Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar një komunikatë në lidhje me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua në prani të Presidentit Donald Trump. Qeveria amerikane e ka quajtur këtë marrëveshje si një angazhim historik për normalizimin e ekonomisë në mes të dy vendeve nga Ballkani perëndimor.
Shtëpia e Bardhë sërish i ka dhënë jehonë marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë që e nënshkruan me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump.
Administrata e quajti këtë marrëveshje të madhe dhe historike, si dhe vazhdim të atyre marrëveshjeve të mëdha që bëri së fundi Trump.
“Presidenti Trump u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin kosovar Avdullah Hoti të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqësit shpallën një zotim historik për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës. Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin të gatshme të arrijnë një përparim të madh – diçka që askush nuk mendonte se do të ishte e mundur”.
Shtëpia e Bardhë thotë se Administrata e presidentit Trump ka bërë kohët e fundit një numër marrëveshjesh kryesore paqeruajtëse.
Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë pason vetëm disa javë pas një tjetër përparimi të madh që ndërmjetësoi midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një përfitim tjetër anësor dhe i rëndësishëm i marrëveshjes Serbi-Kosovë, tha të premten këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, është se tani lejon “vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës, një shteti me shumicë myslimane dhe shtetit të Izraelit”.
Po ashtu, thuhet se në Zyrën Ovale, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti falënderuan presidentin Trump dhe ekipin e tij për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Unë pres të shoh Serbinë dhe Kosovën të prosperojnë ndërsa ne punojmë së bashku për bashkëpunimin ekonomik në rajon. Unë mezi pres që të shkoj në të dyja vendet një ditë në një të ardhme jo shumë të largët “, tha presidenti Trump.
Ndryshe, më 4 shtator Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në këtë marrëveshje thuhet se Serbia (Beogradi) dhe Kosova [Prishtina] pajtohen që të ecin përpara me normalizimin ekonomik.
Po ashtu, të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
Më tej në këtë marrëveshje thuhet se të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.