Institucionet financiare jobankare raportuan një rezultat financiar pozitiv rreth 1 miliard lekë në vitin 2018. Teksa zgjerimi me institucione të reja vit pas viti dhe rritja me ritme të shpejta kanë qenë e dukshme vitet e fundit, institucionet e mikrofinancës po lobojnë fort për një ligj të posaçëm. Ata shprehen se tregu është maturuar për të kaluar në një tjetër stad. Duke e cilësuar këtë sfidën parësore, mikrofinanca po kërkon të zgjerojë gamën e shërbimeve që ofron në degët e saj, duke marrë në konsideratë edhe mbledhjen e depozitave si një mënyrë për të ulur koston e financimit. Përtej disa ngërçeve, tregu i mikrofinancës pret që edhe 2019 të jetë një vit me rritje të mirë, falë kërkesës aktive nga bizneset e vogla dhe të mesme për kapital qarkullues.
Nga Nertila Maho
Vitet elektorale, të njohur si vite “anemikë” në investime, për shkak të pasigurisë që shoqëron bizneset, duket se nuk e kanë prekur mikrofinancën. Aktorët e tregut raportojnë se viti 2019 ka shfaqur një tendencë pozitive, çka pritet të finalizohet me një rritje të portofolit të kredisë dhe numrit të klientëve të financuar. Nga viti në vit, sektori po raporton njëkohësisht rritje dhe zgjerim, ku numri i institucioneve financiare jo banka të licencuara dhe të mbikëqyrura nga banka qendrore është shtuar.
Në Raportin e fundit të Stabilitetit, Banka e Shqipërisë citon se deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018, në sistemin financiar kanë operuar 30 institucione financiare jo banka (IFJB) të angazhuara kryesisht në fushën e mikrokredisë, kreditimit, leasing-ut, faktoring-ut, parasë elektronike. “Peshën kryesore e zënë IFJB-të që kryejnë aktivitet kreditues, ndjekur nga ato që kryejnë pagesa dhe transferta. Aktivet e IFJB-ve arrijnë në rreth 50 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte rreth 4% më shumë se totali i aktiveve të raportuara në fund të gjashtëmujorit të parë dhe rreth 10% më shumë në krahasim me nivelin e një viti më parë. IFJB-të kanë raportuar një rezultat financiar pozitiv (rreth 1 miliard lekë) dhe disi më të lartë në krahasim me një vit më parë. Kapitalizimi i veprimtarisë së këtyre subjekteve vijon të mbetet në nivele të kënaqshme”, – thuhet në raportin e Bankës.
Si u mbyll viti 2018 dhe pritshmëritë optimiste për vitin 2019
Institucionet financiare jo banka, të fokusuara te mikrofinanca, raportojnë se 2018 ishte një vit pozitiv, ku kërkesa për financim ka mbetur aktive. Altin Muça, Drejtor i Departamentit të Marketingut & Zhvillimit pranë Fondit Besa, shprehet se shoqëria ka pasur një rritje dyshifrore vitin e shkuar, që ka ardhur si rrjedhojë e disa faktorëve.
“E kemi mbyllur vitin 2018 me rreth 33 mijë klientë aktivë dhe me një tepricë kredie rreth 10.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, pra me vitin 2017, kemi pasur një rritje të portofolit të kredisë me rreth 21%. Sigurisht që rritja e aktivitetit gjatë vitit 2018 është bazuar në konsolidimin e aktivitetit tonë, përmes mbulimit të gjerë të gjithë nicheve apo segmenteve të tregut të kredive mikro dhe të vogla ku ne operojmë, nëpërmjet rritjes së produktivitetit, pra të ngarkesës së oficerëve të kredisë. Kjo është mbështetur edhe nga një kërkesë relativisht më e lartë e bizneseve mikro dhe të vogla për kredi gjatë vitit 2018”, shprehet ai.
Edhe Herjola Spahiu, Drejtore e Përgjithshme e NOA, konfirmon një rritje dyshifrore për vitin e shkuar, ndërkohë pritet që ecuria e mikrofinancës në tërësi të jetë e mirë edhe për vitin aktual. “Ne si NOA kemi arritur të realizojmë për 2018 një rritje me 14% të portofolit të kredisë dhe sigurisht kemi ruajtur dhe stabilitetin në numër klientësh, edhe pse u kemi shërbyer 7 mijë klientëve të rinj. Kemi injektuar diku tek 3.4 miliardë lekë të reja në ekonominë shqiptare në 2018. Nga dhjetori 2018 deri tani, jemi rritur me 3.7% në portofolin tonë që, e llogaritur deri në fund të vitit, me të njëjtin trend, besojmë se do të jemi sërish në të njëjtat ritme 17-18%”, – thekson Spahiu.
