Qeveria populiste e Italisë do të ‘përkulet’ ndaj presionit të Bashkimit Evropian dhe do të reduktojë objektivat e saj të deficitit buxhetor për 2020 dhe 2021, duke përmbysur planet për mangësi më të mëdha që kishin tronditur tregjet, njoftoi gazeta Corriere della Sera sot, duke cituar një takim të Kabinetit.
Qeveria do të përmbahet me planin e saj për 2.4 përqind për 2019, duke reduktuar hendekun e synuar në 2.2 përqind dhe 2 përqind për dy vitet e ardhshme, sipas Corriere-s. Qeveria fillimisht tha se do të synonte 2.4 për qind për tre vitet e fundit.
Gazeta “La Repubblica’ raportoi një ndryshim të ngjashëm pozite, një ditë pasi zyrtarët e qeverisë kishin thënë se ishin të vendosur të ndiqnin planet e tyre fillestare.
Zëvendëskryeministri Luigi Di Maio, të martën, kishte thënë se qeveria do të përmbushte planin e saj për kufirin e deficitit prej 2.4 për qind të PBB-së deri në vitin 2021 për të mbajtur premtimet e zgjedhjeve për të ulur taksat, për të krijuar të ardhura minimale për të varfërit dhe për të ulur moshën e pensionit.
Italia tashmë ka borxhin më të madh nominal të rajonit dhe zotimet e saj për të shkelur rregullat e BE që kërkojnë reduktim të deficitit kanë ushqyer frikën e një krize të përtërirë dhe i ka dërguar yield-et e obligacioneve të vendit në nivele të larta.
“Ka shumë rreziqe politike që vijnë nga Italia,” tha Justin Tyler, drejtor me qendër në Sydney dhe drejtues i portofolit në Daintree Capital.
“Kushdo që beson se një qeveri populiste papritur do të jetë veçanërisht përgjegjëse në kuptimin fiskal, ka një pikëpamje të gabuar. Do të vazhdoni të shihni paqëndrueshmërinë e euro-s në vijim”.- tha ai.