Ekspertët e Eurostatit do të zbatojnë vlerësimin në partneritet të sistemit nacional statistikor të Maqedonisë. Prej sot deri në muajin e 17 do të vlerësohet Enti Shtetëror për Statistika, si koordinator i sistemit nacional statistikor dhe bartësit e autorizuar, të cilët janë të kyçur në zbatimin e hulumtimeve statistikore në shtet, njofton Portalb.
Në fokus të këtij vlerësimi do të jetë analiza e thellë dhe vlerësimi i sistemit statistikor në të gjitha 15 parimet, të cilat bëjnë pjesë në Kodeksin për punë të statistikës europiane.
Qëllimi është që në mënyrë objektive të vlerësohet zhvillimi në pajtueshmëri me Kodeksin, të konstatohen fushat ku është e nevojshme përforcimi i mëtejshëm, që të përmirësohet kualiteti i statistikave. Pritet që të përmirësohet transparenca dhe kredibiliteti i sistemit statistikor dhe të theksohen praktikat inovative të sistemit europian statistikor.
Eurostat, për së dyti herë, bën këtë lloj vlerësimi. I pari u bë në vitin 2010, të cilin e kanë kryer ekspertët për vlerësim, persona që kanë qenë pjesë e statistikave ose janë në pension, me përvojë të gjatë në institucionet e BE-së dhe mbikëqyrës të Eurostatit. /Portalb