Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do ta shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për hapjen e kufijve me shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, duke lejuar hyrjen pa test PCR.
Maqedonia e Veriut do të vendos sot për hapjen e kufijve me Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, pa test PCR.
Një vendim i tillë pritet të merret pas propozimit që i ka shkuar qeverisë maqedonase nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se propozimi për këtë nismë rajonale do të diskutohet të martën në mbledhjen e qeverisë dhe se vendimi me gjasë do të jetë pozitiv.
“Bëhet fjalë për nismë rajonale, jo të Maqedonisë së Veriut pasi kemi një rajonal të vogël, ndërsa shifrat thuajse janë identike. Me siguri se do të marrim vendim në qeveri, kemi debat kualitativ, kjo do të ndihmojë edhe ekonomikisht, por duhet të kemi kujdes… Ne nuk duam të jemi të izoluar nga rajoni. Nëse rajoni është i hapur edhe ne duhet, jemi shteti i vogël, i lidhur me rajonin. Ne marrim vendime pozitive kur propozime të tillë bëhen nga ekspertët të Komisionit të Sëmundjeve Infektive”, ka deklaruar Zaev.
Vendim të ngjashëm për hapjen e kufijve pritet të miratojnë edhe qeveritë e shteteve të rajonit, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin pa prezantuar para autoriteteve kufitare testin negativ për koronavirus.
Gjatë ditës së hënë, Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut ka propozuar të hapen kufijtë dhe të hiqen kufizimet për shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Sipas analizave, nuk ka aktualisht indikacion, përkatësisht nuk ka numër të lartë të rasteve të importuara me COVID-19 në shtetet nga këto vende. Sipas kësaj, nuk ka rrezik të hapen kufijtë. Propozimi do t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.
Kurse, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, e cilësoi si lajm të mirë propozimin nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive në Maqedoninë e Veriut.
“Numri i të infektuarve në vendin tonë me COVID-19 nuk përbën rrezik dhe e përshëndes propozimin për hapjen e kufijve pa test PCR. Uroj që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ta miratojë këtë propozim”, tha Zemaj në një postim në Facebook.
Shtetasit e Maqedonisë e Veriut aktualisht mund të lëvizin pa testin PCR vetëm në Republikën e Shqipërisë.
Heqja e kufijve së fundi është kërkuar edhe nga Odat Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe të Oda Ekonomike e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.