Emin Barçi nga Agrocredit (ish-FAF që zotërohet nga qeveria) shprehet se planet janë për zgjerim të aktivitetit në tre vitet e ardhshme, e nxitur kjo nga zhvillimet dinamike në sektor. “Përvoja na ka krijuar bindjen që, të paktën deri në fund të vitit 2021, ne do të shohim mundësinë që mund të financojmë 8-9 mijë subjekte të tjera, të cilët kryejnë sipërmarrje në zonat rurale suburbane dhe kryejnë aktivitete në fushën e bujqësisë, blegtorisë, të procesimit të produkteve, agroturizëm, turizëm, peshkim. Ne besojmë se mund të disbursojmë edhe 25 milionë euro në tre vitet e ardhshme në financimin e zhvillimit rural dhe agroturizmit në Shqipëri”, – shprehet Barçi.
Edhe institucionet financiare jo banka, që ofrojnë kredinë e shpejtë konsumatore, duket se po përjetojnë rritjen e nxitur nga burokracia më e pakët në miratimin e fondeve, por e shoqëruar edhe me më shumë dhimbje koke në arkëtimin e tyre. “Ecuria e tregut të mikrofinancës ka qenë pozitive. Portofoli i kredisë është rritur falë numrit të klientëve të rinj, por edhe konsolidimit të marrëdhënies me klientët ekzistues. Ne kemi hapur 7 degë të reja gjatë kësaj periudhe, duke përmendur këtu degë në Shkodër, Vlorë, Korçë, Berat dhe në Tiranë”, – shprehet Akan Ajdini nga IuteCredit.
A ka ardhur koha për një ligj që të rregullojë mikrofinancën?
Nën shembullin që u ndoq për shoqëritë e Kursim-Kreditit që tashmë operojnë sipas një ligji të dedikuar, mikrofinanca sot mendon se janë pjekur kushtet për të kaluar në një stad me një ligj të posaçëm edhe për to. Përfaqësuesit e shoqërive kryesore të mikrofinancës nënvizojnë se tregu është maturuar mjaftueshëm që nga viti 1994, kur shënohen fillesat e para për t’u rregulluar me një kuadër të ri ligjor. Aktualisht, aktiviteti i këtyre institucioneve rregullohet me një rregullore të Bankës së Shqipërisë.
“Mendoj që po vjen koha dhe po piqen kushtet që këto institucione me rritjen e aktivitetit, madhësisë, praninë dhe profesionalizmit është e domosdoshme që të kalohet në një status tjetër juridik të tyre. Flasim për status juridik, në aspektin rregullativ të Bankës së Shqipërisë. Për institucionet financiare jo banka të mendohet për të shtuar ligjin për institucionet e mikrofinancës, banka të specializuara apo banka mikrofinanciare. Tregu është maturuar dhe përvoja e institucioneve është e mjaftueshme për të krijuar një ligj për mikrofinancën. Ka modele të suksesshme në vende të tjera që mund të adoptohen me kushtet e Shqipërisë”, shprehet Muça.
Të njëjtën gjë nënvizon edhe Spahiu nga NOA, e cila shton se ligji i ri duhet të shtojë numrin e shërbimeve që ofrohen nga shoqëritë e mikrofinancës në degët e tyre, si një mënyrë për të kursyer kohë ndaj qytetarëve. Sipas saj duhet të shihet me kujdes edhe pjesa që lidhet me dhënien e mundësisë për këto institucione që të grumbullojnë depozita të vogla. Kjo do të reflektohej edhe në një kosto financimi disi më të ulët. “Sot, vetë raportet e kredisë mbi depozitat janë 50%, pra ka 50% likuiditet ende të pashfrytëzuar. Ne kemi shumë mundësi që këtë likuiditet ta shfrytëzojmë për aktivitetin tonë të kredidhënies, me qëllim të dyfishtë. E para, përfitimet nga ky aktivitet u shkojnë familjeve apo bizneseve shqiptare. Interesi paguhet në tregun shqiptar dhe redukton me 70% koston aktuale të fondeve, e cila shkon për një kredi më të lirë”, shprehet Spahiu.
Mikrofinanca kërkon më shumë përfshirje në projektet e qeverisë
Nisma “100 Fshatrat” e ndërmarrë nga qeveria vitin e shkuar ka gjallëruar interesin e zonave rurale për t’u drejtuar pranë institucioneve të mikrofinancës për të parë mundësitë që kanë. Emin Barçi, nga Agrocredit, shprehet se projekti është ende i paformësuar në total, por ka nxitur kërkesën. “Ndikimi më interesant në ‘100 fshatrat’ është ai psikologjik. Banorët dhe sipërmarrjet e këtyre zonave janë bërë më të guximshëm për të investuar, duke nxituar të shohim mundësitë që kanë, të kërkojnë grante dhe financim. Është në proces si projekt, nuk mund të thuash që ka një gjë përfundimtare dhe është relativisht i vështirë, sepse koordinimi i të gjithë faktorëve, aktorëve publikë dhe privatë kërkon kohë.
