Pas gjashtë vitesh dominimi të shkollave franceze në renditjen e universiteteve më të mira për të kryer një master në menaxhim në Europë, renditja për vitin 2011 kryesohet nga Universität St. Gallen e Zvicrës.
Renditja është hartuar nga “Financial Times” dhe është bazuar në një vëzhgim të shkollave të biznesit dhe të diplomuarve të tyre në vitin 2008 dhe mat progresin në karrierë të të diplomuarve, diversitetin e shkollave dhe natyrën globale të programeve të ndryshme të masterit.
Rritja e shkollës zvicerane, pas debutimit të saj në vendin e katërt vitin e kaluar, nënvizon nivelin e lartë të kënaqësisë midis të diplomuarve që plotësuan vëzhgimin e FT. Të diplomuarit e St. Gallen kishin më shumë të ngjarë të kishin arritur qëllimet pas diplomimit, me 93% që raportuan se diploma e tyre u kishte mundësuar që të përmbushnin qëllimet e edukimit dhe të karrierës.
St. Gallen kryeson edhe në renditjen e vlerës për para, një masë që shikon në koston e kursit krahasuar me të ardhurat tre vjet pas diplomimit.
Longlong Lai, një kinez i diplomuar nga kursi i vitit 2008, është dakord me vlerësimin e “Financial Times”. “St. Gallen ofron cilësinë më të mirë të edukimit dhe i hap dyert për të gjitha kompanitë më të mira në botë”, thotë ai, duke cituar gjithashtu përballueshmërinë e kursit. Pasi ka përfunduar një program trajnimi prej 18 muajsh në Zyrih, pas diplomimit, ai tani punon në Britaninë e Madhe si një auditor i brendshëm për “Swiss Re”, siguruesin global.
Me vetëm 34 studentë që hynë në masterin e St. Gallen në vitin e kaluar akademik, kursi është më i vogli në renditje, së bashku me “WHU-Otto Beisheim School of Management” në Gjermani dhe reflekton një fokus në cilësinë e pjesëmarrësve. Kjo përkthehet në paga tërheqëse për të diplomuarit. Të diplomuarit e St. Gallen raportuan pagën mesatare të tretën më të lartë, duke arritur një pagë mesatare prej 87 mijë dollarësh në vit tre vjet pas diplomimit.
Pavarësisht se kanë dorëzuar kreun, Franca vazhdon të jetë e mirëpërfaqësuar në renditjen totale. Nga 65 shkollat e listuara, 17 janë me bazë kryesisht në Francë dhe Britania e Madhe ka 13. Vetëm 4 nga 35 të mbeturat janë joeuropiane.
Të dhënat e mbledhura nga 5,080 të diplomuarit e vitit akademik 2008 tregojnë se ndikimi i programeve master shkon përtej Europës. Ndërsa pjesa më e madhe e të diplomuarve raportuan se ata po jetonin në Europë përpara se të fillonin shkollën (86%), kjo peshë ra me 3 pikë përqindjeje tre vjet pas diplomimit. Efekti neto është një rritje prej 16% e numrit që jeton jashtë Europës. SHBA-ja dhe Kanadaja panë rritjet më të mëdha, me zgjerim prej 59% dhe 13%, përkatësisht (megjithëse nga një bazë e ulët).
Pavarësisht se ku studiuan dhe ku përfunduan për të jetuar, të diplomuarit e vitit 2008 dukeshin më të kënaqur sesa kolegët e tyre të 2007-s, me efektin që masteri kishte pasur në karrierën e tyre. Nga të 61 shkollat që u përfshinë si në renditjen e vitit 2010 ashtu dhe në atë të 2011-s, 59 shënuan rritje në peshën e të diplomuarve që mendonin se masteri i kishte ndihmuar ata të përmbushnin aspiratat e tyre profesionale.
Internship-et vlerësohen nga të diplomuarit
Ka shumë më tepër në kurset e masterit për menaxhim sesa tradicionalja “shkruaj me shkumës dhe fol”, me internship-e, këmbime eksperiencash përtej detit, projekte kërkimore dhe udhëtime studimore midis opsioneve që iu ofrohen studentëve.
Internship-et janë më populloret ndër to, sipas të dhënave të grumbulluara nga shkollat që marrin pjesë në renditjen e masterit për menaxhim. Pothuajse dy të tretat e atyre që u diplomuan në vitin e kaluar akademik kryen një intership në kompani, me më shumë se gjysma që e kishin bërë përtej detit.
Ndërsa intership-et ishin të detyruara për ata që studiuan në shkollat e biznesit belge dhe franceze ku pothuajse kushdo kryen një lloj përvoje pune vetëm 2% të atyre që studiojnë në Britaninë e Madhe fituan eksperiencë profesionale gjatë studimeve të tyre.
