet europiane të “Kia”-s kërcyen me 20.5%, ndërsa të “Hyundai”-t u rritën me 9.6%.