Një hua deri në 15 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ProCredit Bank Maqedoni (PCBM) do të ndihmojë ndërmarrjet lokale mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) në Maqedoninë e Veriut, për të përballuar pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.
Fondet e BERZH-it do të adresojnë nevojat për likuiditet të bizneseve të vogla që po përjetojnë një rënie në aktivitet dhe qarkullim, për shkak të përhapjes së virusit.
Si një partner i përhershëm i BERZH, PCBM, u themelua në vitin 2003 dhe sot është banka e gjashtë më e madhe në Maqedoninë e Veriut me një pjesë të tregut prej 5.5% nga totali i aseteve. Sidoqoftë, pasi banka është e specializuar në huazimin e NVM-ve, pjesa e saj në treg për sa i përket kredive për NVM-të, qëndron në 14%.
Kredia demonstron besimin e BERZH në fuqinë e PCBM, sektorin bankar maqedonas dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë maqedonase.
“ProCredit Bank ka mbështetur me sukses ekonominë maqedonase për 17 vjet dhe është një partner i fortë i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend. Suksesi ynë është për shkak të partneritetit afatgjatë, transparencës në komunikim me klientët, shërbimit cilësor dhe huazimit si një bankë e përgjegjshme, në një situatë të aktivitetit të zvogëluar ekonomik për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në një situatë të pasigurisë së shtuar, është e rëndësishme që partneri i bankës t’u sigurojë klientëve nevojat e nevojshme në fonde për stabilizim dhe rritje të mëtejshme. Një mbështetje e rëndësishme është linja e kreditit të BERZH, ku fonde shtesë në vlerë prej 15 milionë eurosh do të injektohen në ekonominë maqedonase”, tha Emilija Spirovska, anëtare e Bordit të Drejtorëve të ProCredit Bank Maqedoni.