Qeveria malazeze ka nxjerrë së fundmi një ligj të ri, i cili ndalon pirjen e duhanit në ambientet e brendshme publike, një sfidë kjo shumë e madhe për një vend ballkanik që ka një prej normave më të larta të pirjes së duhanit, jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe në Europë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, më shumë se një e treta e personave madhorë malazezë janë konumatorë të rregullt të duhanit. Sipas këtij ligji të ri, duhani ndalohet në të gjitha ambientet publike të mbyllura, përfshirë restorantet, kafenetë, etj.
Përjashtim nga ky ligj bëjnë kazinotë, ku duhani ende lejohet. Gjobat për të gjitha ato biznese që nuk do ta respektojnë këtë ligj të ri fillojnë nga 500 euro deri në 20,000 euro.
Ditën e djeshmë të gjitha kafenetë në Podgoricë vendosën njoftime ku shkruhej se ndalohej duhani në ambientet e brendshme.
Por si ndaj çdo ligji të ri, edhe ndaj këtij nuk kanë munguar kritikat. “Ky ligj është thjesht një hipokrizi e përsëritur. Nëse ai do të ishte një nismë e Institutit të Shëndetit Publik, atëherë konsumi i duhanit do të ndalohej edhe në të gjitha kazinotë e vendit”, u shpreh Dusan, një konsumator i rregullt i duhanit. Mali i Zi, që shpreson të bëhet shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian, e ka nxjerrë edhe në 2004 një ligj të tillë, i cili nuk u zbatua kurrë”, përfundoi Dusan.
Edhe rregulloret e miratuara në vitin 2012 të cilat vendosnin taksa shtesë për të gjitha restoratnet që kishin vazhduar të lejonin konsumin e duhanit brenda ambienteve të tyre, ishin gjithashtu joefikase.
Por sipas deklaratës së fundit të Ministrit të Shëndetit, Kenan Hrapovic, Ministria do të sigurohet që kësaj herë ky ligj të zbatohet me përpikmëri.