Efektin e vet, megjithatë e ka dhënë, sepse Agrocredit ka 30 zyra në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku ka fshatra të kësaj liste, ka interes në zyrat tona për të parë mundësinë sesi financohen”, shprehet Barçi. Nga ana tjetër, mikrofinanca kërkon që qeveria të bashkëpunojë më nga afër me këtë sektor, kur bëhet fjalë për projekte që prekin zonat rurale apo sektorë të veçantë. Diskutimi në fazat e para mund të japë një produkt dhe një zgjidhje me më shumë ndikim social dhe ekonomik. “Mikrofinanca duhet parë si partner. Nuk mund të ekzistojnë projekte për turizmin apo bujqësinë, nëse nuk sheh mikrofinancën si partnere. Sjell në vëmendje projekte të rëndësishme si ‘100 fshatrat’. Ti investon në infrastrukturë por, nga ana tjetër, të gjithë ato biznese aty kanë nevojë që të rimëkëmbin pak veten për t’ju përgjigjur nivelit të ri”, shprehet Spahiu.
Flet Altin Mucaj, Drejtor i Marketingut dhe Zhvillimit Fondi Besa
“Tregu i mikrofinancës i maturuar, ka nevojë për ligj më vete”
Institucionet financiare jobankare janë shtuar vit pas viti, por rregullimi i tyre vijon të bëhet me një rregullore të Bankës së Shqipërisë. Altin Muça, Drejtor i Marketingut dhe Zhvillimit në “Fondin Besa”, nënvizon se tashmë janë maturuar gjithë kushtet që këto institucione financiare jo banka të trajtohen me një ligj më vete, që u dedikohet vetëm atyre. Lidhur me ecurinë e mikrofinancës në vitet e fundit, ajo ka qenë pozitive, ashtu sikurse pret që të jetë edhe viti 2019 që ka nisur me një kërkesë të gjallëruar për kredi.
Si ka qenë ecuria e tregut të mikrofinancës gjatë 2018 në përgjithësi?
Mikrofinanca në Shqipëri është pjesë integrale e tregut financiar. Ecuria e tregut financiar dhe ekonomisë në tërësi ka ndikimin e saj në mikrofinancë. Nëse flasim për “Fondin Besa” që përfaqësoj, gjatë vitit që shkoi kemi pasur rritje të ndjeshme të aktivitetit. E kemi mbyllur vitin 2018 me rreth 33 mijë klientë aktivë dhe me një tepricë kredie rreth 10.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë me vitin 2017, kemi pasur një rritje të portofolit të kredisë me rreth 21%.
Sigurisht që rritja e aktivitetit e “Fondit Besa” gjatë vitit 2018 është mbështetur në konsolidimin e aktivitetit tonë, përmes mbulimit të gjerë të gjithë nicheve apo segmenteve të tregut të kredive mikro dhe të vogla ku ne operojmë, përmes rritjes së produktivitetit, pra të ngarkesës së oficerëve të kredisë dhe kjo është mbështetur edhe nga një kërkesë relativisht më e lartë e bizneseve mikro dhe të vogla për kredi gjatë vitit 2018. Nëse japim një panoramë të tregut mikrofinanciar në Shqipëri mund të themi se ka pasur rritje të aktivitetit të këtyre institucioneve, por jo vetëm të tyre, por edhe të institucioneve të tjera financiare jobankare me aktivitet në tregun mikrofinanciar.
Në përgjithësi, 2018-a mund të quhet një vit i mirë krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo mendoj se pasqyron një gjallërim të kërkesës së biznesit mikro dhe të vogël për kredi, kryesisht për kapital qarkullues, sepse kjo është pjesa kryesore e kreditimit apo qëllimit të kredisë që ne orientojmë apo që bizneset drejtohen te ne. Në njëfarë mënyre, edhe të gjithë institucionet e mikrofinancës, po flas për ato anëtare të shoqatës, e kanë konsoliduar aktivitetin, si nga pikëpamja e menaxhimit edhe përvojës në këtë treg. Mikrofinanca ka një përvojë të gjatë në treg që në vitin 1994. Në atë kohë, Banka Botërore financoi dy projekte që më pas u transformuan. Departamenti i kredisë urbane u transformua te “Fondacioni Besa” dhe më tej nga janari i vitit 2009, te “Fondi Besa”. Ndërsa departamentin e kredisë rurale, si aktivitet, e trashëgon Fedinvest, pra shoqëri kursim-krediti.
Po vitin 2019, si e shihni, si janë treguesit në muajt e parë?
Lidhur me një lloj prognoze të vitit 2019, sigurisht mund të japim një parashikim, pasi kanë kaluar disa muaj dhe duket trendi. Ne kemi tejkaluar objektivat tona. Si institucion kemi gati 33 5000 klientë aktivë me 12.7 miliardë lekë tepricë kredie, por parashikojmë që fundin e vitit do ta mbyllim me një tepricë kredie mbi 14 miliardë. Në tërësi, mendoj se ky vit ka një lloj gjallërimi të kërkesës së bizneseve mikro dhe start-up, sepse një pjesë e aktiviteteve tona janë bizneset e sapokrijuara.