Diferenca reflekton kohën më të shkurtër të disponueshme për studentët në Britaninë e Madhe, ku mesatarja e programit është një vit, krahasuar me 21 muaj dhe 17 muaj në Francë dhe Belgjikë, përkatësisht.
Shkëmbimet përtej detit, ku studentët shpenzojnë një muaj ose më shumë, duke studiuar në një institucion jashtë, janë gjithashtu të zakonshme.
Dhunti sipërmarrëse
Ka shenja të rritjes së shpirtit të sipërmarrësve midis të diplomuarve të masterave në menaxhim, siç ka rezultuar nga vëzhgimi me studentët.
Në vitin akademik të 2008-s, të vëzhguar për renditjen e 2011-s, 11.5% thanë se kishin filluar bizneset e tyre në tre vjet që nga diplomimi, pesha më e madhe që kur filloi renditja në 2005-n.
Të diplomuarit meshkuj kishin pothuajse tre herë më shumë të ngjarë të kishin prezantuar një kompani sesa koleget femra 15.6% e meshkujve thanë se e kishin bërë këtë vetëm, krahasuar me 5.5% të grave.
Republika çeke ka rezultuar si shtëpia e shpirtit sipërmarrës. Afër 30% e të diplomuarve çekë thanë se ata kishin krijuar kompanitë e tyre, pas diplomimit në vitin 2008. Suedezët nuk mbeten prapa (25%), të ndjekur nga të diplomuarit në Indi (21%) dhe Polonia (18%).
Nëse nevoja është mamaja e shpikjeve, atëherë rritja në shpirtin sipërmarrës nuk është e habitshme, duke qenë se hapja e bizneseve të reja përkon me kohët më të ashpra në tregun e punës. Ndërsa 91.5% e të diplomuarve që kërkojnë punë arritën ta gjejnë atë brenda tre muajve nga diplomimi, kjo shifër ra pas krizës financiare, duke rënë në 88.1% për klasën e 2010-s.
Por ka shenja përmirësimi, me të dhënat e mbledhura nga shkollat e biznesit, që tregojnë se 89.4% e të diplomuarve në 2011-n gjetën një punë tre muaj brenda diplomimit.
Si të zgjidhni një shkollë biznesi
Pasi të keni ndarë mendjen të ndiqni studimet në master për menaxhim, vështirësia e ardhshme dhe ndoshta më e rëndësishme është të vendosni se ku doni të studioni.
Cila është shkolla e duhur për ju? Një afër shtëpisë, pak më larg, ose madje edhe në një shtet tjetër? Pavarësisht se sa lart renditet programi, në rast se po studioni në Francë, kur mund të ishit në Itali, përvoja nuk do të ishte tërësisht ajo që shpresonit. A do të ishit i kënaqur të mësonit një gjuhë tjetër ose të zhyteni në një kulturë tjetër, ndërsa ndiqni programin e menaxhimit?
Ndoshta shkolla është në vendndodhjen e duhur, por i mungon ekspertiza kërkimore në fushën tuaj të interesit. A ka vlerën e duhur të emrit, që ju kërkoni? A është rrjeti i të diplomuarve aq interesant sa ju do të preferonit, dhe a ka një sistem të dhënash të shëndetshëm për historinë e rekrutimeve?
Ia vlen që të shpenzosh kohë për të zgjedhur shkollën e duhur, thotë Arnaud Langlois-Meurinne, dekan i “Rouen Business School” në Francë. Megjithëse mund të jetë një përvojë e lodhshme dhe e shtrenjtë, prof. Langlois-Meurinne u bën thirrje studentëve të vizitojnë një varietet shkollash biznesi që ofrojnë programe të masterit në menaxhim dhe të ndjejë pak nga “shpirti i shkollës”, vendndodhja dhe ajo çfarë ofron.
Diversiteti ndërkombëtar gjithashtu duhet të merret në konsideratë, pohon Emma Soane, drejtore programi e masterit për menaxhim në “London School of Economics”. Në rast se një student do të ndjekë një karrierë ndërkombëtare, atëherë fakultetet ndërkombëtare janë një plus i dukshëm.
Akreditimi luan gjithashtu rol. Jean Charroin, drejtor i programit MIM në “Audencia Nantes School of Management” në Francë, beson se ai është një faktor thelbësor. “Akreditimi siguron standardin e cilësisë në aktivitetet tona”, thotë ai. Sipas Charroin, akreditimi provon se një shkollë ka arritur një farë standardi kërkimi dhe cilësie akademike.
