Mes shenjave se Maqedonia po hyn në recesion dhe pas ankesave nga biznesi lidhur me faturat e papaguara, Kryeministri Gruevski ka pranuar për herë të parë se vonesa e pagesave në rimbursimin e TVSH-së dhe faturave të kompanive është një problem.
“Qëllimi ynë është që të kthejmë gjysmën e shumës deri në fund të nëntorit. Deri në fund të shkurtit 2013, problemi do të zgjidhet”, tha Gruevski, pa specifikuar se sa është shuma që qeveria i detyrohet sektorit privat.
Qeveria deri tani e kishte mohuar që u detyrohej shuma të mëdha firmave private, si në rimbursimin e TVSH-së ashtu dhe në punë të papaguara.
Por, shumë biznesmenë ishin ankuar se ky borxh i akumuluar po bëhej pengesa kryesore në problemet e tyre të likuiditetit.
“Është një virtyt të pranosh se një politikë ka qenë e gabuar dhe të përpiqesh ta rregullosh atë”, pohoi Branko Azeski, kreu i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë.
Një tjetër organizëm, Shoqata e Dhomave Ekonomike të Maqedonisë, në korrik kishte paralajmëruar se shumë kompani përballeshin me probleme kronike likuiditeti dhe se nuk kishte shenja përmirësimi.
Të dhënat e fundit tregojnë se pothuajse gjysma e të gjitha firmave në Maqedoni i kanë ngrirë tashmë llogaritë e tyre bankare.
Opozita e socialdemokratëve e ka përshkruar vendimin e Kryeministrit për të adresuar çështjen e borxhit shtetëror ndaj privatëve, si të pasinqertë.
“Në rast se do të ishte e sinqertë, ai do të kishte bërë publike shumën që shteti u detyrohet firmave. Në këtë mënyrë, ne do të kishim qenë në gjendje që të monitoronim nëse kompanitë do t’i merrnin paratë e tyre apo jo”, tha Zoran Jovanovski, zëvendëspresidenti i socialdemokratëve.
Partia opozitare kishte deklaruar më parë se madhësia e borxhit mund të arrinte në qindra miliona euro.
Gruevski tha se në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i situatës, qeveria do të kishte prioritet në 2013-n zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Maqedonia ka kaluar një kohë të vështirë këtë vit. Në një kohë që eksportet po tkurren si rrjedhojë e krizës europiane, vendi ka shënuar tre tremujorë radhazi me rritje negative dhe nuk ka shenja përmirësimi në horizont.
Si pjesë e përpjekjeve të vendit për të gjallëruar ekonominë në këtë kohë krize, gjatë dy viteve të fundit qeveria ka rritur shpenzimet në infrastrukturë.
Por, qeveria ka miratuar edhe një ligj, që i mundëson asaj të shtyjë pagesën e punëve të tilla dhe shumë firma janë ankuar se kjo është e padrejtë.
Banka Botërore, në raportin e fundit të saj, parashikon një vit të vështirë për Ballkanin Perëndimor. Ai parashikon një tkurrje të aktivitetit ekonomik në përgjithësi dhe po ashtu rritje të papunësisë.