Sigurisht, nuk janë pjesa kryesore, por shoh se ka një lloj prirjeje të këtyre bizneseve ose individëve që të përfshihen përmes nismave private në këto biznese start-up. Doja të theksoja që “Fondi Besa” nuk ka pjesë qendrore të aktivitetit të vet kredinë rurale bujqësore, por vit pas viti ne kemi rritur pjesën e aktivitetit që orientohet drejt kredisë rurale. Tashmë kemi disa produkte që janë specifikisht të dizenjuara për zonat rurale që t’u përshtaten më mirë kërkesave të tregut dhe mendoj se edhe ky vit, për mikrofinancën në tërësi, do të jetë një vit i mbarë në një aspekt të përgjithshëm.
Pati një lloj nxitjeje për agroturizmin, duke e mbështetur edhe me një paketë të veçantë, ju shihni ndonjë gjallërim të kërkesës nga ky grup?
Nga përvoja jonë është rritur kërkesa nga agroturizmi. Nuk i referohem vetëm këtij viti, por edhe 4-5 viteve të fundit, ku është rritur kërkesa nga agroturizmi. Sigurisht, këtë kërkesë e shoh në kuadrin e një biznesi familjar, bujtina, turizëm malor, ku veçanërisht ne jemi të pranishëm në zonën e Veriut, Malësi e Madhe, Theth, Bogë e më tej. Realisht mendoj se është rritur kërkesa, madje e shoh edhe si perspektivë pozitive që zgjatet cikli i turizmit, duke mos mbetur te vera. Ky lloj turizmi depërton në zona malore dhe të varfra që mund të përfitojnë, duke përmirësuar standardin e jetesës.
Kur flasim për kosto transaksionesh dhe kosto që keni ju si mikrofinancë për të arritur te klienti, si paraqitet kjo?
Mikrofinanca, si kudo, ka kosto shumë më të larta të transaksionit sesa bankat, nëse do t’i marrim në konsideratë të gjithë ato elemente që përcaktojnë çmimin e kredisë. Institucionet financiare jo banka, në aktivitetin e tyre, nuk grumbullojnë depozita dhe janë të detyruar që nevojat e tyre për financime t’i sigurojnë përmes marrëdhënieve me banka dhe me partnerë të ndryshëm. Pra kemi kosto financimi më të lartë sesa sistemi bankar. Ajo që i bën kostot tona edhe më të larta, është që kategoria ose natyra e aktivitetit tonë synon të orientojë bazën apo oficerët e kredisë me kontakte në terren me bizneset e vogla.
Po përmend një tregues. Nëse marrim në konsideratë mesataren e kredisë, pra tepricës apo outstanding të një oficeri kredie, ajo varion në nivelet 14-15 milionë lekë për një oficer kredie. Sistemi bankar e ka këtë mesatare 84-90 milionë për oficer kredie. Kuptohet që ngarkesa e oficerit të kredisë pasqyrohet në kostot operacionale që ne kemi, që janë paga dhe kostot e tjera. Ne kemi një shpërndarje zyrash me rreth 80 të tilla, që janë kosto, por të domosdoshme për t’ju përgjigjur natyrës së aktivitetit tonë për të qenë sa më pranë atyre nicheve apo mini-segmenteve të tregut ku ne kemi pjesën thelbësore ose kryesore të aktivitetit tonë.
A hasni vështirësi për ta orientuar klientin drejt institucioneve tuaja, pasi rëndom nëse dikujt i duhen para, ndoshta e lidh atë direkt me bankat?
Kjo është e dukshme, pasi bankat kanë produkte dhe shërbime të tjera që një pjesë të njerëzve i lidhin me to, si pagesa, transferta parash, pagat që paguhen. Ne kemi përvojë disavjeçare në këtë treg dhe nëse përmenda që janë 33 mijë klientë duhet konsideruar që gjysma e tyre janë të përsëritur. Sigurisht që këto klientë ose ish-klientë në fund të fundit kanë kontakte me klientë të tjerë dhe duhet thënë që bankat nga natyra apo filozofia që kanë nuk kanë orientim tek pjesa mikro. Oficeri i kredisë tek ne, pra mikrofinanca, ka një kontakt të vazhdueshëm me klientin deri në mbylljen e kredisë, krijohet një lloj marrëdhënie më e afërt që në finale ka efekte pozitave në tërheqjen e klientëve të tjerë sipas rastit.
Cili është produkti juaj më i preferuar dhe mesatarja e shumës?
Mesatarja e tepricës së kredisë është 300-3560 mijë lekë për kredi aktive dhe kjo shifër ka pasur rritje të lehtë vit pas viti, çka tregon se ne kemi qëndruar të mirëfokusuar në pjesën e kredive mikro dhe të vogla.