Studentët duhet të konsiderojnë gjithashtu të ardhmen përpara se të zgjedhin. Është gjithashtu me vlerë të shqyrtohen lidhjet e shkollës me korporatat: gjeni se cilët rekrutues vizitojnë kampusin, çfarë mundësish ka për intership dhe me cilat kompani punojnë shkollat.
Por mbi të gjitha, studentët duhet të informohen rreth asaj se çfarë është e vërtetë në të gjitha shkollat e biznesit dhe çfarë është specifike në një shkollë të vetme. Të gjitha shkollat nuk janë të njëjta, por një student i armatosur me njohuritë e duhura, do të bëjë zgjedhjen e duhur.
Si të aplikoni për një program
Kur vjen puna për të aplikuar për një program master në menaxhim, të bësh kërkim është po aq e rëndësishme sa të kesh motivimin e duhur për të ndjekur programin.
Nuk ka mungesë burimesh informacioni, ato janë të shumta, si faqet e internetit të shkollave, rrjetet sociale, blogjet, të diplomuarit, studentët aktualë, zyrat e programit dhe shërbimet e karrierës.
Është thelbësore që të kontrollohen kriteret e hyrjes në programin për të cilin jeni të interesuar.
Shpesh, institucionet ngulin këmbë në rezultate specifike ose në testet e pranimit të të diplomuarve për menaxhim (GMAT) ose shqyrtimi i të dhënave të aspirantëve (GRE). Shkollat i pranojnë të dyja aplikimet dhe rekomandimi në përgjithësi është 650 pikë ose më lart.
Në rast se anglishtja nuk është gjuha juaj e parë, do t´ju kërkohet një rezultat i caktuar në një nga testet e miratuara të anglishtes.
Pasi kandidatët janë gati për të plotësuar formularin e kërkuar, disa shkolla ofrojnë zgjidhjen për të dorëzuar një kopje të printuar, ose mund të bëhet dorëzim online, përmes faqes së internetit të shkollës.
Aplikimi mund të përfshijë shkrimin e një deklarate personale ose letre motivimi. Kjo nuk duhet marrë lehtë dhe kandidatët nuk duhet të përsërisin atë që është thënë në CV-të e tyre.
Aplikantët duhet të tregojnë vetëdije, duke njohur fuqitë dhe fushat potenciale për përmirësim, plus aftësi lidershipi, aftësi komunikimi dhe të shkruari. Mund të përdoren gjithashtu deklarata personale, për të shpjeguar pikë të ulëta në një provim në të dhënat e kandidatit.
Është gjithashtu e rëndësishme që të dorëzohen referenca të përshtatshme. Në përgjithësi kërkohen dy referenca akademike, por pranohen dhe ato nga një punëdhënës i mëparshëm.
Kosto
Programet në master për menaxhim nuk janë të lira. Pjesëmarrësit në programin MSC të “London Business School” paguajnë 24,000 paund në tarifa dhe ndoshta kanë nevojë për një tjetër shumë prej 16,000-18,000 paund për shpenzime jetese.
Metodologjia
Raporti i FT për master në menaxhim rendit 65 programet kryesore në menaxhim të përgjithshëm për studentët që nuk kanë përvojë të mëparshme pune. I publikuar për herë të parë në vitin 2005, renditja vlerëson kurset që prezantohen nga shkollat e biznesit në mbarë botën. Ajo gjithashtu i vlerëson vetë shkollat si dhe ish-nxënësit.
Dy grupe të dhënash përdoren për të hartuar rezultatet, në momentin që shkollat biznesit kanë plotësuar kriteret për aplikim. Vëzhgimi i parë kryhet nga shkollat dhe i dyti nga ish- nxënësit që u diplomuan tre vjet më parë. Në renditjen e këtij viti merrnin pjesë studentët e diplomuar në 2008-n.
Që shkollat të jenë të vlefshme për të marrë pjesë në renditje, kërkohet një normë përgjigjeje 20% nga ish-nxënësit, me një minimum 20 përgjigjesh për shkolla me më pak se 100 ish-nxënës në klasën që është diplomuar.
Shkollave u kërkohet që të njoftojnë ish-nxënësit përpara fillimit të vëzhgimit. Gjithsesi, në momentin që procesi po zbatohet, ata nuk lejohen që të kontaktojnë direkt me ish- nxënësit ose t´i nxisin ata të marrin pjesë në një mënyrë apo tjetrën.
Të dhënat nga vëzhgimi me ish-nxënësit përdoren për të përcaktuar gjashtë nga 16 kriteret: paga mesatare, vlera për para, karriera, qëllimet e arritura (përqindja), vlerësimi i suksesit dhe lëvizshmëria ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.