Kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksic, ka pohuar se ndërsa qeveria do të mbështesë një hetim parlamentar, beson se sistemi gjyqësor duhet të përcaktojë nëse zyrtarët shtetërore kanë pranuar ryshfet
gjatë privatizimit të kompanisë së telekomunikacioneve në vend.
Luksic tha se për sa i përket çështjes së korrupsionit, “sistemi gjyqësor duhet të veprojë i pari”.
Deklarata e Kryeministrit erdhi një ditë pasi një pjesë e opozitës malazeze propozoi një hetim parlamentar lidhur me akuzat për korrupsion.
Ndërsa lëvizja u mbështet nga anëtarët e Parlamentit të partive qeverisëse, DPS dhe SDP, ata thanë se Parlamenti nuk duhet të fillonte një hetim deri sa prokuroria të niste hetimin e saj.
Prokurori i Shtetit për krimin e organizuar dhe korrupsionin ka premtuar se do të nisë një hetim lidhur me skandalin e ryshfetit.
Komisioni i Letrave me Vlerë i SHBA-ve pak ditë më parë arriti një ujdi me “Deutsche Telekom” dhe “Magyar Telecom”
lidhur me akuzat për korrupsion gjatë privatizimit të kompanive të telekomunikacionit të Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Në padinë e ngritur ndaj këtyre firmave, SHBA ngrinte akuzat se kompanitë u kishin paguar zyrtarëve malazezë rreth 7.35 milionë euro
në mënyrë që të lehtësonin blerjen e kompanisë së telekomunikacioneve të vendit me kushte të favorshme.
“Deutsche Telekom” dhe “Magyar Telekom” arritën një marrëveshje me agjencinë e SHBA-ve më 29 dhjetor dhe ranë dakord që të paguajnë 95 milionë dollarë
për të zgjidhur çështjen e akuzave se ata kishin thyer rregulloren kundër korrupsionit në marrëveshje të tyre në Mal të Zi dhe Maqedoni.