Çfarë sfidash apo ngërçesh has tregu që ndoshta duhen parë me vëmendje që të funksionojë më mirë?
Për këto institucione, aktiviteti sot rregullohet me një Rregullore të Bankës së Shqipërisë. Mendoj që po vjen koha dhe po piqen kushtet që këto institucione me rritjen e aktivitetit, madhësisë, pranisë dhe profesionalizmit është e domosdoshme që të kalohet në një status tjetër juridik të tyre. Flasim për status juridik në aspektin rregullativ të Bankës së Shqipërisë, për institucionet financiare jo banka. Të mendohet për të shtuar ligjin për institucionet e mikrofinancës, banka të specializuara apo banka mikrofinanciare. Tregu është maturuar dhe përvoja e institucioneve është e mjaftueshme për të krijuar një ligj për mikrofinancën. Ka modele të suksesshme në vende të tjera që mund të adoptohen me kushtet e Shqipërisë.
Si paraqitet niveli i kredive joperformuese?
Kreditë jo performuese, nëse ndjekim modelin që kanë bankat, ne si treg jemi diku tek 5-5.3%, bankat janë 11-12% dhe kanë qenë shumë më tepër. Ne financojmë sektorë më me risk, por kemi një avantazh. Duke pasur këtë mesatare të ulët të kredisë, risku është i diversifikuar në një grup më të madh klientele dhe mundësitë e pagesës së kredive të vogla mund të rregullohen ndryshe nga kreditë e mëdha që mund të kenë bankat.
Ju keni një financim nga BERZH për panelet?
Po, është projekti GEFF që lidhet me eficencën e energjisë. Projekti është lançuar më 15 mars. E kemi kaluar fazën përgatitore dhe sigurisht Shqipëria ka një veçanti nga vendet e tjera, duhet vëtëdija e publikut për efektin pozitiv që ka aplikimi i këtyre teknikave dhe mendoj se do të kemi sukses. E kemi lançuar dhe jemi në fazën e kontakteve dhe kredive të para për klientë potencialë.
Flet Herjola Spahiu, NOA
“Sfidat e tregut, nga kuadri ligjor te nevoja për edukim financiar”
Tregu i mikrofinancës në vend përballet me një seri sfidash që nisin nga nevoja për një kuadër të ri ligjor te rritja e edukimit financiar. Herjola Spahiu, Drejtore e Përgjithshme e NOA, shprehet se kuadri i ri ndoshta duhet t’ju lërë më shumë mundësi institucioneve financiare jo bankare për të ofruar shërbime shtesë, siç janë pagesat e faturave apo detyrimeve tatimore ashtu sikurse mund të shihet mundësia për të mbledhur depozita të vogla. Sipas Spahiut, kjo do të ulte koston e financimit të këtyre institucioneve duke u përcjellë si një efekt zinxhir në një kredi më të lirë të konsumatori.
Si ka qenë ecuria e mikrofinancës gjatë këtyre viteve, duke ju referuar 2018 dhe 2019?
Mikrofinanca është një treg që çuditërisht kur shihet një stanjacion i gjithë sistemit financiar, ka zhvillim. Këtë e shohim edhe në raportin e fundit të stabilitetit të Bankës së Shqipërisë për 2018, ku vihet re rritja e peshës së institucioneve financiare jobankare kundrejt PBB. Nëse flasim për vitin 2014, kur ka qenë 3%, tani është 3.3%, ndërkohë që edhe për SHKK, që janë po pjesë e mikrofinancës, kemi një stabilitet diku tek 0.6. Në total, po shkojmë tek 4% të PBB si treg. E kemi parë zhvillimin e këtyre viteve, si mjaft të rëndësishëm, pavarësisht se në volume, 4% duket si shumë i ulët, sektori i mikrofinancës i shërben sot 20% të klientëve të gjithë sistemit financiar. Në numër, ndikimi është shumë më i madh. Dhe afërsisht çdo vit, ne financojmë diku te 100 mijë klientë.
Viti 2019 ka qenë një ndër vitet më dinamike për mikrofinancën. Kjo lidhet pak edhe me strategjinë që ato kanë pasur. Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjatë kësaj periudhe është punuar për të rritur informacionin në treg dhe edukimin financiar. Nga 5-mujori i këtij viti, nga informacionet paraprake që kemi, shohim që trendi është pozitiv. Kjo i përgjigjet edhe kërkesës. Vitet e fundit kanë qenë vite shumë të mira. Në 2018, aktivet e institucioneve financiare jo banka kanë përfaqësuar 10% rritje pra është e konsiderueshme, ndërkohë që për këtë 5-mujor, nga informacione të paaudituara, por përmes llogaritjeve menaxheriale që ne bëjmë, duhet të jetë diku tek 4%. Mendojmë që do të jetë një rritje e mirë dhe për 2019-n, sepse duket tendenca, madje edhe pse është një vit elektoral, ne mendojmë që do të jemi mirë. Vitet elektorale, ne si sektor nuk na prekin, sepse tipologjia e klientëve që kemi janë familje apo biznese shumë të vogla ku nuk do të mungojë kurrë nevoja për kapital qarkullues.
