Një marrëveshje për infrastrukturën e vaksinimit dhe rritjen e mëtejshme të dozave të vaksinës anti-Covid, pritet të nënshkruhet mes Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Europian.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjes së re të skanerit të avancuar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pjesë e paketës mbështetëse të Bashkimit Europian.
“Sfida e radhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me Bashkimin Europian do të finalizohet shumë shpejt. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë. Ne presim javën që vjen, në fillim të javës, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in. Dhe po vijojmë të negociojmë për të patur kontrata të tjera”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.
Ambasadori Soreca deklaroi se po negociohet për një grant mbi 11 milion euro, i cili do të vihet në dispozicion për shpërndarjen dhe blerjen e vaksinave.
“Së bashku ne po negociojmë një marrëveshje, për një grant prej më shumë se 11 milion euro për vaksinat. Për pajisjet për të shpërndarë vaksinat, por gjithashtu dhe blerjen e vaksinave. Shpresoj që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje në ditët në vijim”, u shpreh Ambasadori Soreca.
Me investimet e qeverisë shqiptare dhe mbështetjen e partnerëve, është dyfishuar flota e aparaturave jetëshpëtuese në spitale. Bashkimi Europian ka ndihmuar për pajisje mjekësore si monitorë, respiratorë, autoambulanca, grafi, etj dhe kjo është mbështetja e tetë në këtë vit pandemie e BE për spitalet COVID si dhe spitalet rajonale në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.