Ne si NOA kemi arritur të realizojmë për 2018 një rritje me 14% të portofolit të kredisë dhe sigurisht kemi ruajtur dhe stabilitetin në numër klientësh edhe pse u kemi shërbyer 7 mijë klientëve të rinj. Kemi injektuar diku tek 3.4 miliardë lekë të reja në ekonominë shqiptare në 2018. Ndërkohë që nga dhjetori 2018 e deri tani jemi rritur me 3.7% në portofolin tonë, që llogaritur deri në fund të vitit, me të njëjtin trend, besojmë se do të jemi sërish në të njëjtat ritme 17-18%. Jemi të kënaqur me kërkesën e klientëve. Kjo shpjegohet me faktin që periferitë dhe zonat rurale kanë një lloj informaliteti më të madh sesa vetë qytetet, ndaj e gjejnë veten për t’u shërbyer tek ne para institucioneve bankare.
Çfarë kostosh has sot mikrofinanca sa i përket pjesës së transaksioneve, shpërndarjes gjeografike dhe faktorëve të tjerë?
Pjesa e kostove të mikrofinancës është edhe një nga sfidat e sektorit. Mikrofinanca është e kundërta e një banke. Nëse në banka, punonjësit janë brenda zyrave, shërbejnë në tavolinën e tyre, ne çdo gjë e bëjmë në terren. Te ne, për shembull, 80% të kohës, stafi e shpenzon në terren dhe 20% për përpunimin e aplikimeve që kemi mbledhur gjatë ditës, në komitetet e kredisë dhe procesimit të të dhënave. Një model i tillë shoqërohet me kosto më të mëdha. Nëse ndajmë parametrin e kësaj rezulton që kostot tona operacionale zënë 60% të të ardhurave që kemi. Dhe praktikisht, një pjesë tjetër e mirë prej 26% zihet nga kostot e fondeve që është edhe sfida jonë e dytë. Ne mundohemi që të jemi sa më të zgjeruar edhe me degë, sepse klientëve duhet t’ju shkojmë sa më afër me logjistikë.
Si është niveli i kredive me probleme te tregu i mikrofinancës?
Mikrofinanca ka portofol më të mirë nga ana cilësore dhe mendoj që nuk lidhet vetëm me punën e vetë mikrofinancës, por edhe me përgjegjshmërinë e segmentit që ne u shërbejmë. Zakonisht ato që janë biznese më të vogla janë më të përgjegjshëm për ripagimin e kredive, sepse vënë në risk gjithë të ardhurat familjare. Sot, NPL (kreditë e këqija) ne i kemi 1.9%, që është shumë më e ulët në raport me 11% të sistemit bankar. Nëse masim 30 ditë plusin është 3.2-3.5%. Ne tregohemi elastikë me klientët edhe kur ata hasin vështirësi.
Mundohemi që kur japim kredinë sidomos kur ka aktivitet sezonal, siç është bujqësia apo turizmi, skeduli i pagesës është i fokusuar vetëm në ato momente që ai ka prodhim dhe arrin të shesë. Është e pamundur t’i bësh një skedul të njëtrajtshëm pagese. Ne kemi kredi që kanë edhe dy pagesa në vit, sipas sezonit të prodhimit që ka fermeri. Kur ndodh përmbytje apo dëmtim, ne i kemi ristrukturuar apo riskeduluar, ndonjëherë dhe kemi dhënë një financim që të mbjellë sërish dhe të ketë mundësi të paguajë. Edhe treguesit që kemi nga kreditë e ristukturuara janë pozitivë.
Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar sot mënyrën sesi funksionon mikrofinanca?
Në fakt, mikrofinanca ka rreth 25 vite që kontribuon në ekonominë shqiptare, por asnjëherë nuk i është dhënë rëndësia e duhur. E them edhe për institucionet shtetërore, edhe për partnerët e tjerë. Mikrofinanca ka një mision, që ata klientë që nuk kanë akses në banka, të kenë mundësi të kenë një mbështetje financiare dhe të aksesojnë një produkt financiar. Këtë mision, ne e mbajmë mbi supe që në fillesat tona si institucione mikrofinanciare. Së pari, sfida që ne hasim sot, është ndërgjegjësimi i institucioneve shtetërore. Mikrofinanca duhet parë si partner. Nuk mund të ekzistojnë projekte për turizmin apo bujqësinë nëse nuk e sheh mikrofinancën si partnere.
Sjell në vëmendje projekte të rëndësishme si “100 fshatrat”. Ti investon në infrastrukturë por, nga ana tjetër, të gjithë ato biznese aty kanë nevojë që të rimëkëmbin pak veten për t’ju përgjigjur nivelit të ri. Një sfidë tjetër është me aksesin në fonde. Mikrofinanca në vetvete, sidomos institucionet financiare jo banka kryesisht ka aktivitet të vetëm kredidhënien. Ndërkohë që ne shkojmë drejt zhvillimit të tregut dhe nevojës konsumatore që ata të punojnë me një “one stop shop”, pra shkojmë në një institucion financiar dhe duam përveçse të marr kredi, të kem mundësi të bëj pagesa utilitare, të paguaj tatime apo të bëj një transfertë diku tjetër sepse në fund i ul kostot klientit. Të paktën për institucionet financiare jo banka, ne jemi duke këmbëngulur që ka nevojë që ata të rregullohen me një ligj, sepse mungon ligj i posaçëm për to.
E dyta, nëpërmjet këtij ligji, të rregullohet që për segmentin e klientëve tanë, të ofrojmë shumëllojshmëri shërbimesh. Kjo do të thotë ndoshta edhe depozita apo sigurime në bashkëpunim me kompani sigurimi dhe pagesa utilitare (ujë, drita, taksa) Sot, ne të gjithë aktivitetin tonë kredidhënës e mbështesim me kapitalin tonë, por edhe me fonde të huaja, qoftë nga BERZH apo Banka e Zhvillimit e Detit të Zi, qeveria spanjolle me FMO, por edhe me fonde të tjera investimesh, që kanë në fokus mbështetjen e mikrofinancës.
Kemi sot diku tek 16 lender (huadhënës) që i quajmë partnerë, nëpërmjet të cilëve merren fondet, por pjesa më e madhe janë ndërkombëtare dhe kjo rrit kostot. Ne i marrim fondet hua për t’i dhënë hua në tregun shqiptar. Rritja e kostove vjen për dy arsye, e para sepse huamarrja ka kostot e saj; e dyta sepse ne kemi zgjedhur që riskun e kursit të këmbimit të mos ta transferojmë te klienti, pra ne financojmë në lekë, ndërkohë që ne i marrim në euro. Në tregun shqiptar për fat të keq instrumentet për ta transformuar euron në lekë janë të limituara ose me kosto shumë të larta.
Po efekti i kursit si ka qenë, duke qenë se kemi pasur një mbiçmim të lekut?
Luhatjet e kursit ndikojnë në vlefshmërinë e fondeve, sepse ndërkohë që ti ke një depozitë fikse në euro, e cila të zhvlerësohet, normalisht që çfarë ke dhënë në lekë, do të marrësh më pak sepse bankat ruajnë imazhin e tyre të sigurisë për mbulimin e kredisë me depozitë. Ne jemi duke lobuar, përmes shoqatës që edhe institucionet tona të kenë mundësi të mbledhin depozita të vogla nga klientët që ne u shërbejmë. Shqipëria është një treg likuid. Sot, vetë raportet e kredisë mbi depozitat janë 50%, pra ka ende 50% likuiditet të pashfrytëzuar. Ne kemi shumë mundësi që këtë likuiditet ta shfrytëzojmë për aktivitetin tonë të kredidhënies me qëllim të dyfishtë. E para, përfitimet nga ky aktivitet u shkojnë familjeve apo bizneseve shqiptare dhe interesi paguhet në tregun shqiptar dhe e sigurt që redukton me 70% koston tonë aktuale të fondeve, çka shkon për një kredi më të lirë.
Sa është totali i kredisë që ka sot NOA te klientët e saj?
Pikërisht këtë muaj, ne kemi arritur 5 miliardë lekë portofol kredie i përbërë nga rreth 11 mijë kredimarrës dhe praktikisht themi që për 3-vjeçarin e ardhshëm, ta dyfishojmë.
Cili është produkti më tipik që merret më shpesh?
Si produkte në vetvete, ato që preferohen më tepër janë ato për kapital qarkullues, ose kredi afatmesme 2-3 vite. Vlera jonë e kredisë mesatare luhatet nga 450-500 mijë lekë. Ne punojmë me një treg pak më vulnerabël, ku në 90% të rasteve nuk kërkojmë kolaterale dhe garantohemi vetëm nga projekti dhe nga ndërgjegjja, ndaj fondet i injektojmë në bizneset e vogla. Në fat, po ta mendosh dhe të paktën nga analiza që ne bëjmë herë pas here në portofolin tonë, ne shohim që për çdo financim, krijojmë 1.2 vende pune shtesë. Nga ana tjetër, është rritur kërkesa nga femrat sipërmarrëse që është shumë interesante dhe kemi arritur të orientojmë 23% të portofolit te femrat sipërmarrëse.
Çfarë mund të bëhet më mirë për mikrofinancën?
E para, ne mendojmë se ndryshimi i ligjor dhe ofrimi i një shumëllojshmërie produkti, do të jetë plus. Sot kemi ngërçin që herë i referohemi ligjit “Për bankat” të vitit 1996, që nuk përmend asnjëherë institucionin financiar jo bankë dhe herë ligjit “Për shoqëritë tregtare”, që është tjetër dhe s’bën sens. Kjo ndihmon shumë dhe mbikëqyrjen e institucioneve. Ndërkohë do të thosha që një nga faktorët e dytë është zhvillimi i bursës, sepse po flasim për alternativa të fondeve dhe Bursa është një element i rëndësishëm.
Ne jemi një institucion që e kemi testuar bondin korporativ si një mënyrë që të tërhiqen fondet dhe sa më shumë të promovohet aq më mirë është që të rritet grupi i investitorëve. Së treti, partneriteti me institucionet shtetërore, qoftë Ministria e Bujqësisë qoftë ajo e Financave për programet që kanë, duhet që të na konsiderojnë që në konceptim. Një tjetër element është edukimi financiar, i cili nuk mund të bëhet vetëm nga ne, sepse kërkon fonde dhe ne nuk është se kemi buxhete të mëdha për këtë pjesë por do të ishte mirë që të bashkëpunohej edhe në këtë aspekt me institucionet.
Flet Akan Ajdini, IuteCredit
“Kreditë e vogla, qytetarët nuk kanë shumë informacion”
Kreditë e vogla konsumatore, që ofrohen në një kohë rekord, nga institucione financiare jo bankë, tashmë janë pjesë integrale e gjithë mikrofinancës. Akan Ajdini, Drejtor i Përgjithshëm i IuteCredit, shprehet se, edhe pse është rritur kërkesa për produktet që ofrohen, qytetarët nuk janë shumë të informuar. Sipas tij, sfidë e institucioneve financiare jobankare, me fokus kredinë konsumatore, mbetet portofoli tërësor i huadhënies, pasi në shumë raste qytetarët nuk arrijnë ta paguajnë. Mungesa e një baze të dhënash të sakta, sipas tij, si adresa apo edhe elemente të tjera të identifikimit e bëjnë më të vështirë këtë pjesë, ndaj ngritja e një sistemi IT do të ishte një plus për sektorin.
Si ka qenë ecuria e tregut të mikrofinancës, duke pasur parasysh mbylljen e vitit 2018 dhe ecurinë në këta 5 muaj të këtij viti?
Në këndvështrimin e IuteCredit, ecuria e tregut të mikrofinancës ka qenë pozitive. Portofoli i kredisë është rritur dhe kjo falë numrit të klientëve të rinj, por edhe konsolidimi i marrëdhënies me klientët ekzistues. Ne kemi hapur 7 degë të reja gjatë kësaj periudhe, duke përmendur këtu degë në Shkodër, Vlorë, Korçë, Berat dhe në Tiranë.
Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me zgjerimin e tij?
Sfida kryesore me të cilat përballemi në këtë treg është cilësia e portofolit të kredisë. Një pjesë e klientëve që nuk arrijnë të paguajnë në kohe kredinë nuk gjenden, pasi sistemi i adresave ka shumë mangësi ose kontaktet e lëna nuk janë më të vlefshme. Kjo e bën shumë të vështirë gjetjen e klientëve për t’i bindur ata të paguajnë detyrimet që kanë.
Sa të informuar janë qytetarët për aksesin që iu ofrohet nga këto lloj institucionesh financiare jobankare?
Qytetarët nuk janë shumë të informuar lidhur me kredinë e vogël dhe të shpejtë që mund të marrin. Ne si institucion mundohemi t’i bëjmë të ditur produktet tona tek publiku kryesisht nëpërmjet aktiviteteve të marketingut, që varion nga daljet në media e deri te marketingu direkt.
Nga gama e produkteve që ofroni, cili është më i preferuari dhe cila është shuma mesatare e financimit?
Klientët vlerësojnë shpejtësinë me të cilën reagohet, në dhënien e aprovimit dhe më pas të lëvrimit të fondeve. Kredia mesatare është 50,000 lekë.
Si paraqiten elementet e kostos për të arritur tek klienti, faktorët gjeografikë, kostot e transaksioneve dhe buxhetet e limituara tek mikrofinanca në Shqipëri?
Për të arritur në mënyrë sa më eficente te klienti, mundohemi të kemi një buxhet të mirëbalancuar. Marketingu na çon tek klienti, prandaj është edhe zëri më i lartë i kostos së afrimit të klientëve të rinj.
Çfarë mendoni se mund të bëhet më mirë për të ndihmuar rritjen e mikrofinancës dhe rritjen e aksesit në kapital për sa më shumë kategori?
Ajo që mund të bëhet më mirë është të pasurit e një qendre të dhënash, me informacione për klientin dhe vlerësimin e riskut të kredisë. E thënë më thjesht, të dhëna si adresa, kontaktet e klientit, të ardhurat e klientit dhe njësisë familjare, detyrimet që klienti ka ndaj institucioneve financiare, por jo vetëm, të jenë të gjitha të vlefshme dhe aksesueshme nëpërmjet sistemeve të IT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.